Kulturë

Si u bë “lavirja bizantine” Stamboll modern

Në librin “Mesnatë në Pera Palace. Lindja e Stambollit modern” historiani amerikan Charles King hap para lexuesit një panoramë të mrekullueshme të kapërcimit të Stambollit nga periudha osmane në modernizëm. Në këtë libër s’mungon as historia e famshme e spiunit shqiptar Iljaz Bazna.

Ka shumë libra për Stambollin. Ka shumë vepra për lagjet e Stambollit, për historinë e qytetit në epokën bizantine, osmane, postosmane. Në disa libra trajtohet bashkëjetesa e besimtarëve të ndryshëm në këtë megametropol, në libra të tjerë rëndësia e Stambolli si qendër ekonomike e Turqisë dhe rajonit. Shkrimtari i famshëm Orhan Pamuk në kujtimet e tij për qytetin e lindjes zbulon fshehtësinë e familjes, e afron lexuesin te monumentet dhe ndërtesat grandioze, përshkruan vilat e bukura osmane buzë Bosforit, rrugicat në qytetin e vjetër, dashuritë e mëdha dhe dhembjet e rënda.

Por të gjitha këto libra do t’i harroni kur të lexoni “Mesnatë në Pera Palace. Lindja e Stambollit modern” të historianit amerikan Charles King. Qasja origjinale (King e përshkruan Stambollin duke përdorur si pikënisje hotelin e famshëm Pera Palace), gjuha elegante, njohuritë e gjithanshme mbi historinë e qytetit, përshkrimi i vizitorëve të njohur – të gjitha këto e bëjnë veprën e Charles King të pazëvendësueshme. King hap para lexuesit një panoramë të mrekullueshme të kapërcimit të Stambollit nga periudha osmane në modernizëm. Duke lexuar këtë libër autori mund të duket si një ëndërrimtar, i cili s’di të ndalet së përshkruari dhe synon të përfshijë krejt begatitë e qytetit. Pastaj ai kthehet sërish në Pera Palace, në këtë hotel që shërbente si qendër e spiunëve, gjeneralëve britanikë, shkrimtarëve, tregtarëve të armëve, udhëtarëve të Orientit.

Pera Palace u ndërtua në vitin 1892 si bujtinë luksoze për udhëtarë që vinin me trenin Orient-Express – nga Parisi në Stamboll. Ashensori i tij ishte i dyti i futur në përdorim në Europë. Përtej fasadës madhështore të hotelit gjendej Pera, lagjja më e frekuentuar dhe më e pëlqyer e Stambollit. “Pera Palace ishte menduar të jetë si të thuash përshëndetja e fundit e Perëndimit përgjatë rrugës në Orient, hoteli më i shkëlqyeshëm i llojit perëndimor në kryeqytetin e perandorisë më të madhe islamike në botë”, shkruan King.

Stambollin që po e linte pas të kaluarën osmane dhe po katapultohej në kohëra moderne e kishte përjetuar edhe shkrimtari i famshëm Ernest Hemingway. Të bardhë, shkëlqimtar dhe të frikshëm e kishte paramenduar ai këtë qytet, pas të gjithë filmave që kishte parë në kinema. Ai erdhi në Stamboll nga Ballkani. Ai pa refugjatë, oficerë të larguar nga shërbimi, pa fundosjen e Kalifatit, ishte dëshmitar kur koha filloi të matej si në Paris dhe New York, jo më si në Mekë e Medinë, fesi, shamitë, haremet po zhdukeshin gjithnjë e më shumë nga panorama e qytetit – me urdhër nga lart, nga Mustafa Kemal Atatürk, adhurues i kulturës perëndimore dhe – para së gjithash – i rakisë, prej së cilës supozohet se vdiq.

Në këtë atmosferë mbi Stamboll ra petku i hüzünit, melankolisë, me ç’rast mobilizohet gëzimi për ta mposhtur vajin. Sipas King në periudhën mes dy luftërave botërore qytetarët e Stambollit i përvetësuan idealet perëndimore me pasion aq të madh, saqë askush s’do mund ta merrte me mend. Qyteti u bë arenë e eksperimentit më të madh të një metamorfoze të planifikuar drejt identitetit të ri, perëndimor. Që në shekullin e 16-të diplomati dhe udhëtari flaman Ogier Ghiselin de Busbecq kishte shkruar se “sa i përket pozitës së qytetit, duket se natyra e ka krijuar për të qenë kryeqyteti i botës”.

