Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Poeti i pianos thur me tinguj vargjet e rrëfimit të përkryer

Alexander Gadijev

Alexander Gadjiev (31) ka nisur me “Oiseaux tristes” (Zogjtë e trishtuar). Me karakter melankolik e të qetë, melodia përshkruan një peizazh vetmie. Janë fraza të gjata e të heshtura. Pauzat ia shtojnë efektin emocional. Kjo është vetëm një intro para publikut të “Chopin Piano Fest” në kryeqytet

Pianisti slloven, Alexander Gadjiev, të cilin kritika e përshkruan si “rrëfimtar në tingull” dhe “poet muzikor”, duke e vlerësuar për imagjinatë të pasur, thellësi dhe aftësi për të krijuar një “univers muzikor personal”, koncertin s’e ka parë thjesht si interpretim, por edhe si lloj masterklase. Si përvojë mahnitëse është përshkruar koncerti i tij në “Chopin Piano Fest”. “Ka qenë një publik i ngrohtë dhe organizim madhështor. Ishte e përkryer...” ka thënë Gadijev por në fakt, e përkryer ishte loja e tij

Kur literatura muzikore ciklin pianistik “Miroirs” të Maurice Ravelit e klasifikon si muzikë jo veç për t’u dëgjuar, por edhe për t’u imagjinuar, interpretuesi duhet të ketë shkathtësi dhe talent të rrallë. Normalisht, mund të luhet nga secili interpretues, por s’janë të shpeshtë ata që janë besnikë ndaj teksturës për ta arritur më të mirën. Këtë problem s’e ka pianisti slloven, Alexander Gadjiev. Me një përshëndetje korrekte ndaj publikut, ai ulet përballë tasteve të pianos pa bërë ndonjë aktrim, sikur do të thotë: m’i dëgjoni tingujt. Ka zgjedhur që në Prishtinë të interpretojë tri nga pesë pjesët e ciklit.
Gadjiev (31) ka nisur me “Oiseaux tristes” (Zogjtë e trishtuar). Me karakter melankolik e të qetë, melodia përshkruan një peizazh vetmie. Janë fraza të gjata e të heshtura. Pauzat ia shtojnë efektin emocional. Kjo është vetëm një intro para publikut të “Chopin Piano Fest” në kryeqytet. Më pas vjen karakteri dramatik me “Alborada del gracioso” (Serenata e shakaxhiut). Në këtë rast hyjnë në lojë efekte shtesë me kontraste midis humorit dhe melankolisë. Gadjiev tashmë para publikut e arsyeton veten përse është në Prishtinë. Ngjyrimet e tij janë të plota. Në muzikën pianisitike, në këtë vepër, tingulli shndërrohet në pikturë. Gadjiev vazhdon me “La vallée des cloches”, ku i kthehet karakterit meditativ e të qetë, duke shpalosur një përshkrim kambanash në peizazh të hapur, me një përmbyllje reflektuese dhe shumë poetike.

Pasi u përgjigjet duartrokitjeve të publikut, pianisti nis t’i japë jetë një tjetër vepre muzikore: “Ballada nr. 4 në f-mol, Op. 52” e Frédéric Chopinit, e cila konsiderohet si një nga kulmet e krijimtarisë së tij për piano dhe një nga veprat më të thella të repertorit romantik. Edhe Gadjiev është mjeshtër i rrallë i kësaj vepre. Më 2021 ai ka marrë Çmimin e dytë në garën ndërkombëtare që mban emrin e kompozitorit polak në Varshavë. Madje për Sonatën e Chopinit ka marrë çmimin për interpretimin më të mirë. E shkruar rreth viteve 1842–1843, balada që ka interpretuar pianisti virtuoz është një kombinim i formës së lirë poetike me një ndërtim shumë të sofistikuar muzikor. Mjeshtëria e tij s’ka nevojë për kurrfarë “aktrimi” prej interpretuesi. Me koncentrim maksimal në taste, loja e Gadjievit padyshim mund të shërbejë si shkollë për pianistët e rinj që janë në publik. Deri më tani zor të ketë interpretuar kush Chopin më mirë se ai në Prishtinë. Është laureat i çmimeve kryesore që njeh Evropa e sotme për muzikë pianistike dhe të gjitha i ka arritur pa mbushur 30 vjeç. Literatura muzikore e njeh këtë vepër për hyrje të butë, por që nga fundi ka shpërthim të fuqishëm emocional. Pasazhet virtuoze shumë të shpejta nxjerrin në pah aftësitë teknike të përsosura të pianistit. S’është prej atyre që lakon kokën e bën fytyra “aktor”. S’i interesojnë ato gjëra. Duket sikur para daljes në skenë i kujton vetes veprimet e pianistit të famshëm, Vladimir Horowitz, i cili më 1974 në New York i tha audiencës se s’duhen aktrime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është diçka e brendshme që kur del jashtë duhet të dalë nëpërmjet gishtave e jo nëpërmjet fytyrës…”, do të thoshte mjeshtri ruso-amerikan. Gadjiev është i asaj shkolle.
Para pauzës, Gadjiev ka sjellë për të pranishmit “Le baiser de l’Enfant Jésus” nga Olivier Messiaen, që duhet të ketë qenë premierë në Prishtinë. Të paktën vitet e fundit s’e ka luajtur kush. Bëhet fjalë për pjesën e 15-të dhe kulmore të atij që konsiderohet cikli monumental për piano “Vingt Regards sur l’Enfant-Jésus”. Kjo pjesë është një meditim thellësisht shpirtëror dhe mistik mbi dashurinë hyjnore, e përkthyer në gjuhë muzikore shumë personale dhe simbolike. Vepra, që në përkthim i bie “Puthja e fëmijës Jezus”, sjell një përjetim intim të dashurisë hyjnore. Madje literatura muzikore e përshkruan si një lloj ekstaze të qetë e jodramatike. Pikërisht në këto vepra vërehet qartë kualiteti i interpretuesit. Gadjiev, të cilin kritika e përshkruan si “rrëfimtar në tingull” dhe “poet muzikor”, duke e vlerësuar për imagjinatë të pasur, thellësi dhe aftësi për të krijuar një “univers muzikor personal”, koncertin s’e ka parë thjesht si interpretim, por edhe si lloj masterklase.

