“Letërsia dhe lufta” ka qenë tema që e ka karakterizuar natën e dytë të edicionit të dytë të Festivalit Poetik në Prishtinë, krahas ngjarjeve të tjera si takimi me shkrimtarë e përurim librash. Fuqia e poezisë për dokumentimin e luftës është konsideruar si e patejkalueshme. “...dua ta veçoj këtë pjesën e poezisë së luftës e cila praktikisht na vjen si një kujtesë pasi që të gjithë arkivat mund të zhduken një ditë, por arkivi që mbetet është poezia”, ka thënë poeti e gazetari Halil Matoshi
Edhe sikur një ditë të zhduken krejt arkivat poezia mbijeton, dhe për këtë ka peshë madhore edhe në dokumentimin e luftës. Ky ka qenë njeri prej konstatimeve në Festivalin Poetik të Prishtinës. E ka bërë poeti e gazetari Halil Matoshi, njeri prej protagonistëve në diskutimin “Letërsia dhe lufta”, në mozaikun e ngjarjeve të mbrëmjes së dytë, të mërkurën mbrëma në qendrën shoqërore – “Termokiss”.
Por fuqia e poezisë më së mirë është konfirmuar me deklamimin e saj, te pjesa e dytë e programit të cilit i kanë paraprirë diskutimi me shkrimtarin dhe studiuesin Gëzim Aliu moderuar prej Donika Dabishevcit, e konceptuar si mbrëmjet autoriale, si dhe përurimi i librit “Amë” të Nora Prekazit.
“Letërsia dhe lufta” ka bashkuar pesë poetë, të cilët me vargjet e tyre kanë dokumentuar përjetimet e luftës së fundit në Kosovë. Drama e luftës edhe pse e rëndë për njerëzimin ka shërbyer kaherë si frymëzim për vepra të mëdha. Fuqia e vargut poetik është dëshmuar si evokim i së kaluarës. Ajo shihet edhe si një rishikim i historisë së trishtë, një lloj ballafaqimi me traumën. Ishin pikërisht vargjet poetike të pesëshes që e manifestuan edhe një herë fuqinë e letërsisë në artikulimin e emocioneve njerëzore.
Kjo pjesë e mbrëmjes, moderuar nga prezantuesja Alketa Gashi-Fazliu, nisi pikërisht me Halil Matoshin dhe poezitë e tij të karakterit autobiografik, të cilat paraqesin tmerrin e përjetuar nga subjekti në kohë lufte.
“The Lil’s Poem”, poezia të cilën ai e lexoi, shpalos në vargje rrugëtimin e thellë drejt personales e reflektimeve të gazetarit e poetit mbi luftën dhe ndikimin thelbësor të kohës së tij të kaluar në burg.
Matoshi ka çmuar faktin që poezisë së luftës i është dhënë hapësirë e denjë në kuadër të Festivalit.
“Është një festival i ri i cili secilën herë po merr formën më të mirë. Është një strehë që i mbledh krijuesit e poezive, por dhe të arteve të tjera. Një hapësirë shumë interesante këtu në Prishtinë, dhe mbi të gjitha dua ta veçoj këtë pjesën e poezisë së luftës e cila praktikisht na vjen si një kujtesë pasi që të gjithë arkivat mund të zhduken një ditë, por arkivi që mbetet është poezia, ajo mbetet gjithnjë”, ka thënë Matoshi.
Ilire Zajmi ka lexuar poezinë “Lufta më zuri në Prishtinë”. Në vorbullën e kujtimit të kohëve të luftës, vargjet janë fuqizuar me tingujt e kitarës nga Naser Dula. E disa vargje i lexoi edhe aktori dhe shkrimtari Shpëtim Selmani.
Poetja Vlora Konushevci, me “Copa paqeje”, ndau me të pranishmit rrëfime të shkurtra të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Leximi poetik u përmbyll me poetin Eduard Frrokaj, me një cikël poetik kushtuar Masakrës së Mejës, ku forcat serbe vranë 377 civilë shqiptarë më 27 prill 1999.
“Sot që e kishim temën lufta në letërsi, që është shumë me rëndësi me i memorizu përvojat e njerëzve dhe gjithçka që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, sepse kjo i shërben memories kolektive dhe nuk guxojmë t’i harrojmë këto gjëra për brezat e ri, të cilët fatbardhësisht nuk i kanë përjetuar ato. Festivalet janë tepër të rëndësishme për Kosovën dhe në përgjithësi, të gjitha, e ato letrare, pasi që jam vetë poete, i shijoj pak më shumë”, ka thënë Konushevci.
Pos poetëve e letrarëve, kjo ngjarje kulturore në kryeqytet tërhoqi edhe artistë nga dimensione të tjera. Anisa Ismajli si aktore, festivalet e tilla i sheh si frymëzuese dhe të domosdoshme për jetën kulturore.
“Jam shumë e lumtur që kam ardhur sot këtu. Kemi gjithmonë nevojë për evente të tilla poetike. Kur hyra brenda me këto drita me një skenografi të këndshme me i dëgju këto poezi të bukura dhe të dhimbshme për luftën në Kosovë, është shumë emocionale, dhe Donikës i uroj dhe shumë evente të tilla. Festivali i saj le të jetë tradicional, sepse po shihet sipas publikut që ishte brenda, se kemi nevojë për evente të tilla”, ka thënë Ismajli.
Poezia e luftës ka qenë temë edhe në përmbyllje të natës së dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës. Poetja e studiuesja, Blerina Rogova-Gaxha, ka mbajtur ligjëratën “Kujtesa dhe trauma në letërsi” dhe po në këtë temë është shfaqur edhe eseja e saj filmike. Rogova-Gaxha së fundmi ka sjellë librin “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë”, i cilësuar si unik deri më tash, studim letrar-interdisiplinar që e trajton reprezentimin e luftës në letërsinë aktuale në Kosovë. Është vepra e parë e kësaj natyre, e cila dokumenton ruajtjen e memories kolektive të luftës nëpërmjet letërsisë. Ishte përuruar në dhjetor të vitit të kaluar bashkë me ekspozitën ”Rojtarë të memories” dhe me shfaqjen e esesë filmike “Bijë lufte”.