Kryeqytet i botës nuk u bë Stambolli, por i një perandorie të fuqishme po, prej se në vitin 1453 osmanët myslimanë ia morën qytetin bizantinëve. Në vitin 1883 Perandoria Osmane ballafaqohej me vështirësi të administrimit të territoreve të afërta dhe të largëta, ndërsa nga Parisi, nga Gare de l’Est, ishte nisur treni Orient-Express për të kaluar 3000 kilometra dhe arritur në Stamboll. Në vagonë ishin ministra francezë dhe belg, botues gjermanë, sekretari i parë i ambasadës osmane në Bruksel, austriakë dhe rumunë, korrespondenti i gazetës së Londrës Times.

Treni nuk shkoi në Stamboll, sepse hekurudha nuk ishte e ndërtuar, andaj udhëtarët zbritën në Varna në Bullgarisë dhe me anije shkuan drejt Turqisë. Në dekadat në vijim mijëra vizitorë nga Perëndimi zbarkuan nga anijet dhe zbritën nga Orient-Expressi për t’u kredhur në një botë të re dhe të lashtë njëkohësisht. Kur arkitekti i famshëm Le Corbusier vizitoi Stambollin në dekadën e parë të shekullit të 20-të, ai u habit dhe u gëzua që ky qytet tani kishte “dukje njujorkeze”. Ndërsa Perandorisë i rrudhej territori, Stambolli gumëzhinte si mikrokozmos i nacionaliteteve të ndryshme – armenë, grekë, kurdë, shqiptarë, arabë, turq. Nacionalistë dhe internacionalistë ndiqnin agjendat e tyre politike. “Në rrugicat me shumë kthesa dyqanxhinjtë persianë shisnin erëza, në shitoren bullgare mund të gjeje qumësht dhe kajmak, te shqiptarët salep në tas, një pije e nxehtë, e trashë dhe e përgatitur nga rrënjët e orkidesë, e cila të ndihmonte për të duruar më lehtë acarin dimëror”, shkruan King.

Stambolli i bë qytet i rëndësishëm për shkak se nuk ishte monoetnik, por shumetnik - dhe “jomyslimanët ishin kripa në supën e ekonomisë dhe kulturës popullore. Nga radhët e tyre vinin barmenë dhe bankierë, pronarë shtëpish publike dhe restorantesh, eksportues dhe hotelierë. Edhe në vitin 1922, 1169 prej 1413 restoranteve të qytetit ishin në pronësi greke, vetëm 97 u takonin turqve islamikë, 57 armenëve dhe 44 gastronomëve rusë”. Sa i përket rusëve: për shkak të konfliktit mes leninistëve që fituan revolucionin e vitit 1917 shumë rusë antikomunistë u larguan apo u përndoqën nga vendi i tyre. “20-vjeçari Vladimir Nabokov, e cili më vonë u bë i famshëm si shkrimtar (...), ishte dërguar në Krime nga i ati i tij, një avokat i njohur në Shën Petërburg, i cili në qeverinë e Denikinit kishte ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë. Kuzhinierja e familjes kishte përgatitur për udhëtim një strajcë plot me sanduiçë me kaviar dhe familja në fund gjeti strehë në oborrin e pallatit Livadia afër Jaltës, rezidencës verore të familjes cariste. Në vijim babai i Nabokovit ia doli të sigurojë vende në bordin e një anijeje, e cila transportonte pemë të terura; pas një qëndrimi të shkurtër në Stamboll udhëtimi vazhdoi drejt Piresë; nga atje udhëtimi i gjatë vazhdoi me tren dhe anije për në Londër, ku familja filloi një jetë të re në mërgim”.