Pas pauzës së shkurtër, pianisti kthehet në skenë për të vazhduar me veprën e fundit. “Pictures at an Exhibition” (Pamje nga një ekspozitë) e Modest Mussorgsky është një cikël për piano i frymëzuar nga pikturat e mikut të tij, artistit Viktor Hartmann. Përshkruhet si një nga veprat më programatike në muzikë, ku çdo pjesë përfaqëson një “tablo”, ndërsa “Promenadat” që përsëriten janë kalimi nga një pikturë te tjetra. Mund të përshkruhet edhe si sfida kryesore e pianistit për mbrëmjen e së martës. Do të shpjegojë pikturat që të pranishmit s’i kanë parë. Fuqia e kompozitorit dhe interpretit përmes magjisë së muzikës, e arrijnë këtë. Njëfarë “transi” që veç virtuozët ia dalin. Mund të përshkruhet edhe si një lloj drame midis galerisë dhe sallës koncertale. Në Prishtinë merr edhe përmasa teatrale, pasi ka prej njerëzve që vijnë në gjysmë të koncertit dhe i mësyjnë radhës së parë të karrigeve, ose të tjerë që i flasin njëri-tjetrit: “Mos më fol në vesh…”, duke bërë që edhe pianisti të kthejë kokën për të parë se çfarë po ndodh. Ka mundësi për lloj-lloj dramash, veçanërisht në Ballkan. Krejt kjo s’e lëviz Gadjievin nga “shinat”. Jo pa arsye përshkruhet si pianist jo veç virtuoz, por edhe me vizion. Ka një besnikëri të lartë ndaj teksturës së veprës, duke krijuar iluzione te të pranishmit përmes magjisë së interpretimit dhe kapacitetit të tij artistik. Dikush thotë se notat janë më të plota kur i luan Gadjiev.
Dirigjenti italian, Marco Crispo, që këto ditë po qëndron në Prishtinë për bashkëpunimin e tretë me radhë me Filharmoninë e Kosovës, pas koncertit ka thënë se është ndarë i kënaqur me çdo notë. Ka parë veç veprën e fundit të koncertit.

“E vlerësoj shumë krejt lojën. Të gjithë e dimë se kjo vepër e Modest Mussorgsky ka një linjë madhështore që lidh krejt pjesët. Ka ‘Promenadën’ nëpër të gjitha pikturat dhe është shumë trike për secilin interpretues që ta mbajë këtë promenadë dhe të udhëtojë me pikturën tjetër, për t’iu kthyer sërish promenadës me krejt emocionet që përçon. E vlerësoj për idenë që na krijoi në krejt aventurën e kësaj vepre”, ka thënë Crispo. E konsideron veprën me fat që në Parma të Italisë ka dëgjuar “Koncertin për piano nr. 1 në d-mol, Op. 15” të Johannes Brahms, të interpretuar nga Gadjiev.
“Dhe çdo gjë që mbaj mend prej atëherë e rikonfirmova këtu. E vlerësoj shumë se si është besnik ndaj tekstit. Është një përvojë thjesht mahnitëse”, ka thënë ai.

Gadjiev bën pjesë tek ata instrumentistë që publiku i ndjek për t’i dëgjuar e jo për t’i parë. Fuqia e tij shprehëse muzikore ka zotësinë ta marrë publikun me vete, duke e futur në peizazhe, e më pas duke e tërhequr në ambiente të ndryshme deri në një galeri
 

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, ka treguar se këtë pianist e ka dëgjuar në Varshavë më 2021. E ka përshkruar si një prej interpretuesve të etabluar në skenën botërore.

“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Një nivel tejet i lartë. Nivel kulmor i interpretimit të të gjitha veprave që ishin në program…”, ka thënë Pula.

Veprën e Mussorgskyt e ka përshkruar si gjigante dhe me kërkesa të jashtëzakonshme artistike, virtuozitet për çdo interpret të pianos.

“Praktikisht ishim prezentë në një shfaqje teatrale që interpretohej në piano me një tingull magjik”, ka thënë ajo.

Gadjiev, që krijon përshtypjen e një tipi paksa introvert, ka pasur atë qetësinë e vet edhe pas koncertit. Mbrëmjen e ka përshkruar si të bukur.

“Ka qenë një publik i ngrohtë dhe organizim madhështor. Ishte e përkryer. Doja të shpërfaqja perspektiva të ndryshme, përfshirë Chopinin. Doja më shumë gjeografinë ruso-sllave me Mussorgskyn. Në pjesën e parë gjej më shumë lidhje midis Chopinit dhe repertorit francez që janë Ravel e Messiaen. Natyrisht që doja të tregoja pianizëm e shprehje të ndryshme”, ka thënë ai.
Gadjiev hyn tek ata instrumentistë që publiku i ndjek për t’i dëgjuar e jo për t’i parë. Fuqia e tij shprehëse muzikore ka zotësinë ta marrë publikun me vete, duke e futur në peizazhe e më pas duke e tërhequr në ambiente të ndryshme deri në një galeri. Ai u jep zë pikturave përmes tingullit.