“Artpolisi” si organizatë joqeveritare që vepron në Kosovë që nga viti 2004 promovon të drejtat e njeriut, kulturën, artin dhe bashkëjetesën multietnike nëpërmjet dialogut social dhe ndërthurjes së formave artistike si avokim për problematikat sociale. Për 20-vjetorin e themelimit, festimi i kësaj arritjeje qe i rezervuar sërish për shprehje artistike. “Poezi për fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” ka qenë ftesa që bëri bashkë poete, artiste, aktiviste e njerëz nga profile të ndryshme që u bënë bashkë për të festuar dy dekadat e “Artpolisit”
Poezia ka qenë pika gravituese e cila afroi të gjithë mbështetësit dhe ndjekësit e aktiviteteve të organizatës joqeveritare “Artpolis”, në festën e organizuar për 20-vjetorin e themelimit të saj. Ambientet e “Kino Armatës” janë rezervuar për ngjarjen e cila njësoj sikurse aktiviteti i “Artpolisit” ka qenë ndërthurje e performancave artistike, leximeve poetike dhe muzikës, të cilat për emërues të përbashkët kanë përcjelljen e mesazheve që avokojnë fuqizimin e gruas nëpërmjet historive inspiruese të vetë grave. Programi i pasur për shënimin e këtij përvjetori nisi me video-kolazh si udhëtim retrospektiv në veprimtarinë e “Artpolisit” ndër vite. Shfaqje teatrale, aktivitete kushtuar poezisë, festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon – “FemArt”, protesta, fushata ndërgjegjësimi, edukimi në bazë të teatrit, qenë disa nga to që paraqiteshin si klipe të shkurtra njëra pas tjetrës, si metaforë më vete për tempin e organizatës e cila karakterizohet me aktivitet të bujshëm që nga themelimi. Pasoi me një fjalim nga Zana Hoxha, drejtoreshë e “Artpolis”. E emocionuar, Hoxha ka zgjedhur të shpalosë nga fillet e aktivizmit të saj që kishte nisur para “Artpolisit” e deri tek aktivitetet e realizuara rishtazi.
Ndër të tjera ajo ka përmendur se duke u nisur nga fakti se motivi i vetë organizatës ishte aktivizmi dhe puna e zellshme, ata sot numërojnë dymbëdhjetë profesionalistë si staf organizativ, bashkë me dhjetë artistët që përbëjnë ansamblin artistik të pavarur në kuadër të organizatës, që vazhdon të angazhohet me shfaqje të ndryshme.
Hoxha ka ndarë me të pranishmit udhëtimin e saj personal me “Artpolisin”, që kishte nisur si përpjekje e Hoxhës, me ambicie të mëdha në horizont e që ndryshoi trajtë ndër vite.
“Ka qenë një moment kur unë thashë: Nuk po du me qenë më një shtraf i një makinerie të dikujt tjetër, unë vetë po du me qenë makineria, kështu vazhduam, dhe tash aktivizmi është identiteti i ‘Artpolisit’, mënyra se si ndër të tjera ne punojmë me teatrin, me edukimin e gjeneratave të reja, përmes tij është shtyllë e organizatës”, është shprehur Hoxha duke iu referuar hapave të parë të themelimit të OJQ-së, si pikënisje e një rruge që vazhdon të shtrohet ende.
Pika e radhës është rezervuar për performancën e korit të fëmijëve “Okarina”, drejtuar nga Elikona Hysaj, me interpretimin e veprës “Lulet e marsit” të kompozuar nga Ylber Asllanaj, si homazh për fëmijët e familjes Jashari të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Festimet për 20-vjetorin e themelimit u shënuan dhe me panele të ndryshme diskutimi, e i pari ndër ta pasoi pas performancës së aktores Blerta Gubetini me poezinë “Shëmtia e luftës”.
