Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Shame and Money” merr trofeun në Munih, niset për Kalrovy Vary

Skenë nga “Shame and Money”

Skenë nga “Shame and Money”

Në garë me filma emrash të mëdhenj që vijnë nga festivale si ai i Cannes apo “Berlinalja”, filmi i Kosovës “Shame and Money” nën regji të Visar Morinës, ka marrë çmimin kryesor “CineMasters Award”. “Sot kemi marrë lajmin që ka fituar çmimin. Në atë konkurrencë ka pasur goxha filma në emër që kanë qenë pjesëmarrës në festivalet më të mëdha si në Cannes, në Berlin, të regjisorëve të mëdhenj. Prandaj edhe quhet ‘CineMasters’. Në atë seksion ka fituar si filmi më i mirë”, ka thënë aktori Astrit Kabashi i cili luan rolin kryesor. Duke mbyllur kapitullin në Munih, “Shame…” është nisur në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

 

Pas suksesit historik në Festivalin e Filmit në Sundance, rrugëtimi ndërkombëtar i filmit “Shame and Money” nën regji të Visar Morinës ka shënuar sukses të rëndësishëm. Është shpallur filmi më i mirë në edicionin e 43-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Munih duke marrë çmimin kryesor “CineMasters Award”. Çmimi u nda në mbyllje të festivalit i cili u mbajt prej 26 qershorit dhe mbyllet zyrtarisht të dielën e 5 korrikut, në ditën e cila filmin e Kosovës e gjen në edicionin e 60-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary të Çekisë.

Triumfi në Festivalin e Munihut – i cili sivjet solli rreth 200 filma nga e gjithë bota – vjen rreth gjashtë muaj pasi filmi mori Çmimin e Madh të Jurisë në premierën e tij botërore në Festivalin e Filmit në Sundance. Në festivalin që u zhvillua në qytetin e tretë gjerman për nga madhësia, ka garuar në seksionin më prestigjioz të festivalit, “CineMasters” ku përballë kishte emra të mëdhenj të kinemasë botërore. Në mesin e konkurrentëve ishin filmat “All of a Sudden” i regjisorit japonez Ryûsuke Hamaguchi, “Gentle Monster” i austriakes Marie Kreutzer, “La Libertad Doble” i argjentinasit Lisandro Alonso, si dhe vepra të tjera që kishin mbërritur në Munih pas premierave në Cannes, Venecia dhe festivale të tjera të mëdha ndërkombëtare.

Ky vlerësim shoqërohet edhe me shpërblimin prej 15 mijë eurosh për producentët e filmit.

Aktori Astrit Kabashi, i cili portretizon kryeprotagonistin e filmit, Shabanin, ka thënë se konkurrenca ka qenë e fortë.

“Sot kemi marrë lajmin që ka fituar çmimin. Në atë konkurrencë ka pasur goxha filma në emër që kanë qenë pjesëmarrës në festivalet më të mëdha si në Cannes, në Berlin, të regjisorëve të mëdhenj. Prandaj edhe quhet ‘CineMasters’. Në atë seksion ka fituar si filmi më i mirë”, ka thënë Kabashi për KOHËN. 

Triumfi në Festivalin e Munihut – i cili sivjet solli rreth 200 filma nga e gjithë bota – vjen rreth gjashtë muaj pasi filmi mori Çmimin e Madh të Jurisë në premierën e tij botërore në Festivalin e Filmit në Sundance

Sipas tij, rrugëtimi në festivalet më prestigjioze botërore ka rëndësi jo vetëm për filmin, por edhe për të gjithë kinematografinë vendore.

“Është shumë e rëndësishme edhe për filmin, edhe për mua si aktor, të shfaqet nëpër festivale prestigjioze, shumë të mëdha, siç është Karlovy Vary, siç është “Sundance”, festivali i Munihut. Në gusht do të jemi në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe në shumë festivale të mëdha. Për të gjithë ekipin është e rëndësishme, sikurse edhe për kinematografinë tonë, sepse shumica e ekipit, të mos them të gjithë aktorët, janë nga Kosova. Është shumë e rëndësishme kur shfaqemi në këto festivale kaq të mëdha”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

