Organizimi e kushtet janë një lloj kontrasti, “Prishtina Jazz Festival” sfidon edhe kaosin, tersi i edicionit të 13-të do të mund të ishte terri në hapje të festivalit, por kur ai nis, shpërthen kontrapunkti. Improvizimi është esenca e jazzit, por organizimi i një festivali si ky i ka koordinatat e sakta, e muzika dhe ajo që vjen nga skena është zbërthimi i saktë i formulës së harmonisë. Dy koncerte në natën e parë, të dy me repertor që muzikën shqipe e çon edhe përtej kufijve – ose një pikë që e lidh Jimi Hendrixin me shahirët ose tjetra që zhurmën e Prishtinës e shndërron në magji muzikore – kanë qenë disa prej kapitujve
Ringjalljen e stabilitetin në skenën kulturore të vendit, “Prishtina Jazz Festival”, e ka dëshmuar me edicionin e 13-të, kur po mbahet për të tretën herë radhazi pas ndërprerjes në vitin 2014. Të enjten mbrëma kur u hap, ka dëshmuar pasurinë e krijimtarisë muzikore të jazzit dhe përkushtimin e muzikantëve të këtij zhanri. Sfidat janë jo të pakta, por në skenën e ngjarjes, jazzi përherë triumfon.
Ajo që është kthyer në skenë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, është transformuar për këtë ngjarje. Jo veç për nga ana estetike, por edhe për akustikën e sallës. Kështu ka bërë të ditur edhe drejtori i festivalit, jazz-kitaristi Armend Xhaferi.
“Është e mirë, megjithëse është pak më vështirë të bëhet zërimi, sepse është sallë për klasikë, por për atë shkak i kemi marrë inxhinierët e zërimit prej këtu dhe prej Shkupit. Mua më ka pëlqyer si ka dalë. Gjithçka bëhet me punë”, është shprehur ai.
Me të hyrë aty, publiku është ndeshur me një tjetër imazh ndonëse shenja të festivaleve tjera ka pasur përherë. Në mungesë të hapësirave, ngjarjet aty janë të pashmangshme. Ka qenë imazh shumë me i ngrohtë e më intim se zakonisht. Dritat kaltër e bardhë kanë veshur një pjesë të mirë të murit përballë ndërsa perdeve anash i janë veshur ngjyrat e kuqe nga dritat reflektuese. Një poster i festivalit midis skenës dhe gjithë instrumentet me krejt pajisjet përcjellëse, kanë krijuar një lloj rrëmuje të lezetshme.
Por ky imazh shpejt është errësuar. Problemet me energji elektrike kanë qenë parashfaqja e nisjes së kapitullit të ri të Festivalit që fokusin e programit e ka krejtësisht në muzikën jazz. I gjithë stafi është çuar në këmbë për të gjetur zgjidhje në kohën kur, sipas orarit, parashihej të niste koncerti i parë i natës hapëse të edicionit të Festivalit të Jazzit në Prishtinë.
“Patën një problem me rrymën por e ndreqëm shyqyr”, ka thënë Armend Xhaferi në hyrje. “Kërkojmë falje për vonesën”, ka thënë ai, 25 minuta pas kohës së paraparë për nisjen e koncertit.

Dy vjet më parë “Prishtina Jazz Festival” u rikthye për ta vazhduar rrugëtimin që e kishte ndërprerë në vitin 2014. U mbajt për dhjetë edicione prej vitit 2005, themeluar e organizuar nga pianisti i shquar, Ilir Bajri.
Duke e vlerësuar të suksesshme natën e parë të edicionit të 13-të, Armend Xhaferi, ka thënë se ai është platformë për bashkimin e artistëve ndërkombëtarë me ata vendorë.
“Për sjelljen e veprave të reja, sidomos për muzikantët tanë, ideja është që në të njëjtën binë të interpretojnë edhe muzikantët e huaj si nga New Yorku, SHBA-ja, Evropa, por në të njëjtën vend edhe muzikantët e artistët shqiptarë të promovojnë veprat e tyre, në kombinim. Festivali e ka atë qëllim, të bashkohen të gjithë njerëzit dhe të bëhen një, pavarësisht racës, gjinisë a çka do”, ka thënë Xhaferi.