Vjollca Bajraj, bashkëshortja e poetit Xhevdet Bajraj, ka qenë mysafirja e parë që hapi leximet poetike që ishin paraparë për këtë ngjarje. E ardhur enkas nga Meksika, Bajraj me Zana Hoxhën si nikoqire të mbrëmjes, zhvilluan një diskutim të shkurtër i cili u shtri në detaje të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së saj. Ajo ndau me të pranishmit peripecitë e saj që kishte kaluar gjatë jetës së saj si grua. Me mesazhe të forta që iu përgjigjen premisave të idesë së feminizmit, Bajraj nuk la anash as poezinë.
“Kam filluar të shkruaj poezi disa muaj pasi që vdiq Xhevdeti, në vitin 2022. Për mua shkrimi i poezisë ka qenë si një mënyrë për ta ngushëlluar veten. E kam dashtë poezinë, kam jetuar me një poet të madh, kam qenë kritikja e parë e poezive të tij, gjithmonë”, ka thënë Bajraj në bisedën e shkurtër e cila herë-herë ndërpritej me leximin e disa poezive të saj në shqip e spanjisht me titujt ”Grua” dhe “Përqafim gruaje”, të përshtatshme për natyrën e eventit, që përçonin fuqi nëpërmjet poezisë.
Performancat nga ansambli artistik i “Artpolisit” kanë shërbyer si shkëputje nga leximet e poezive, por mesazhet u dhanë edhe nga ta. Të ngjashme me stilin kabare, ata këndonin dhe vallëzonin me këngë të përzgjedhura jo rastësisht si “Mihane” të rock-grupit “Minatori” dhe këngën popullore “Moj Hatixhe”, bashkë me lëvizjet skenike dhe tingujt nga riaranzhimet e realizuara prej Liburn Jupollit.
Me recitimin e poezive vazhdoi dhe e ftuara e radhës, Nora Prekazi-Hoti, e cila për të pranishmit lexoi poezi nga libri i saj debutues “Amë” i publikuar në fund të vitit të kaluar. Përmes shprehjes metaforike vlerësoi suksesin e “Artpolisit” dhe rëndësinë si organizatë.
“Zana Hoxha është zëri i shumë çikave dhe grave, ndërsa ‘Artpolisi’ tashmë si 20-vjeçare nuk është adoleshte, por është bërë si një grua e fuqishme”, ka thënë Prekazi-Hoti
Poezitë e tyre kushtuar fuqisë së gruas i ndanë me të pranishmit edhe Gili Hoxhaj, gazetare dhe poete, si dhe Xhejlane Tërbunja, aktore dhe poete, e cila poezinë e saj e përcolli në formë të një interpretimi të ndjerë, njëjtë si përmbajtja e vargut të saj.
Diskutimet me poetet në ngjarje kanë dhuruar pamje intime në proceset e tyre kreative dhe rolin e poezisë në avokimin për ndryshim shoqëror. Këto biseda vunë theksin edhe një herë në fuqinë e fjalëve dhe rëndësinë e poezisë si një medium për të sfiduar normat shoqërore, thyerjen e stereotipave gjinore dhe frymëzimin për ndryshim.
Kontributin e tyre në këtë mbrëmje, krahas kontributit si artistë e aktivistë e dhanë dhe Meli Qena, aktore, këshilltari për Bashkëpunim dhe Veprim Kulturor në Ambasadën franceze, Donato Giuliani, si dhe Aurita Agushi, aktore, të përfshirë në aktivitetet e “Artpolisit” në 20-vjeçarin e veprimtarisë.
Në frymën e “Poezi për fuqi”, festa e 20-vjetorit të “Artpolisit” pasqyroi fuqinë që vjen nga shprehja artistike. Përmes kabaresë, poezisë, diskutimeve dhe retrospektivave, u shfaq edhe një herë fuqia transformuese që ka arti si dimension i shprehjes njerëzore. Ndërsa “Artpolisi” u shfaq si një hapësirë ku zërat e ndryshëm mund të dëgjohen, narrativat e forcës dhe frymëzimit shfaqen si pjesë e realitetit kulturor të Kosovës, njëjtë si motoja e organizatës: Rezisto, inspirohu dhe krijo.