Kulturë

Shkatërrohet skulptura ikonike “Balloon Dog” në Miami

“Ju lutem mos e prekni veprën e artit”- është rikujtimi i herëpashershëm dhe tani na rikujton pse këto shenja janë ende të nevojshme për galeritë në mbarë botën.

Dashamirët e artit në Miami e panë me tmerr rastin kur një koleksioniste e rrëzoi aksidentalisht në tokë një skulpturë në vlerë prej 42 mijë dollarësh të pop-artistit amerikan Jeff Koons.

Ajo e kishte goditur me gisht, kanë njoftuar dëshmitarët e rastit.

Skulptura “Dog Balloons”, ikona e Koons-it, u bë copë-copë dhe u desh të mblidhej me fshesë nga stafi i Galerisë.

Aksidenti ndodhi gjatë natës së hapjes ekskluzive me figurat publike të “Art Wynwood”, një panair i artit bashkëkohor që mbahet çdo vit në Miami të Floridas.

Artisti vendës Stephen Gamson ka thënë për gazetën “Miami Herald” se po e admironte skulpturën, kur një “grua e moshuar” e goditi atë dhe e rrëzoi nga piedestali.

Në fillim ai kishte menduar nëse ishte pjesë e ndonjë performance, por shpejt e kuptoi se kishte qenë aksident.

“Kur ra në tokë, ishte sikur një aksident automobilistik që tërheq një turmë të madhe në autoudhë”, ka thënë Gamson.

Fati i mirë për gruan është se pjesa mbulohet nga sigurimi, siç ka thënë Benedicte Caluch, këshilltare arti në galeritë e arteve të bukura “Bel-Air” që përfaqëson skulpturën.

“Ishte një ngjarje! Të gjithë erdhën për të parë se çfarë po ndodhte”, ka thënë Caluch. Ajo shtoi se gruaja e paidentifikuar që shkaktoi dëmin ishte koleksioniste arti.

“Jeta sapo u ndal për të gjithë aty për 15 minuta”, ka thënë Cedric Boero, që punon në galeritë e arteve të bukura “Bel-Air”.

ka shtuar se një bashkëpunëtor kishte biseduar me gruan dhe ajo ishte shprehur se ndihej “shumë keq” dhe se “thjesht donte të zhdukej”.

“Kjo është gjë e mirë për koleksionistët”, ka thënë Boero duke qeshur.

Pavarësisht se është copëtuar në mijëra pjesë, ka ende interes për ta blerë skulpturën e shkatërruar. Gamson ofroi ta blinte sepse, siç ka thënë në llogarinë e tij në “Instagram”, “ka një histori vërtet interesante”.

Jeff Koons, 68 vjeç, nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me incidentin. Gama e skulpturave të tij “Dog Balloons” është prej veprave më ikonike të artit bashkëkohor dhe janë shitur për dhjetëra miliona dollarë. Disa janë të mëdha – deri në 3 metra – por vepra fatkeqe ishte me gjatësi prej vetëm 40 centimetrash.

Veprat kanë zbukuruar galeritë e gjithë botës dhe janë ikonizuar më ej nga Jay-Z në vitin 2017, kur reperi punoi drejtpërdrejt me Koons për të krijuar një “Balloon Dog” të fryrë për një mbështetëse skene.

Në vitin 2019, Koons bëri histori kur skulptura e tij “Rabbit” u shit në ankand për 91.1 milionë dollarë, çmimi më i lartë i shitjes ndonjëherë për një artist të gjallë.