Me kumtesa nga dy seancat e historisë, “Java e Albanologjisë” ka përmbyllur treditëshin e saj të sivjetmë në edicionin e 12-të me radhë. Në fokus të shumicës së kumtesave nga sesioni i historisë ka qenë mendimi historik në publicistikën shqiptare të dy shekujve të fundit, duke iu qasur pyetjeve se sa ka ndikuar ajo në formimin e mendimit historik shqiptar, cilat janë pikat e saj përbashkuese në perceptimin e tanishëm të së kaluarës, si dhe dallimet e saj me disa nga tezat e asaj etape
“Kosova e bukurë, Kosova trimnore, Kosova me famë është bërë rëmujë! Ç’kishte shpëtuar nga topat e Turgut Pashës, u bë rëmujë sot nga topat e barbarëvet dhe egërsiravet Sërbë!”. Me këtë ton indinjate e dhembjeje, Mihal Grameno e përshkruante pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë serbe në vjeshtën e vitit 1912.
Në shkrimin me titull “Vajto e ngrata Shqipëri!”, të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, bashkëluftëtari i Çerçiz Topullit dhe veprimtari i njohur i kauzës kombëtare shprehte revoltën ndaj Evropës që po qëndronte e shurdhër ndaj “kësaj barbarizme”.
Duke qenë gazetë zyrtare, “Përlindja e Shqipëniës” i bënte të njohura qëndrimet zyrtare të qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur për tokat që u pushtuan nga shtetet fqinje.
Shkëputja e publicistikës shqiptare të dy shekujve të kaluar e mendimi historik brenda tyre kanë përbashkuar shumicën e kumtesave të lexuara në ditën e tretë të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik.
Në seancën e historisë të mbajtur paraditen e së mërkurës, studiues e referues nga Kosova e Shqipëria kanë sjellë perspektiva të ndryshme për temën qendrore “Mendimi historik në publicistikën shqiptare të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX”.
“Historia e publicistika, betejë përplasjesh”
Në hapje të kësaj seance, historiani Memli Krasniqi ka shpjeguar arsyet e përcaktimit për një temë si kjo.
Sipas tij, me shpërthimin e Krizës Lindore nisi etapa e dytë e dëbimit të Perandorisë Osmane nga Evropa, si dhe zbatimi i politikave të spastrimit etnik nga ana e shteteve të reja.
“Krijimi i shteteve kombëtare të ngritura në rrënojat e Perandorisë Osmane lindi nevojën për t’i mbështetur edhe historikisht kërkesat për kufij të rinj dhe arsyetimin e politikës së spastrimit etnik”, ka thënë ai.
Kështu, ka vijuar Krasniqi, fushë e betejës u bënë edhe historia e publicistika e kohës.
“Rrjedhimisht, nga periudha e Lidhjes së Prizrenit e deri në dëbimin e Perandorisë Osmane nga Evropa, rilindësit tanë janë përpjekur që duke shfrytëzuar të kaluarën e lashtë, e sidomos periudhën e luftës së Gjergj Kastriotit kundër Perandorisë Osmane, nëpërmjet fjalës së shkruar të ndërgjegjësojnë në radhë të parë shqiptarët e së dyti të pengojnë rënien e shqiptarëve së bashku me Perandorinë Osmane”.
Kosova në vështrimin e gazetës së parë në Shqipërinë e pavarur
“Përlindja e Shqipëniës” nxori numrin e saj të parë më 24 gusht 1913, duke u bërë kështu e para gazetë e Shqipërisë së mëvetësishme. Me një analizë të gazetës që pati 56 numra, studiuesi Lulëzim Lajçi ka shkoqitur ato pjesë që japin një kronikë të mizorive të pushtuesve serbë e grekë ndaj civilëve shqiptarë që mbetën jashtë kufijve të shtetit të pavarur.
“Misioni i kësaj gazete u shpall që në titull si ‘organ për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve’, pasi që shumica e artikujve ishin politikë dhe i kushtoheshin mbrojtjes së të drejtave kombëtare sipas këndvështrimit të Qeverisë së Ismail Qemalit”, ka thënë Lajçi teksa ka lexuar kumtesën e tij “’Përlindja e Shqipëniës’ kronikë mbi mizoritë e pushtuesve serbë e grekë mbi popullsinë civile të trojeve të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar”.
Shtypi shqiptar në përballje me propagandën greke
Në Stambollin perandorak në kohën e liberalizimit kohëshkurtër të miratimit të Kushtetutës (1908) u botuan disa gazeta, si “E vërteta”, “Besa” dhe “Shqiptari” nën redaktimin e patriotit të madh shqiptar nga Ohri, Dervish Hima.
Duke iu rikthyer numrave të gazetës “E vërteta”, studiuesi Shpend Avdiu ka sjellë shkëputje të saj editoriale për çështje të ndryshme.
“Në programin e saj kjo gazetë kishte ngritjen e zërit që kombi shqiptar të kishte të njëjtat të drejta si kombet e tjera”, ka thënë Avdiu teksa ka lexuar kumtesën e tij “Roli i Kishës Greke në Shqipëri sipas gazetës ‘E vërteta’ të Stambollit (1911)”.
