Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Projektligji rrit dhe fuqizon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Sheshi "Xhorxh Bush"

Detyrë primare e Inspektoratit Qendror të Trashëgimisë Kulturore mbetet mbikëqyrja e zbatimin e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, të urdhërojë ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, e po ashtu të ndërmarrë veprime konkrete

Me dy inspektorë kur u themelua më 2018, as sa ka edhe tash, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore i bie barra e mbikëqyrjes dhe inspektimit të ligjshmërisë në raport me ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore në krejt territorin e Kosovës. Por me Projektligjin e ri, situata do të ndryshojë. Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ky organ do të shndërrohet në agjenci, dhe do të gëzojë kompetenca që tash s’i posedon. Inspektorati pritet të ketë degë nëpër qytete të tjera, e po ashtu do të ketë edhe kompetenca të inspektimit të lejeve që lëshojnë institucionet e trashëgimisë kulturore

Shteti synon që Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ta dërgojë në nivel tjetër si për nga rangimi institucional, e po ashtu edhe për nga kompetencat. Ministria e Kulturës ka sponsorizuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet të cilit, Inspektorati do të jetë agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë dhe do të gëzojë kompetenca që tash s’i posedon. Me miratimin e këtij Projektligji në Qeveri, të hënën, i është hapur rrugë dërgimit të këtij akti në Kuvend. 

Si përcaktim ligjor i Ligjit për trashëgimi kulturore, i miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin në shkurtin e vitit 2018. Inspektorati me seli në Prishtinë vazhdon të ketë kompetenca të inspektimit të ligjshmërisë në raport me ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore. Ndalon punimet që pa leje ndërhyjnë në zonat e mbrojtura ose në perimetër të monumenteve, e po ashtu punimet që nuk u përmbahen lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 
Por me Projektligjin e ri, situata do të ndryshojë. Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin në versionin që i është dërguar, Inspektorati pritet të ketë degë nëpër qytete të tjera, e po ashtu do të ketë edhe kompetenca të inspektimit të lejeve që lëshojnë institucionet e trashëgimisë kulturore. 
Projektligji i hartuar qysh më 2024 përcakton se IQTK themelohet si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë, ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale. Sipas Projektligjit, degët lokale të IQTK-së mund të përfshijnë territorin e një ose më shumë komunave. S’përcaktohet saktë se si do të organizohen degët, në kuadër të regjioneve apo komunave. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

IQTK është përgjegjës për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 

Detyrë primare e Inspektoratit mbetet mbikëqyrja e zbatimin e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, të urdhërojë ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, e po ashtu të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave në rastet e punimeve të paautorizuara me të cilat dëmtohen asetet e trashëgimisë kulturore. Në raste të tilla mund të iniciojë procedura të kundërvajtjes apo procedura penale ndaj personave që kanë dëmtuar apo shkatërruar asetet e trashëgimisë kulturore. 

Neni 6 i Projektligjit ku flitet për inspektimin e akteve për zhvillime ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore zgjeron kompetencat e Inspektoratit aktual. 
“IQTK mund të inspektojë nxjerrjen e akteve me të cilat lejohen ndërhyrje ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, nëse për të njëjtat janë respektuar procedurat sipas dispozitave të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në pikën e parë të këtij neni. E pika e dytë sqaron se nëse konstatohet se leja është lëshuar në shpërputhje të dispozitave ligjore në fuqi, “IQTK nxjerr vendim me të cilin e obligon nëpunësin e organit kompetent që të pezullojë apo shfuqizojë lejen përkatëse brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor”.
“Mosrespektimi i vendimit si në paragrafin 2 të këtij neni, përbën shkak për inicim të procedurës penale dhe/apo kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës”, shkruhet në pikën e 3-të. 

Sa i përket organizimit të brendshëm të Agjencisë, ka ngelur që të rregullohet më një akt nënligjor. 
IQTK do të udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv i cili gjithashtu është kryeinspektor i këtij Inspektorati. Drejtori do të ketë statusin e nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues sipas ligjit përkatës për zyrtarët publikë. Kurse përzgjedhja dhe emërimi i drejtorit ekzekutiv të IQTK-së bëhet në pajtim me rregullat e përcaktuara për kategorinë e lartë drejtuese të nëpunësve civil sipas legjislacionit përkatës për zyrtarët publikë.

“Nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Ministri ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të IQTK-së në pajtim me   legjislacionin në fuqi”, përcakton Projektligji.
Përderisa mbikëqyrëse e punës së Inspektoratit është Ministria e Kulturës, sipas Projektligjit me 13 nene, deri në hyrjen në fuqi të akteve nënligjore që burojnë nga ky Projektligj, zbatohet Rregullorja përkatëse për kompetencat, autorizimet dhe procedurat e inspektimit dhe ankesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. 

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, pas miratimit të Projektligjit në mbledhjen e Qeverisë, ka njoftuar se “u miratua Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore”.

“Me këtë ligj po e forcojmë sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe po rrisim kapacitetet inspektuese në terren. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore po ngrihet në nivel të një Agjencie ekzekutive, duke u bërë më funksional dhe më i fuqishëm në punën e tij. Ky është një hap konkret për mbrojtje më të mirë të monumenteve tona dhe për një qasje më të koordinuar mes institucioneve qendrore dhe lokale, në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Vazhdojmë me reforma që e forcojnë shtetin dhe e mbrojnë kujtesën tonë historike”, ka njoftuar ministrja Bogujevci. 
Drejtuesi i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, Sali Shoshi, ka thënë se Inspektorati në gjendjen e tanishme, ka burime të kufizuara njerëzore, duke mos qenë efikas në inspektimin e zhvillimeve në trashëgiminë kulturore dhe rreth saj. 

“Draftligji i ri është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin se shton kompetencat e Inspektoratit, definon rolin dhe rrit rëndësinë e këtij institucioni. Është tepër e domosdoshme që, pas miratimit të ligjit, institucionet të angazhohen në funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, në mënyrë që ai të përballet me sfidat. Trashëgimia kulturore vazhdon të jetë e sfiduar nga zhvillimet urbane dhe ndërhyrjet ilegale që cenojnë integritetin dhe autenticitetin e aseteve kulturore”, ka thënë ai. 

Kur u themelua më 2018 në periudhën kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga ministri Kujtim Gashi, ITK-ja nisi punën me dy inspektorë, Labëri Dakaj dhe Pajtim Zogaj të cilët vazhdojnë të jenë të vetmit inspektorë që kanë nën mbikëqyrje krejt komunat e vendit, ani se kohë pas kohe ka pasur edhe një inspektor të tretë por jo gjatë. Vazhdimisht është kërkuar që të shtohet numri i punonjësve po një gjë e tillë nuk është bërë dhe s’ka ende plan konkret pune që do të mbështesë Projektligjin e ri nëse hyn në fuqi nga Kuvendi i Kosovës.