Gazetarët Vlerë Mehmeti nga Grupi KOHA dhe Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik janë shpallur fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar, ndërsa çmimin për letërsi e ka fituar autori Granit Zela me romanin “Përmbytja”.
Të hënën u mbajt edicioni i 18-të i ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar dhe letërsi.
Në ceremoni u bë edhe përurimi i librit të Skënder Latifit “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”.
VIDEO: Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”
Granit Zela fiton çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi
Çmimin për letërsi “Rexhai Surroi” 2025 e ka fituar autori Granit Zela me romanin “Përmbytja”.
Gjatë pranimit të këtij çmimi, Zela ka thënë se është kënaqësi ta pranojë atë dhe se çmimin ua dedikon fëmijëve të tij.
“E pranoj me shumë përulësi dhe me zemër në dorë këtë çmim. Dua të falënderoj secilin prej anëtarëve të jurisë, të cilët e kanë zgjedhur këtë tekst duke e konsideruar si të denjë për emrin që mban, emrin e Rexhai Surroit. Unë ia kam kushtuar këtë roman, këtë libër, dy fëmijëve të mi të vegjël. Unë e kam shkruar këtë libër me shpresën e madhe se është shkruar me një gjuhë që do të lexohet në të ardhmen. Është detyrë e shkrimtarëve që ta ruajnë gjuhën shqipe sepse letërsia, fjala e shkruar, e çon në vend amanetin që këtë gjuhë të perëndisë trashëgim t’ia lëmë fëmijës”.
Çmimin Zelës ia ka ndarë anëtarja e jurisë Blerta Ismajli.
Përurohet libri i Skënder Latifit “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” është përuruar libri i autorit Skënder Latifi “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”.
Me këtë libër, përmbyllet plani i botimeve të Shtëpisë Botuese KOHA për vitin 2025.
Libri është voluminoz me rreth 600 faqe dhe përmban 1500 fusnota.
Pronarja e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se ky libër është dëshmi e rrallë e durimit kërkimor dhe e përgjegjësisë intelektuale ndaj një treve që për shumë dekada është trajtuar më tepër si periferi politike sesa realitet historik me identitet të vetin.
“Nuk e teproj kur them se Skënder Latifi ka shkruar një vepër monumentale”, tha Surroi.
Ajo ka thënë se në mbi dy dekada që merret me redaktim e përkthimtë librave, asnjëherë nuk ka pasur në duar një studim të përmasave të tilla.
Surroi ka thënë se struktura e studimit është e qartë dhe kronologjikisht e ndërtuar rreth 5 periudhave kyçe: sundimit osman, pushtimeve të viteve 1912-1945, pushtetit jugosllav, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe zhvillimeve pas viteve 1999.
“Është kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Ky libër të shndërrohet në referencë për studiuesit, gazetarët, politikanët e vetë banorët e Luginës, si pasqyrë për të dokumentuar një histori të mohuar gjatë”, tha Surroi.
E Latifi ka thënë se një prej dilemave kishte rreth emërtimit, pasi emërtimi Luginë e Preshevës, është më teprë i transferuar në bazë të rrethanave që ndryshuan në vjeshtën e vitit 1912.

Sinanaj e Mehmeti fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar
Gazetarët Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik dhe Vlerë Mehmeti nga Grupi KOHA janë shpallur fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari.
Sinanaj është shpërblyer për tekstin që prek temën e tregtisë me energjinë elektrike dhe monopolin në bartjen e energjisë elektrike, i cili i ka rritur faturat e energjisë, ndërsa Mehmeti është shpërblyer për tekstin që prek një tjetër temë të ndjeshme, atë për personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë marrë mbështetje në shërbimet e nevojshme bazike.
Sinanaj ka thënë se ndihet i nderuar që po e pranon këtë çmim për dy arsye.
“Ndihem shumë i nderuar që po e pranoj çmimin ‘Rexhai Surroi’ për gazetari të shkruar, ky çmim e ka një domethënie të dyfishtë për mua, e para që po vlerësohet puna ime njëvjeçare në një sektor kompleks si ai i energjisë, e e dyta që po e pranoj një çmim që e vlerëson gazetarinë e shkruar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërsa Mehmeti ka falënderuar Grupin KOHA për mundësinë që të bëjë gazetari profesionale dhe të pavarur.
“Më vjen mirë si gazetare që pas raportimit tonë institucionet i kanë ndërmarrë disa hapa drejt zhbllokimit të procesit. Falënderoj mediumin KOHA për mundësinë që ne të bëjmë gazetari profesionale dhe të pavarur. Dua të falënderoj të gjithë redaksinë e kolegët, me të cilët i ndajmë sfidat e këtij profesioni, e tashmë edhe sukseset. Padyshim që ky çmim do të jetë një motiv shtesë për mua që të hulumtoj dhe të sjell për publikun tema dhe çështje që janë në interes të tyre”, ka thënë Mehmeti.

Surroi: Kemi pranuar, shpesh pa e vënë re, që një pjesë të marrëdhënieve tona t’ia delegojmë algoritmit
Publicisti Veton Surroi në fjalimin hapës të ceremonisë së ndarjes së çmimeve për gazetari të shkruar dhe letërsi “Rexhai Surroi”, ka treguar një ngjarje se si për nëntë muaj nuk kishte marrë informatën për vdekjen e nënës së një personi të tij të afërt. Në fjalimin e tij Surroi ka thënë se në epokën e digjitalizimit, ku bartja e informatave është aq e lehtë, mund të humbësh një informatë të tillë, shkaku i algoritmeve të kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale.
“Dikur dilje në qytet për të parë e për t’u parë. Pije një kafe për të këmbyer informata, mendime dëshpërime e gëzime. Lajmi i mortit ishte aty diku, afishe gazetë, pjesë e hapësirës publike. Tash në Facebook dimë shumë më tepër se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dimë për aq sa na kanë kufizuar algoritmet. Jemi të kënaqur me atë që dimë brenda balonit tonë informativ. Këtë e dëshmojmë duke hapur telefonin çdo moment për të parë se çfarë ka të re në Facebook...Kemi pranuar pa e vënë re shpesh, që një pjesë të marrëdhënieve tona, po ia delegojmë algoritmit...Morti si ngjarje thellësisht njerëzore e shoqërore, humbet pikërisht aty ku humbet hierarkia e vlerave”, tha Surroi.
Ai tha se fjalimi i tij nuk është nostalgji e as refuzim ndaj botës digjitale.







