Në cilësinë e përkthyesve Nerimane Kamberi, Sebastien Gricourt dhe Robert Wilton, të mërkurën në tryezën në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, kanë ndarë përvojat e tyre me këtë art të veçantë që ndodh në kufirin mes gjuhëve dhe botëve. Në thelb, ata kanë folur për përkthimin e letrave shqip, duke e konsideruar atë si një akt dashurie, dashuri për fjalën, për kulturën dhe për mundësinë që ajo të kuptohet nga të tjerët. Por, sipas tyre, përkthimi është edhe një akt përgjegjësie: çdo përkthyes bëhet një ambasador i heshtur i kulturës së vet, një zë që përpiqet të ruajë të paprekur shpirtin e origjinalit
Se çfarë do të thotë të përkthesh letërsinë shqiptare, se çfarë përfiton një vepër, një kulturë, një lexues, kur një tekst kalon nga një gjuhë në tjetrën, kanë qenë tema diskutimi në tryezën e përkthyesve që është organizuar në kuadër të edicionit të 22-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Tryeza nën temën “Përkthimi i letërsisë shqipe dhe qasja e lexuesve të huaj ndaj veprave shqipe”, të mërkurën në amfiteatrin e vogël të BKK-së, ka sjellë diskutim të qetë, por të ngarkuar me kuptime të thella në artin e të përkthyerit, bashkë me ndjeshmërinë kulturore, interpretimin dhe kreativitetin që përcjell një përkthyes.
Tre përkthyes: Nerimane Kamberi, Sebastien Gricourt dhe Robert Wilton janë ulur në të njëjtin panel për t’i ndarë përvojat e tyre me këtë art të veçantë që ndodh në kufirin mes gjuhëve dhe botëve.
Moderuar nga Saranda Krasniqi, në thelb, ata kanë folur për përkthimin e letrave shqip, duke e konsideruar atë si një akt dashurie, dashuri për fjalën, për kulturën dhe për mundësinë që ajo të kuptohet nga të tjerët. Por, sipas tyre, përkthimi është edhe një akt përgjegjësie: çdo përkthyes bëhet një ambasador i heshtur i kulturës së vet, një zë që përpiqet të ruajë të paprekur shpirtin e origjinalit.
Kur kufijtë kulturorë po bëhen gjithnjë e më të lëvizshëm, përkthimi shërben si urë që lidh botët dhe që i jep letërsisë shqiptare mundësinë të frymojë lirshëm në gjuhë të tjera. Nuk është veç proces gjuhësor, është një formë e butë e diplomacisë, një mënyrë për ta bërë të njohur, të kuptueshme dhe të ndjeshme bukurinë e një kulture të vogël në një botë të madhe.
Për poeten dhe përkthyesen Nerimane Kamberi, përkthimi është shumë më tepër se një proces teknik i bartjes së fjalëve. Për të, përkthyesi është ndërmjetës mes dy botëve që, përmes fjalës, afrohen dhe e njohin njëra-tjetrën. Ajo ka theksuar nevojën që institucionet të krijojnë më shumë hapësirë për përkthyesit, sepse shumë vepra që përkthehen me pasion, mbeten të pabotuara.
“Vërtet përkthimi është urë kulturash dhe ndihmon në të lexuarit, është shumë i rëndësishëm, se e përçon fjalën e bukur, vështirësitë e një gjuhe, dukuritë e një gjuhe. Është ajo ura që mundëson të shkojnë këto vepra në mbarë botën. Duhet të bëhet edhe më shumë, një lloj diplomacie kulturore, duhet që qeveritë tona, këndej e andej kufirit, të bëjnë edhe më shumë që të ndihmohet jo vetëm përkthimi i këtyre veprave, por pastaj edhe publikimi, sepse sigurisht përkthyesit nisen prej një dashurie për një vepër dhe për një pasion, shpesh janë ata që e zbulojnë një vepër apo një shkrimtar. Nëse ata nuk ndihmohen nga institucionet, vepra mbetet në sirtar dhe nuk do të mund të shijohet nga lexuesit e huaj”, ka thënë ajo.
Në një vëzhgim më të gjerë, ajo ka folur edhe për mënyrat e reja të promovimit të letërsisë shqiptare, sidomos në diasporë. Rrjetet sociale, sipas saj, po krijojnë një hapësirë të re ku mund të rilindin letërsia e vjetër dhe ajo bashkëkohore.
“Lexuesit në diasporë është mirë të lexojnë letërsinë shqiptare në gjuhën e tyre që ta mbajnë lidhjen me vendin e prejardhjes së vendit të tyre përmes letërsisë. Mund të ndodhë promovimi përmes rrjeteve sociale. Kemi parë që TikTok-u rikthen autorët klasikë, sepse një njeri që e lexon një roman klasik dhe e poston në TikTok dhe bëhet virale, kjo e rikthen një vepër. Rrjetet sociale, për të rinjtë sidomos, në shpërndarjen e letërsisë është shumë e rëndësishme edhe te diaspora, sepse kam besim dhe shpresë që ndonëse akoma flasin shqip në familje, ata lexojnë në gjuhën në të cilën po rriten dhe po shkollohen dhe për ta është shumë mirë ta njohin një autor, dhe përmes veprave letrare të përkthyera ta njohin edhe historinë e vendit tonë”, ka treguar Kamberi.