Ai ka vënë në dukje se në të shumtën e herëve kjo gazetë në numrat e saj u kundërvihej propagandave të huaja, veçanërisht asaj greke.
“Në numrat e kësaj gazete akuzohej kleri grek se qëllim të vetëm kishte përhapjen e helenizmit”, ka thënë Avdiu.
Duke përmendur edhe rastin e një arhimandritit grek të Korçës që ngulmonte se Krishti kishte qenë grek, ai ka shtuar se në qëndrimet editoriale kjo gazetë akuzonte edhe indiferencën e qeverisë osmane kundrejt propagandës greke.
“Patrikana e kleri e kishin si qëllim të vetëm politikën, madje kishin mallkuar çdo peshkop që kishte ndjenja kombëtare shqiptare”, ka thënë ai.
“Shqiptarët, të dallueshëm në tekstet shkollore osmane”
Tekstet kurrikulare të shkollave në Perandorinë Osmane pasqyronin edhe rrymimet kryesore ideologjike që e përshkuan shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Më së miri këtë e kishte vënë në dukje themeluesi i nacionalizmit turk, Yusuf Akçura (1876-1935): sipas tij, në periudhën e Tanzimatit u provua të krijohej populli osman, në atë të Abdyl Hamitit populli islam, kurse pas 1908-s populli turk.
Kjo larushi ideologjish është shkoqitur në kumtesën interesante të historianit, Hasan Bello “Moderniteti dhe ideologjia në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane nga shek. XIX deri në fillim të shek. XX: Shqipëria dhe shqiptarët në tekstet e shkollave osmane”.
“Tekstet e para filluan të shtypen në vitet 1870, e në atë kohë filloi të propagandohej politika panislamiste”, ka thënë Bello.
Duke lexuar në mënyrë të shkurtuar kumtesën, Bello është ndalur edhe tek ato tekste që zënë në gojë Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Sado që në tekste shkollore nuk flitej hapur për raca e kombe, në raste të veçanta, si fjala vjen teksti i gjeografisë osmane, trajtoheshin edhe mikpritja e bujaria shqiptare”, ka thënë Bello.
Rezistenca shqiptare nën kryesimin e Skënderbeut gjatë ekspansionit osman zihej në gojë edhe në tekstin e parë shkollor që përmblidhte historinë osmane.
“Shqipëria si koncept gjeografik e etnolinguistik është trajtuar e përkufizuar qartë”, ka thënë mes tjerash Bello.
Arkeologjia – një mjet për idenë kombëtare
Interesimet për arkeologjinë kishin filluar qysh në shekujt e Renesancës nga koleksionistë të ndryshëm, ani pse ata tërhiqeshin nga antikuarët pas bukurisë së tyre e jo vlerës historike. Me fillimin e nacionalizmit si ideologji, arkeologjia kishte marrë një rol të paparë. Në këto linja është shpalosur kumtesa e arkeologes Zana Hoxha, me titull “Arkeologjia dhe nacionalizmi: Shtypi si mjet promovues”.
“Kjo dëshmohet sidomos në rastin e Greqisë ku filloi me pastrimin e peizazhit, me theksimin e gjurmëve materiale të epokës klasike, si dhe zbulimin e lokaliteteve arkeologjike”, ka thënë Hoxha.
Duke cituar autorë që kanë studiuar instrumentalizimin e arkeologjisë nga politikat nacionaliste, ajo ka theksuar se kjo shkencë është shndërruar në një vegël thelbësore për prodhimin e të vërtetave.
Hoxha, po ashtu, ka përmendur raste të interesimit për arkeologjinë në shtypin e publicistikës shqiptare, duke vënë në dukje rastin e revistës “Hylli i Dritës”.
“Shtypi ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin për të kaluarën e popullit tonë. Është e qartë se edhe në këtë rast është përdorur e kaluara e largët si vegël për promovimin e idesë kombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.
Në këtë seancë për shkak të mungesës nuk janë lexuar edhe kumtesat që ishin paraparë në program: Naser Ferri “Fillesat e trajtimit historik të lashtësisë së Dardanisë”, Anton Pançev “Viset e Kosovës së sotme në strategjinë serbe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX” dhe Sibel Akova “Reflections of the Albanian Revolts on the Ottoman Press”.
Me seancën e dytë të historisë, me kumtesat e Memli Krasniqit, Nuridin Ahmetit, Albnora Musës, Arianit Buqincës, Elza Shipolit dhe Nutrika Lajçit, “Java e Albanologjisë” ka mbyllur edicionin e saj të sivjetmë, të dymbëdhjetin me radhë.
Për tri ditë radhazi, aktiviteti i parë i IAP-it për këtë vit, nëpërmjet 85 prurjeve e kumtesave të reja nga fushat e gjuhësisë, historisë, etnologjisë, folklorit e letërsisë, ka ribashkuar albanologë nga vendi e rajoni.