Në Festivalin e Munihut, “Shame and Money” pati dy shfaqje zyrtare në kuadër të garës “CineMasters”. Filmi u shfaq fillimisht më 28 qershor në sallën “ASTOR Film Lounge im ARRI”, ndërsa shfaqja e dytë u mbajt më 3 korrik në “CINEMA Filmtheater”. Pas shpalljes fitues, ai është programuar edhe për një shfaqje speciale si filmi laureat i festivalit.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Munih është festivali i dytë më i madh i filmit në Gjermani, i radhitur menjëherë pas “Berlinales”, dhe, siç shkruhet për të, shërben si platforma kryesore verore për zbulimet kinematografike. Ai mbahet çdo vit nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, duke mbledhur mbi 65 mijë vizitorë dhe qindra profesionistë të industrisë.

Kabashi nuk ka mundur të marrë pjesë në festival për shkaqe shëndetësore, por në Munih ka qenë një ekip i filmit, përfshirë edhe regjisorin Visar Morina.

Kabashi ka thënë se në bazë të informacioneve që ka nga ky ekip, filmi ka marrë kritika pozitive dhe ka zgjuar kureshtje pas fitores në “Sundance”.

“Është pritur jashtëzakonisht mirë dhe me kureshtje shumë të madhe sepse filmi fitoi në ‘Sundance’ çmimin më të madh atje. Normalisht që edhe publiku gjerman e ka pritur me kureshtje shumë të madhe. Kështu të paktën na është thënë”, ka thënë ai.

Roli i Kabashit e drejton rrëfimin drejt kryqëzimit të zgjedhjes midis krenarisë dhe mbijetesës.

Pas Munihut, “Shame and Money” në Festivalin e Karlovy Varyt në Çeki që u hap zyrtarisht më 3 korrik dhe zgjat deri më 11, garon në kategorinë “Horizons”. Në kuadër të programit të këtij festivali, filmi është formatuar për t’u shfaqur të dielën, të hënën dhe të premten.

E në muajin gusht është paralajmëruar edhe pjesëmarrja në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

“Shame and Money” pati premierën botërore në edicionin e 42-të të Festivalit në Sundance, ku u vlerësua me Çmimin e Madh të Jurisë në konkurrencën ndërkombëtare e me këtë u rikonfirmua suksesi i kinematografisë së Kosovës në ngjarjen madhore të filmit ku vulën e vet e la edhe më 2021, “Zgjoi” i Blerta Bashollit i cili u bë filmi i parë në historinë e festivalit që mori Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Publikut dhe atë për Regjinë më të mirë.

“Shame...” si bashkëprodhim i Gjermanisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Sllovenisë, ndërton një dramë të fuqishme sociale mbi pasojat që lë migrimi ekonomik, varfëria dhe degradimi i dinjitetit njerëzor në një shoqëri ku mbijetesa shpesh bëhet më e rëndësishme se vetë njeriu.

Astrit Kabashi si Shabani, kryefamiljari tradicional e krenar, duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë. Në shpjegimin e tematikës shkruhet se krenaria e tij hijezohet vazhdimisht dhe se dinjiteti i tij rrëshqet. Roli i Kabashit e drejton rrëfimin drejt kryqëzimit të zgjedhjes midis krenarisë dhe mbijetesës. Është portretizim “i punuar mirë i njerëzve të zellshëm që përpiqen për një jetë të denjë duke lundruar në presione të pamëshirshme dhe paqëndrueshmëri kronike”.

Fuqinë e filmit 130-minutësh – skenarin e të cilit e ka shkruar regjisori Morina bashkë me Doruntina Bashën – e ka veçuar edhe juria e Festivalit të Filmit në Munih në përbërje të aktores Ella Rumpf dhe regjisorëve Michael Kofler dhe Pete Ohs.

Kasta e aktorëve përbëhet edhe nga Flonja Kodheli që luan si Hatixhja, gruaja e Shabanit. Pos aktorëve Kumrije Hoxha e Fiona Gllavica, në një prej roleve qendrore është edhe Alban Ukaj. Në rolet e tjera luajnë: Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Eshref Durmishi e Besnik Krapi. Producentë janë: Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal. Bashkëproducentë të filmit janë: Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.

Pas “Sundance” dhe tashmë edhe Munihut, “Shame and Money” po ecën sigurt drejt sukseseve të tij, me prezantime e njëkohësisht edhe me çmime.