Përkthimi i poezisë shqipe është konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për përkthyesit. Sipas tyre, ndryshe nga proza, poezia kërkon ruajtjen e ritmit, tingullit, figuracionit dhe emocioneve që shpesh lidhen ngushtë me gjuhën origjinale. Janë pajtuar me fjalët e njëri-tjetrit se një metaforë e bukur në shqip mund të humbasë “dritën” e saj në një gjuhë tjetër, nëse përkthyesi nuk gjen një mënyrë të re për ta bërë “të ndritshme”.
Përkthyesi dhe botuesi francez Sebastien Gricourt, i cili ka dekada që merret me përkthimin e letërsisë shqipe, e sheh atë si një formë të veçantë komunikimi kulturor. Ai ka thënë se nuk zgjedh një vepër për përmbajtjen e saj letrare, por për atë që ajo flet mbi kohën dhe realitetin shqiptar.
“Mendoj se jemi në një moment kur ka shumë rëndësi të japim një shumëllojshmëri të kreativitetit të letrave shqiptare, andaj janë disa ide që unë për shembull dëshiroj t’i përcjell në frëngjisht. Kur e zgjedh një vepër, nuk e zgjedh doemos për përmbajtjen letrare, por se çka thotë kjo vepër për kohën tonë në botën shqiptare. Më e rëndësishme është që bota perëndimore ta kuptojë botën shqiptare.
Është një sfidë e madhe që ta bësh këtë”, është shprehur ai.
Në përvojën e tij, rruga e përkthimit nuk është e lehtë. Në fillimet e viteve ’90, kur ka nisur të përkthejë nga shqipja, përkthimet e tij mbeteshin të pabotuara për vite me radhë.
“Në fillim kur unë kam filluar të përkthej në vitet ’90 në Shqipëri, e kam bërë se isha student për gjuhën shqipe, janë tri romane që i kam përkthyer vetë dhe nuk i kam paraqitur kurrë. Shumë më vonë kam nisur t’u paraqes shtëpive botuese çka kam përkthyer dhe hasa pastaj në shumë vështirësi. Duhej kohë e gjatë për ta kaluar këtë lloj pengese, se kisha dyshime ndaj aftësisë sime, domethënë është çështje besimi ndaj vetvetes, por e kam vazhduar derisa e kam kuptuar se krejt shtëpitë botuese e kanë nga një politikë”, ka kujtuar Gricourt.
Robert Wilton, përkthyes dhe shkrimtar britanik, e ka përjetuar shqipen nga brenda, si një gjuhë që bart një botë të pasur emocionale dhe estetike. Ka folur për përpjekjen e tij për ta ruajtur ndjesinë, jo vetëm kuptimin. Ka përmendur mes tjerash se përkthimi i autorëve si Visar Zhiti e Ag Apolloni është sfidë më vete, sepse “bota psikologjike dhe gjuhësore” e shkrimtarëve është shumë e ndërlikuar dhe kërkon një intuitë të veçantë për ta sjellë në një gjuhë tjetër.
“Megjithëse fjalori në anglisht është më i madh se fjalori në shqip, ka elemente elegance në shqip që unë kurrë s’mund t’i përcjell në anglisht. Zhiti për shembull: në romanin e tij ekziston një botë psikologjike dhe gjuhësore krejt e shthurur dhe kjo është shumë e vështirë ta kapësh në anglisht. Tentimi im si përkthyes nuk është që një lexues anglishtfolës vetëm ta kuptojë domethënien e fjalëve, por edhe ta shijojnë të njëjtin efekt emocional, zemëror që një lexues shqipfolës e ndien kur lexon shqip”, ka thënë Wilton, duke treguar raste konkrete të vështirësive gjatë përkthimit të shprehjeve poetike ose metaforike e idiomatike në romane.
Sipas tyre, përkthimi mbetet mënyra më e sigurt që letërsia shqiptare të depërtojë në mendjet e lexuesve të huaj. Shembulli më i qartë përmendet të jetë ai i Kadaresë, autori më i përkthyer shqiptar, i cili ka ndikuar fuqishëm në mënyrën se si bota e sheh letërsinë dhe kulturën shqiptare. Përmes përkthimeve të shumta të veprave të tij në frëngjisht, anglisht e në gjuhë të tjera, Kadare ka dëshmuar se letërsia shqiptare është pjesë e pandashme e letërsisë botërore. Ai e ka shndërruar përkthimin në një dritare të vërtetë njohjeje kulturore, jo vetëm për lexuesin e huaj, por edhe për vetë shqiptarët, që përmes asaj dritareje e shohin veten me sy tjetër.