Nabokovët ishin në mesin e 185 mijë rusëve që erdhën në Stamboll nga Rusia. “Besoj se pa e tepruar mund të thuhet se rusët në periudhën e emigrimit askund, as në vendet sllave, të cilat na kishin mirëpritur, nuk janë ndier më shumë në shtëpi se në Konstantinopojë”, kujtoi avokati rus dhe ish-senatori Nikollai Çebishev. Muzikantë nga Gruzia dhe Shën Petërburgu, gurmanë gjeorgjianë, kitaristë ciganë gjallëruan jetën në Stamboll, në këtë “lavire bizantine”, siç e përbuznin turqit nacionalistë.

Me themelimin e Turqisë moderne multietniciteti u sakrifikua në altarin e shtetit kombëtar, osmanizmit shumëngjyrësh ia zuri vendin ngjyra e kuqe e flamurit turk. Ernest Hemingway me të drejtë nisi të bëhej merak se çfarë do të bëhej me jetën e natës në Stamboll kur të largohen britanikët dhe pushtetin do ta marrin turqit. Por shumëçka mbijetoi, përfshirë edhe muzikën e xhazit, bluzit dhe rembetikos, mjaft të përhapura dhe popullarizuara sidomos në lagjen ku gjendej Pera Hotel. Roza Eskenazy ishte njëra prej këngëtareve të stilit rembetiko, i cili bashkonte muzikën popullore greke dhe traditën muzikore osmane dhe i cili përfaqësonte botën hebraike-osmane mes Stambollit dhe Selanikut, vëllait të vogël të Stambollit.

Në librin e Charles King nuk mungon edhe një histori që për lexuesit e interesuar shqiptarë nuk është e panjohur, por përherë atraktive. Charles King shkruan se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Stambolli ishte një qendër e rëndësishme e spiunazhit, gjermanët (në vitin 1943) arritën të rekrutojnë një informator, të cilit ia ngjitën emrin Cicero. Britanikët më vonë zbuluan se Cicero ishte shërbëtori i ambasadorit të Londrës në Stamboll. Cicero në të vërtetë te gjermanët ishte prezantuar me emrin «Pierre» dhe me një frëngjishte të dobët kishte ofruar një numër të madh të dokumenteve sekrete, të cilat ishte i gatshëm t’i dorëzonte nëse Berlini do të paguante një shumë të mirë. Gjermanët qenë skeptikë, por Cicero solli dokumentet e para. Ai kishte qasje në trezorin e ambasadorit britanik dhe kishte fotografuar depeshet mes ambasadës në Stamboll dhe ministrisë së Jashtme në Londër. Dokumentet përmbanin informacione të rëndësishme edhe për zbarkimin e aleatëve në Normandi. Gjermanët nuk i besonin plotësisht, sepse dyshonin se ishte agjent i dyfishtë. Por Cicero ishte informator i besueshëm, ndër të rrallët në Stamboll, dhe nëse dokumentet që i sillte të ishin marrë seriozisht nga gjermanët, me gjasë rrjedha e luftës do të kishte ecur ndryshe.

Cicero ishte në fakt Iljaz Bazna, një shqiptar që i shërbente ambasadorit britanik në Stamboll. Ai si motiv për dhënie të informatave kishte përmendur faktin se i urrente britanikët. Por prapë gjermanët nuk i besonin tamam, andaj për shërbimet e tij e paguan me para të falsifikuara.

Tregimi i historive të tjera nga libri i Charles King me siguri do të shpërthente kornizën e recensionit. Andaj lexuesit shqiptar i mbetet vetëm të lutet që një shtëpi botuese mes Sarandës dhe Mitrovicës do të investojë pak para e mund për të përkthyer këtë libër në gjuhën shqipe. Është historia e një qyteti që deri në vitet 20-të të shekullit të kaluar ishte qyteti me më së shumti shqiptarë. Është historia e qytetit ku qëndruan Ernest Hemingway i përmendur tashmë, por edhe Agatha Christie, Leo Trocki dhe krimineli Joseph Goebbels. Është qyteti ku Sami Frashëri shkroi aq shumë për Shqipërinë e tij imagjinare dhe për Perandorinë Osmane reale, është qyteti ku i biri i tij u bë president i një ekipi të njohur futbolli deri në ditët e sotme...