Kulturë

“Reagimi i përsosur” ndjek siluetat në lojë me dritën

Reagimet e thella njerëzore të veshura me emocione përkthehen në imazhe nëpërmjet intervenimeve të artistit Fitim Haziri, i cili publikun e fut në botën e tij. Aty trajtohet nënvetëdijshëm ndërveprimi dinamik mes trupit dhe mendjes, kimikes dhe fizikes. Me “Perfect Reaction” ai tenton të vizualizojë trafikun që ngjan në mendjen e njeriut, prek instinktin njerëzor me dimensione të ndryshme artistike, por të përbashkët kanë ngjyrën e kaltër, e cila i jep një frymë unifikuese ekspozitës

“Reagimi i përsosur” futet në një lloj laboratori në kërkim të vetvetes, realizuar nga një analizë artistike që Fitim Haziri ia bën teknikës së vizatimit si dimension arti. E përdor atë në mënyra jokonvencionale me forma të çrregullta, luan me lëvizjet lineare të lapsit me ngjyrë, inkuadron edhe forma gjeometrike që në disa vepra përsëriten e diku tjetër janë ekskluzive. Krejt këto lëvizje me laps që artisti ka vendosur t’i jetësojë në veprat e tij të bashkuara në “Perfect Reaction” krijon përshtypjen e një vizualizimi të procesit të mendimit të vetë autorit. Dy katet e hapësirave të “Shtëpisë së Evropës” në Prishtinë janë rezervuar për botën e tij.

Foajeu u bë shtëpi e pikturave e printimeve të tij, ndërkaq kati përdhes me hapësirën e destinuar për ekspozim u ka bërë vend atyre që janë cilësuar si skulptura, e që shpalosen si metaforë e depërtimit në një shkallë më të thellë të mendjes së tij artistike.

Elementi që theksohet në të gjitha veprat e artistit të ri është loja me siluetat e njerëzve, të cilat i bën pjesë integrale të veprave duke ua veshur një karakter diskret, i cili lejon observuesin që t’i interpretojë ato sipas këndvështrimit personal.

Në pesë skulpturat të cilat qëndrojnë si struktura që ngjasojnë me korniza interaktive, të cilat ekspozojnë vizatimet të mbështetura nga loja me dritë, autori e bën publikun pjesë të ekspozitës jo vetëm si shikues, por u jep edhe mundësinë që të “intervenojnë” duke lëvizur strukturat metalike ku gjenden vizatimet. Kësisoj mundëson manipulimin me dritën dhe projektimin unik që realizohet në tavanin e sallës ekspozuese.

Për vetë artistin ky është një cikël veprash, i cili ka buruar nga një këndvështrim i thellë personal ndaj aspekteve rrethanore, e si i tillë rezultoi dhe në një mënyrë ekspozimi të veçantë.

“Ky cikël është rezultat i një pune njëvjeçare e gjysmë, është një cikël vizatimesh ku kam punuar kryesisht me siluetat, dhe jam munduar që idenë e instinktit të brendshëm ta nxjerr si një siluetë të njeriut dhe kështu kemi ardhur dhe deri tek emri ‘Reagimi i përsosur’, pasi që çdo reagim, çdo tentim për ta paraqit një të vërtetë të idesë që e kam pasur në mendje, shfaqej në mënyrë perfekte, që më pëlqente. Një mënyrë sureale, e cila më bënte të ndihesha mirë kur reflektohej imazhi”, ka thënë Haziri, i cili rrugën e tij në art e nisi i inspiruar prej pasionit të prindërve për fotografi, për të vazhduar pas me studimet për dizajnin industrial, artin konceptual dhe mediat e reja në Kolegjin UBT. “Reagimi...” është ekspozita e parë personale e tij.

Image
Foajeu u bë shtëpi e pikurave e printimeve të Fitim Hazirit

“Fija e përbashkët në mediume të ndryshme e natyrës instinktive të vizatimit, qoftë në letër, në mënyrë digjitale ose me ngjyrë, përdorimi i qëllimshëm i një ose dy ngjyrave në imazhe simbolizojnë konvergjencën e trupit dhe mendjes, duke i dhënë një cilësi të qetë portretizimit të siluetave njerëzore. Pjesa qendrore e ekspozitës, ‘Perfect Reaction’, zhyt shikuesit në një ndërveprim dinamik midis trupit dhe mendjes. Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme, shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltra – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme”, shkruhet ndër të tjera në konceptin kuratorial të kuratorëve të kësaj ekspozite, Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka.

Kuratorët e ekspozitës e kishin nisur bashkëpunimin me Hazirin me idenë që kjo ekspozitë të përmbante edhe vepra të vjetra të realizuara nga ai, krahas atyre të punuara rishtazi.

“Meqenëse është ekspozita e tij e parë personale, jemi preokupuar me idenë se si ta mbërthejmë krejt punën e Fitimit në një ekspozitë. Ideja e ekspozitës ka qenë inkuadrimi i disa punëve të vjetra si disa piktura dhe grafika, ndërkaq skulpturat e tij dhe vizatimet në to janë të punuara nga Fitimi për këtë ekspozitë, duke i lidhur bashkë me veprat e mëhershme. Mbi të gjitha ideja e tij është që shikuesin ta bëjmë pjesë pa e vërejtur vizitori, me anë të dritës dhe hijes vetë vizitori bëhet pjesë e ekspozitës”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Shkamb Jaka.

Për Jakën karakteri personal që artisti e ngarkon te veprat e tij ka qenë nxitje e mirë që përmes konceptit kuratorial ato të rezonojnë Edhe jashtë personales së artistit.

“Puna e Fitimit është shumë personale, ai punon disa silueta të njerëzve që janë shumë personale për të. Por mënyra se si kemi punuar unë dhe Laureta në paraqitjen e veprave ë tij ka qenë ideja e përfshirjes së publikut, t’ia japim edhe aspektin kolektiv, pasi që Fitimi e vendos vetë publikun si pjesë të instalimit”, ka shtuar Jaka.

Teknikat që përdor Haziri pasqyrojnë mjeshtërisht identitetin e tij artistik. Në shikim të parë kompozicionet e tij japin përshtypjen e disa veprave ku intervenimi është linear, por në fakt aty artisti krijon kakofoni lëvizjesh, të cilat shërbejnë si pasqyrë e mendjes së tij. Ai rrëfen për shikuesit një narrativë e cila dërgon në një udhëtim të nuancuar nga notat sureale, duke kapërcyer realitetin gjatë soditjes së veprave të tij. Deri sa drita qëndron si elementi kryesor i cili dikton paraqitjen e vizatimeve të tij.

Vetë artisti identitetin e tij artistik e sheh si jokonvencional të pakornizuar, duke lëvruar lirshëm me dimensione të ndryshme artistike.

“Jam multidisiplinar në teknika, nuk është që rri rehat vetëm në një teknikë. Tentoj të eksperimentoj varësisht nga ideja apo tema. Këta dy vjetët e fundit jam më i preokupuar me eksperimentim në pëlhurë, print dhe me lojën me dritë”, ka thënë Haziri. Bota e tij mund të eksplorohet në “Shtëpinë e Evropës” deri më 30 prill.