Edhe sivjet, koncertet e dyfishta vijnë në programin e Festivalit. I pari ka qenë i rezervuar për duetin midis pianistit Arben Ramadani dhe iranianit Javid Ardani me instrumentin tradicional persian me emrin “ney”, një lloj flauti me fryrje fundore.
Tingujt e pianos që e kanë hapur kanë qenë një lloj terapie më vete. Që pjesët hyrëse kanë bërë të ditur për jazz bashkëkohor. Është një temë qendrore ku fokusohet vepra, e ajo është tejet melankolike.
Kur pianisti Ramadani përfundon pjesën e tij i hap rrugë lojës solo të instrumentit frymor. Pjesa e parë ka qenë si një lloj mostre për pozitën e tyre në këtë vepër. E kur janë bashkuar, ka shpërthyer magjia.
Instrumenti frymor ka një tingull unik e pozitën qendrore në veprën e parë me lojën improvizuese. Pas një loje të gjatë, të dy instrumentet e gjejnë ritmin tejet harmonik. Instrumenti ney i jep ngjyra orientale. Bëhet fjalë për instrumentin që ka pozitë jetike për muzikën tradicionale persiane, turke, hebraike, arabe e egjiptiane. Në disa nga këto tradita muzikore, ky është i vetmi instrument frymor që përdoret. Sipas të dhënave, është luajtur për më shumë se 4 mijë e 500 vjet, duke datuar që nga Egjipti i lashtë dhe duke e bërë atë një nga instrumentet më të vjetra muzikore që ende janë në përdorim.
Interpretimi ka marrë edhe ngjyra tradicionale kur pianisti ka nxjerrë tinguj nga loja me goditjet e lehta të pjesës sipër pianos e në harmoni të tillë është akorduar edhe “ney”.
Para publikut, pianisti Arben Ramadani, ka thënë se e ka parë të domosdoshme ta përfshijë këtë instrument në veprat e tij.
“Herën e parë që e kam dëgjuar këtë instrument ka qenë fascinues dhe kam menduar se duhet bërë diçka për ta përfshirë”, ka thënë ai.
Muzikanti Javid Ardani ka thënë se ky instrument është goxha i njohur. Është shprehur se kombinimi i muzikës tradicionale të Iranit me muzikën jazz është ideali për të.
“Është instrument tradicional persian i lashtë dhe shumë i famshëm për shkak të Rumit. Poema e parë e tij fillon me një poezi për instrumentin ney. Një pjesë e mirë e asaj që kam performuar, është muzikë tradicionale klasike e Iranit. Disa prej tyre kanë qenë improvizime midis meje dhe Arbenit, por ne të dy kemi interpretuar më parë dhe e njohim njëri-tjetrin. E dinim që mund ta kombinojmë muzikën tradicionale të Iranit me muzikën jazz. Ky kombinim është ideal për mua”, është shprehur ai për KOHËN.

Vepra e radhës ka qenë me titull “Zare”, riaranzhim i këngës “Zare trëndafile” të Tefta Tashkos. Është përfshirë edhe harmonika frymore. Pas lojës në këtë instrument, Ramadani i ka akorduar meloditë tradicionale edhe në piano. E aty nisin edhe partiturat improvizuese si gërshetim i tradicionales me jazz.
Më pas Ramadani ka paralajmëruar një improvizim të lirë në Cis-mol. Ka ngjarë që loja ka buruar aty për aty, nga shkathtësitë e përvoja e dyshes, dashuria për muzikën e gjendja emocionale e momentit.
Pjesa e fundit ka qenë me titull “Po vijnë krushqit”, po ashtu me motive tradicionale.
Për muzikantin iranian Javid Ardani, muzika shqiptare ka shumë të përbashkëta me muzikën e vendit të tij.
“Derisa lëvizim nga Evropa Perëndimore tek ajo Lindore, muzika bëhet me e afërt me Lindjen e Mesme dhe turke. Kuptimi i muzikës shqiptare, për mua, ishte më i lehtë sesa i asaj të pjesës perëndimore të kontinentit evropian. Kam ndier më shumë të përbashkëta midis muzikës iraniane dhe asaj shqiptare, sesa nga ajo e vendeve perëndimore”, është shprehur ai më tej.
