Ani pse është 116 vjet e vjetër, “Puthja” e mjeshtrit Gustav Klimt vazhdon të inspirojë gjithandej. Te kjo kryevepër e ka gjetur inspirimin edhe Nermin Shurdha, artiste nga Shkodra, e cila këtë pikturë e rikrijoi në një mënyrë krejt të veçantë duke e veshur atë me simbolika tradicionale shqiptare. Njësoj e inspiruar prej simbolistit austriak vishet me kostume shqiptare edhe te një vepër e artistes nga Koreja e Jugut, Kim Sin-ae
Në radhë të kryeveprave të shekullit XX në pikturë, në vendet e para të listës zë vend edhe “Puthja” (The Kiss) e piktorit austriak Gustav Klimt. Piktura e cila mendohet se është një autoportret i piktorit me partneren e tij, Emilie Flöge, ka tërhequr prapa vetes shumë histori kontroverse të cilat krahas bukurisë estetike të saj si kompozicion i vajit në pëlhurë bashkë me fletë ari dhe argjendi i ka shtuar dhe një element misteri, që e pasuron dhe më shumë atë. E ky karakter tërheqës i saj ka nxitur shumë artistë që ta rikrijojnë atë, disa në një përpjekje për t’iu afruar sa më shumë origjinales e disa duke u frymëzuar nga ajo i japin një kah krejt tjetër. Vazhdon të inspirojë edhe 116 vjet pas realizimit.
Te kjo kryevepër e ka gjetur inspirimin edhe Nermin Shurdha, artiste nga Shkodra e cila këtë pikturë e rikrijoi në një mënyrë krejt të veçantë duke e veshur atë me simbolika tradicionale shqiptare. Por “Puthja...” inspiruar prej Klimtit, vishet me kostume shqiptare edhe te një vepër e artistes nga Koreja e Jugut, Kim Sin-ae.
Surdha thjesht e ka quajtur “Puthja shqiptare” dhe i jep prekjen origjinale të saj duke inkorporuar elemente të ndryshme kulturore në të. Jetësimi i kësaj vepre e cila paraqitet si një mural i punuar nga artistja kishte nisur në një periudhë ironikisht inspiruese për të gjithë.
“’The Kiss’ ka qenë gjithmonë një pikturë që e kam pëlqyer shumë, si çdo vepër të Klimt, por gjatë periudhës së karantinës, në 2020 ishim të mbyllur e dilnim me orare të reduktuara, atëherë me lindi ideja me e ‘vesh’ këtë pikturë të famshme me teshat tradicionale shqiptare”, është shprehur Shurdha në një prononcim për KOHËN.

Ajo është kujdesur që ky rikrijim i saj i cili merr përmasat e një murali të punuar nga ngjyrat akrilik, të veçohet nga piktura origjinale me disa detaje unike.
“Para fillimit të pikturës u konsultova me disa shokë të mi për punën e veshjes, se veshjen e cilës krahinë do ta përdorja dhe meqë kam simpati të veçantë për zonën e Malësisë së Madhe, u përqendrova ma shumë te xhubleta e asaj zone. Përveç veshjes, dëshiroja që edhe vetë karakteri i vajzës në pikturë të ishte pak ma ‘shqiptare’, e si rrjedhoje e kam ba me një sy skeptik, sikur nuk asht’ krejt e bindun për puthjen që po merr”, ka thënë artistja duke shtuar se në kohën kur ajo kishte publikuar këtë punim të sajin kishte marrë famë dhe si rezultat kishte pasur shumë të interesuar që ta shihnin atë nga afër.
“Ende sot vazhdojnë të më vijnë shumë mesazhe nga njerëz që i njoh e nuk i njoh, duke me tregu që këtë pikturë e kanë printu si poster të madh dhe e kanë vendos në sallonet e shpive të tyne, sidomos emigrantët që jetojnë kryesisht në Amerikë, prej tyne marr ma së shumti mesazhe e komplimente për këtë pikturë”, ka shtuar Shurdha.

Në periudhën e njëjtë, e inspiruar në kohë pandemie veproi ngjashëm dhe artistja nga Koreja e Jugut, Kim Sin-ae, e cila rikrijoi shumë versione të pikturës origjinale përmes artit digjital.
Ne këto ilustrime digjitale ajo shfaq pasurinë e kulturave të ndryshme nëpër botë përmes detajeve të veshjeve tradicionale, por takimi i saj me pikturën origjinale të Klimtit kishte qenë një moment i cili e kishte shtyrë atë të ndërmerrte këtë hap.
“Kur e kam vizituar muzeun Belvedere në Vjenë për të parë veprat e Klimtit, jam mahnitur nga ‘The Kiss’. Ajo pikturë përçonte një aurë të ngrohtë” kishte thënë muaj më parë Kim për revistën amerikane “Wired”.
Nga ajo vizitë rezultoi dhe koleksioni i saj me NFT (Non-fungible tokens) i cili përfshin 40 ilustrime digjitale të cilat paraqesin po aq versione të rikrijimit të “The Kiss”.
“Unë e dija se kjo punë e imja do pëlqehej pasi që njerëzit janë të prirë të ndihen rehat me gjërat që veç se i njohin. ‘The Kiss’ është po ashtu e famshme dhe të gjithë e njohin”, kishte shtuar ajo.
Riinterpretimin e saj në versionin e Shqipërisë të NFT-së ajo ka zgjedhur që në të subjektet t’i veshë me veshje tradicionale shqiptare: burrin me fustanellë dhe jelek tradicional, bashkë me detajin e shqiponjës në të dhe gruan të veshur me veshjen tradicionale hasiane. Kjo lidhje bëhet e tillë edhe si një shkrirje e krahinave përmes veshjes, Gegërisë dhe Toskërisë duke u “puthur”.