E kahershme ka qenë kërkesa për rinovimin objektit ku tash e 22 vjet frymon teatri “Oda” njësoj sikurse premtimet, e më në fund punimet kanë nisur. Me letra, projekti peshon 1.3 milion euro, për ata që veprojnë në këtë hapësirë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, rinovimi është cilësuar si i vonuar, por i domosdoshëm e derisa të kryhen punimet, teatri “Oda” e “Qendra Multimedia” që vepron aty tash e pesë vjet, presin të bëjnë zgjidhje me hapësira alternative
Punimet për rinovimin e teatrit “Oda” kanë nisur. Hapësira e brendshme e teatrit është shndërruar në një shtresë mbeturinash, dërrasash, pajisjesh të çmontuara e kabllosh të shpërndara. Demolimi i pjesës së sipërme të ndërtuar mbi skenë ka hyrë në fazën e parë, duke shënuar praktikisht mbylljen e teatrit për një periudhë të pacaktuar.
Rinovimi i “Odës” vjen pas një procesi shumëvjeçar kërkesash për intervenim në këtë hapësirë të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, i cili pavarësisht funksionit si teatër që nga viti 2003, nuk ka pasur asnjëherë një investim të plotë në infrastrukturë. Gjatë verës, Ministria e Kulturës pati shpallur tenderin i cili me letra peshonte 2.5 milionë euro, i ndarë në dysh ku 1.3 milion janë paraparë për rinovimin e objektit të teatrit “Oda” e 1.2 milion për teatrin e Ferizajt, “Adriana”.
Sidoqoftë, kjo shumë nuk ishte e paraparë në buxhetin vjetor të MKRS-së dhe mbetet e paqartë nga cilat linja buxhetore do të mbulohet plotësisht ndërhyrja.
Dosja e tenderit sqaron se hapësira e “Odës” ka ndryshuar funksione disa herë, prej qendre bowlingu e deri te klub nate, para se të shndërrohej në teatër. Prandaj, synim i projektit është rikthimi sa më pranë gjendjes origjinale dhe përshtatja me standardet aktuale të një teatri, duke pasur parasysh se objekti është nën mbrojtje si monument i trashëgimisë kulturore.
Dramaturgu Jeton Neziraj, udhëheqës i qendrës “Multimedia” që aktivitetin e vet e ka zhvilluar në hapësirën e teatrit “Oda” në pesë vjetët e fundit, e ka cilësuar rinovimin si të vonuar dhe të domosdoshëm, duke kujtuar se iniciativat e mëhershme ishin pezulluar gjatë mandatit të kaluar të kryetarit të Prishtinës.
“Ideja e rinovimit nuk është e re, ka nisur para shumë vjetësh, pas shumë insistimesh e së fundi është konkretizuar në kohën kur Prishtina drejtohej prej Shpend Ahmetit. Ai pati ndarë një fond fillestar dhe pati iniciuar procesin, por ai proces u bllokua dhe u shpërfill krejtësisht nga kryetari aktual, Përparim Rama. Fatmirësisht ai proces i ndërprerë prej anës së Komunës, u zhvendos te Ministria e Kulturës. Ajo e konkretizoi idenë, duke ndarë një fond fillestar dhe duke i nisur procedurat në mënyrë konkrete”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndërhyrje substanciale nuk ka ndodhur asnjëherë në më shumë se dy dekada të funksionimit të teatrit. Nuk dihet se sa do të zgjasin punimet aty, mirëpo ka theksuar rëndësinë e kësaj nisme.
“Sa do të zgjasë nuk e dimë, por është e rëndësishme që kjo po ndodh, për teatrin ‘Oda’, për komunitetin artistik e për skenën teatrore të kryeqytetit, sepse vërtet gjendja e teatrit ka qenë e mjerueshme, kushtet e punës kanë qenë skandaloze, johigjienike madje dhe intervenimi ka qenë më se i domosdoshëm, madje i vonuar”, ka thënë Neziraj.
Megjithëse rinovimi është lajm i mirë, ai ka ngritur shqetësimin për mungesën e një hapësire alternative, duke paralajmëruar se komuniteti artistik i kryeqytetit rrezikon të mbetet për vite të tëra pa asnjë skenë funksionale. Janë bërë tre vjet e gjysmë prej se – në emër të konstatimit se paraqet rrezik – është mbyllur objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës, përderisa TKK-ja u zhvendos në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. Përmbyllja e punimeve për restaurimin me projekt 7 milionë eurosh duket ende larg. Prej shtatorit të vitit të kaluar është mbyllur edhe Muzeu i Kosovës për restaurim prej mbi 3 milionë eurosh. Në maj, nisi edhe restaurimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës që me buxhet për sivjet dhe dy vjetët e ardhshëm figuron me 1.9 milion euro.