Nuk ka munguar humori në skenën e Festivalit të Jazzit në Prishtinë. Përherë ka qenë kësisoj, në secilën prej skenave në të cilat ka zënë vend ky Festival. Përherë energjia e mirë e kualiteti në nivel. Për gjithë këto veçori që ka sjellë me koncertin e parë për këtë edicion, publiku është ngritur në këmbë dhe e ka duartrokitur fort performancën e dyshes. E ata janë kthyer për të hedhur edhe pak magji mbi ta me muzikën e tyre.
Në koncertin e dytë ka performuar “Driton Bejta Quintet” që ka sjellë kontrastet me performancën paraprake. Kitaristi Driton Bejta, udhëheqës i bendit e saksofonisti Arian Randobrava e kanë dominuar fillimin e veprës “Rolling” me të cilën është hapur koncerti i tyre. Ritmin e kanë mbajtur fillimisht tastiera e Ilir Bajrit, bas-kitaristi Fatlind Ferati dhe loja minimale e baterive me Teoman Ukçën. Por rolet kanë ndërruar gjatë tërë kohës duke ardhur në qendër të tjerat.
Veprat e Driton Bejtës kanë vazhduar të prezantohen me “Funky”. Pos shpalosjes së muzikës jazz, Festivali është edhe një lloj platforme ku muzikantët e ndajnë dhe promovojnë krijimtarinë vendore të muzikës.
“Është mirë që edhe në vendet tona po mbahen këto festivale, janë mbajtur edhe më herët, po vazhdon kjo rrugë. Më vjen mirë që edhe unë mora pjesë sivjet me këngët e mia, me materialin tim, edhe pse më parë kam marrë pjesë, por si anëtar i bendeve. Sivjet ka qenë hera e parë si udhëheqës i bendit, ku është prezantuar muzika ime”, ka thënë Bejta.
E vepra “Funky” ka qenë më e gjallë nën ritmet e rrymës muzikore nga e cila edhe emërtohet.
Kënga e radhës ka qenë një lloj ndërlidhje e bluesit me kabanë e Shqipërisë së Jugut. Bejta në skenë ka thënë se “blues ka lindur në New Orleans dhe kënga quhet ‘Vallja e New Orleans’”.
Për gërshetimin e gjithë frymëve muzikore në jazz, Bejta ka thënë se ky zhanër është i hapur për rryma të reja brenda jazzit.
“Është një thënie që ‘jazzi është demokratik’, në kuptimin që është i hapur edhe për rryma të reja brenda jazzit në kuptimin e përparimit dhe zhvillimit, gjithashtu edhe kombinimet me zhanret tjera. Është një parim që funksionon shumë mirë nëse kombinohet me zhanret tjera. Në këtë rast unë e kam kombinuar me muzikën tonë, t’i themi ballkanike ose orientale pak a shumë, por me motive shqipe”, është shprehur ai.

Hyrja ka qenë me bas-kitarë solo. Kabaja bëhet më e qartë me ndërhyrjen e lehtë të saksofonit. E më pas edhe kitarat akordohen për tinguj tradicionalë. Tastiera merr konotacionet e tingujve të ksilofonit të cilat ndërhyjnë lehtë në vepër. Ritmet janë të paparashikueshme, siç ngjan e është karakteristikë e jazzit.
Bajri ka luajtur në piano për veprën e radhës. Ka qenë balada “Someone like me” e më pas edhe përpunimi i këngës “A del për mu pranvera”. E, një lloj loje me titull që ka ngjallur të qeshura, është bërë te vepra “Hendrixi me shahir”.
“Për nga agresiviteti i muzikës dhe energjia që është ‘rock ‘n roll’ ndoshta me Jimmy Hendrix si simbol, nëse muzika jonë do krahasohej, mendoj se shahirat e kanë atë. Kanë dalë një gërshetim dhe ia kam lënë emrin ‘Hendrixi me shahir’”, ka shpjeguar Bejta.
E përmbyllja është bërë me njëfarë kaosi muzikor që sipas autorit të veprës, e ka gjetur Prishtinën në të. E ka quajtur “Hometown” veprën e gjallë, të zëshme e me tinguj kaotikë.
Në natën hapëse, ulëset kanë qenë të rezervuara për kryeministrin, ministrin në detyrë të Kulturës dhe kryetarin e Prishtinës, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm.