“Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane” ka qenë tema e sesionit të historisë në ditën e tretë të “Javës së Albanologjisë” ku historianët kanë sjellë gjetjet e reja në tema të ndryshme. Njëra prej temave ka qenë edhe ajo për ditët kur Perandoria Osmane jepte shenja kalbëzimi dhe një marrëveshje e vitit 1812 që parashihte autonomi për serbët. Një tjetër temë ka qenë edhe ajo për “Shqipërinë dhe shqiptarët në diskursin kroat” sikurse edhe lufta e Kosovës për të cilën më shumë ka botime të huaja sesa vendore
Krahasimi i historiografisë shqiptare me atë evropiane përherë sjell të dhëna interesante sa u përket përshkrimit të ngjarjeve dhe pikëpamjeve që kanë autorët. Në sesionin e historisë, në kuadër të “Javës së Albanologjisë” në Prishtinë historianët shpalosën kumtesat e tyre që shpërfaqin pikëpamje të ndryshme nga autorë të huaj, por edhe dallime me ata shqiptarë. Në temën “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”, të pranishmit në dy seanca pune shpalosën gjetjet e tyre. Prej temave të shpalosura ishte edhe ajo se diaspora polake synonte një shtet të madh të sllavëve të jugut.
Historiani Memli Krasniqi, këshilltar shkencor në IAP, me kumtesën e titulluar “Elitat politike dhe kulturore polake dhe diskursi evropian mbi Ballkanin: ndikime, ndërmjetësime dhe kufizime në kontekstin e ‘Çështjes Lindore’ (shek. XIX)”, solli të dhëna që flasin për ditët kur Perandoria Osmane jepte shenja kalbëzimi. Kumtesa e tij flet për synime të reja. Sipas tij, vlerat e reja politike dhe qytetëruese, të frymëzuara nga Revolucioni Francez dhe epoka napoleonike, filluan të depërtonin edhe te popullsitë e krishtera të Ballkanit që jetonin ende nën sundimin osman.
Sipas tij, dobësimi i Perandorisë Osmane, i cili u bë veçanërisht i dukshëm në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, tërhoqi vëmendjen e Fuqive të Mëdha evropiane, sidomos të Rusisë cariste. Ai ka thënë se në këtë kontekst, perandoresha ruse Katerina e Madhe hartoi më 1782 projektin e njohur si “Projekti Grek”, i cili synonte riorganizimin e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane përmes krijimit të formacioneve të reja politike si “Dakija” dhe “Greqia e Madhe”, me kryeqendër në Kostandinopojë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke elaboruar atë kohë në kontekst gjeopolitik, ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar u angazhua fuqishëm për ruajtjen e ekuilibrit gjeopolitik në Mesdhe, duke e konsideruar zgjerimin rus drejt ujërave të ngrohta si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj interesave të saj strategjike dhe tregtare.
“Në këtë frymë politike dhe ideologjike vepronte edhe nacionalisti polak Adam Jerzy Czartoryski, i cili, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë cariste, kishte hartuar një memorandum sekret mbi riorganizimin politik të Evropës. Në këtë projekt, krahas idesë së një federate gjermane, parashikohej edhe krijimi i një Polonie të zgjeruar, e cila do të përfshinte pjesë të Prusisë”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur Traktatin e Bukureshtit ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane më 1812, si marrëveshje që parashihte autonomi për serbët. Ka thënë se në këtë fazë të hershme të veprimtarisë së tij politike, Adam Jerzy Czartoryski përkrahte konceptin pansllavist dhe i këshillonte popujt sllavë që të orientoheshin drejt Perandorisë Ruse. Më pas ka sqaruar se pas dështimit të kryengritjes polake të vitit 1830, qëndrimet e tij ndryshuan rrënjësisht dhe ai filloi të kundërshtonte ndikimin rus në Evropën Lindore dhe Juglindore.
“Në këto rrethana, qarqet emigrante polake filluan të projektonin krijimin e një shteti të madh të sllavëve të jugut, me Serbinë si bërthamë politike dhe ushtarake, i cili në politikën e jashtme do të mbështetej te Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Në thelb, në Ballkan po projektohej rrëzimi i tri perandorive të mëdha: Perandorisë Osmane, Rusisë dhe Perandorisë Austriake, nga gërmadhat e të cilave do të duhej të ngriheshin shtete të reja kombëtare si Polonia, Çekosllovakia dhe një shtet i zgjeruar serb”, ka thënë Krasniqi.
Duke i elaboruar rrethanat e atyre viteve, ai ka ardhur në përfundim se lëvizjet pansllaviste evropiane, themelet ideologjike të të cilave u formësuan që në dekadat e para të shekullit XIX, synonin emancipimin politik dhe kombëtar të popujve sllavë mbi bazën e modeleve shtetformuese dhe qytetëruese perëndimore, por njëkohësisht edhe kufizimin e ndikimit të Perandorisë Ruse në Evropën Qendrore dhe Juglindore.
“Në këtë kontekst, projektet politike të lidhura me qarqet intelektuale dhe diplomatike polake, veçanërisht ato të grupit të njohur si ‘Hotel Lambert’, kontribuuan në formësimin e ideve mbi krijimin e shteteve kombëtare sllave si Polonia, Çekosllovakia dhe Jugosllavia”, ka thënë ai. Ai ka vazhduar me historinë e mëtejme, ku sipas tij këto projekte gjetën mbështetje te Franca dhe Britania e Madhe, për aq kohë sa këto shtete konsideroheshin barriera strategjike ndaj zgjerimit rus dhe më vonë ndaj dominimit sovjetik në Evropë.
“Megjithatë, realizimi i këtyre projekteve politike dhe gjeostrategjike u zhvillua shpesh në dëm të popujve të tjerë jo sllavë të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, veçanërisht të shqiptarëve, hungarezëve dhe gjermanëve”, ka thënë ai, duke kaluar më pas te viti 1912, kur Shqipëria u shpall shtet, për të vazhduar deri në fund të shekullit XX, kur shqiptarët kanë dy shtete në Ballkan.
“Megjithatë, sikurse në shekullin XIX, edhe sot proceset integruese në Ballkan mbeten të ndërlidhura me rivalitete historike, interesa gjeopolitike dhe probleme të brendshme shtetformuese. Për këtë arsye, perspektiva e shqiptarëve në shekullin XXI do të varet jo vetëm nga zhvillimet ndërkombëtare, por edhe nga aftësia e vetë shoqërive shqiptare për të ndërtuar institucione funksionale, shtet ligjor dhe politika të koordinuara kombëtare në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë Krasniqi.
Historiani Lulëzim Lajçi, po ashtu këshilltar shkencor në IAP, ka paraqitur diskursin kroat për shqiptarët. “Shqipëria dhe shqiptarët në diskursin kroat: kontributi i dijetarëve, udhëpërshkruesve dhe publicistëve” mban titullin kumtesa e tij. Sipas Lajçit, në kohën e “Lëvizjes Ilire” shfaqen edhe punimet më serioze mbi shqiptarët dhe historinë e tyre, dhe jo rastësisht në “Danica Ilirska”. Sipas tij, shihet qartë se revista “Danica Ilirska” dëshironte t’i njoftonte sa më mirë lexuesit e saj mbi shqiptarët dhe të kaluarën e tyre. Ka thënë se në vitin 1881, në “Geografska biblioteka za mladež i puk”, që e botonte Alfred Holderi në Vjenë, doli libri kushtuar Shqipërisë nga pena e Gjuro Gjurkoviqit.
Ai ka thënë se kjo është një pasqyrë gjeografike-historike e Shqipërisë, jo në kufijtë e sotëm politikë, por në vëllimin që etnikisht u takonte shqiptarëve. Duke tentuar ta fiksojë territorin në të cilin jetojnë shqiptarët, ai përmend se kjo është një trevë të cilën e rrethojnë: Tivari, Sjenica, Prijepolja, Vranja, Shkupi, Manastiri, Kastoria, Gjirokastra, Arta dhe Deti Adriatik.
Sipas tij, brenda kësaj treve autori përshkruan vendin, njerëzit, zakonet e tyre, këngët popullore, gjuhën e të tjera. Lajçi ka thënë se libri është i përkthyer edhe në gjuhën kroate dhe ka sqaruar se që në hyrje të kësaj monografie autori paraqet gjendjen ekzistuese të trajtimit të historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare deri në kohën kur ai vizitoi trevat shqiptare më 1869 dhe 1873, kur shkruan se “shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve; se Shqipëria është më tepër term nacional sesa politik dhe se shqiptarët deri në kohën e tij kurrë nuk kishin pasur një shtet unik shqiptar, sepse gjatë sundimit bizantin, bullgar, serb apo osman ata ishin të copëtuar”.
Ai ka thënë se, duke shkruar për historinë e shqiptarëve, autori ofron një pasqyrë të shkurtër të rrethanave që gjallëruan në kohën e dyndjeve sllave, të pushtimeve normane, për periudhën e Dushanit e të Balshajve, për kohën e Skënderbeut e të Ali Pashë Tepelenës, për shqiptarët në Plavë e Guci, përkatësisht për shqiptarët e Sanxhakut jugor të Novi Pazarit. Në këtë kontekst, ai ofron të dhëna edhe për shpërnguljet e shqiptarëve në Zarë e Istër, për kolonitë shqiptare në Mbretërinë e Napolit, si dhe për shpërnguljen e Kastriotëve pas vdekjes së Skënderbeut.
Më pas është ndalur në disa detaje të përshkrimeve dhe ka treguar se në fund të kësaj monografie autori ua propozon të gjithë atyre që dëshirojnë të njihen më për së afërmi me gjuhën shqipe studimet e Mikloshiqit, Hanit e Dozonit.
“Kurse atyre që dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e shqiptarëve, autori u ofron një bibliografi që e kishte përpiluar nga studimet e reja dhe të vjetra që flasin për të gjitha ato që kishte shkruar më lart”, ka thënë Lajçi.
Në ditën e tretë të “Javës…”, historianët kanë paraqitur kumtesa të ndryshme. Historiani Durim Abdullahu ka folur për historiografinë e luftës së fundit në Kosovë, duke shpalosur burime, pikëpamje dhe narrativa të ndryshme, për të konkluduar se ka më shumë vepra nga ndërkombëtarët sesa vendore. Ka cituar një numër raportesh të organizatave të ndryshme. Historiani dhe shefi i Degës së Historisë në IAP, Nuredin Ahmeti, ka folur për kontributin e studiuesve të huaj në Konferencën shkencore për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Arkeologu Arjanit Buçinca ka sjellë vështrimin e arkeologëve francezë Pierre Cabanes dhe Jean-Luc Lamboley për ilirët, përderisa arkeologia Zana Hoxha ka folur për arkitekturën paleokristiane në Kosovë. E historianët e rinj Albin Halimi e Dren Brahimaj kanë krahasuar historiografinë evropiane dhe atë shqiptare për Luftën e Dytë Botërore në Kosovë. Kanë shpalosur se si për ngjarje si Masakra e Tivarit, lufta e Shaban Polluzhës e të tjera, s’ishin trajtuar thuajse fare deri në fillim të viteve ’90 nga historiografia shqiptare.