“Është e domosdoshme që paralelisht me këto mbyllje për rinovime, që janë të mirëseardhura, të insistohet të gjenden hapësira alternative për krijuesit, sepse dy-tri-katër vjet janë tepër vite të gjata që Prishtina të ngelë pa asnjë hapësirë performuese”, ka thënë ai.
Ka shtuar se komunikimi me institucionet ka qenë i vështirësuar për shkak të zgjedhjeve dhe mungesës së vendimmarrjes.
“Ka qenë pak kohë e vështirë për shkak të zgjedhjeve, që të flasim edhe me institucionet – qoftë të nivelit lokal, qoftë qendror – për ta gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme dhe po presim tash, ndoshta në të ardhmen të kemi pak më shumë fat dhe përkrahje për të siguruar hapësirë alternative pune”, ka thënë Neziraj.
Sipas tij, i takon Komunës të gjejë hapësira alternative.
“Është Komuna ajo që do të duhej të gjente hapësira alternative e Komuna fatkeqësisht e pamë që mobilizohet dhe bën përpjekje të jetë aktive në fushën e kulturës vetëm para zgjedhjeve, sepse ishte momenti kur ata donin të tregonin që vërtet kujdesen për kulturën e kryeqytetit. Në të vërtetë nuk janë kujdesur për këto katër vite, bënë përpjekje të kujdesen pak këto tri-katër javët e fundit para zgjedhjeve. Kjo është ironike faktikisht”, është shprehur ai.
Drejtori i teatrit “Oda”, Florent Mehmeti, ka konfirmuar se teatri tashmë i ka zhvendosur pajisjet dhe inventarin, ndërsa është në kërkim të një hapësire të përkohshme.
“E kemi ditur që do të kemi një fazë të tillë ku do të jemi duke lëvizur prej një hapësire në tjetrën dhe aktualisht jemi në këtë fazë dhe duke kërkuar një zgjidhje për një vend alternativ të përkohshëm, ku do të mund të ishte si bazë, prej së cilës mund të operojmë, mundësisht një hapësirë për punë, për prova dhe për disa ngjarje ose shfaqje të nivelit të caktuar, varësisht prej hapësirës që mund ta sigurojmë”, ka thënë ai.
Sipas Mehmetit, puna artistike nuk do të ndalet, edhe nëse institucionet vonohen në ofrimin e një hapësire.
“Ne jemi institucion kulturor që prodhojmë dhe punojmë punë artistike kulturore, kështu që jo gjithçka lidhet me hapësirën, natyrisht është një pjesë e rëndësishme, sidomos që ka krijuar një histori prej 22 vjetësh, por puna është duke vazhduar edhe tash që po flasim me projekte dhe me produksion teatror që do të vazhdojmë duke shfaqur edhe në vende të ndryshme”, ka deklaruar ai.
Ka shtuar se procesi i projektimit ka marrë kohë për shkak të dakordimit me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi ndërtesa e Pallatit të Rinisë është nën mbrojtje.
“Gjithçka do të jetë e bërë prej së parës, natyrisht me kujdes të ruajtjes së vlerave që i ka vetë ndërtesa e Pallatit të Rinisë, e dini që është nën mbrojtje. Kjo edhe ka marrë kohë, sepse projekti është punuar në shumë detaje, për të siguruar edhe aprovimin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka shtuar Mehmeti.
As MKRS-ja dhe as Komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë një afat të qartë për përfundimin e punimeve. Sipas udhëheqësve të “Odës”, procesi mund të zgjasë disa vjet, periudhë gjatë së cilës Prishtina do të mbetet me vetëm një hapësirë teatrore funksionale, edhe atë të përgjysmuar. Për komunitetin artistik dhe për skenën teatrore të kryeqytetit, rinovimi i “Odës” është një zhvillim i shumëpritur. Por pa një zgjidhje të menjëhershme për hapësirat alternative, periudha pas mbylljes mund të sjellë vështirësi të reja për krijuesit që për vite kanë operuar në kushte të pamjaftueshme.