Shfaqja “Sytë e ujkut”, me tekst të Doruntina Bashës e regji të Kushtrim Koliqit, nuk sjell ndonjë kronologji a dhunim që ndodh aty për aty. Nga e sotmja merret me derivatin e dhunës seksuale që ka ngjarë në luftë dhe është e përditshme në një familje ku jetojnë tri gjenerata: gjyshja (Irena Aliu) e bija Lumja (Edona Reshitaj) dhe mbesa Dila (Albina Krasniqi). Nuk është mesazh, është thirrje e fuqishme për ta hapur një temë të heshtur dhe atë, një shfaqje si kjo, e trajton zëshëm e mjeshtërisht
Ka kaluar kohë e gjatë nga lufta, por në kasolle s’është veç aroma e saj. Aty ende ka luftë. Ajo kundërmon në tentenet që janë duke u tharë në litarë. Dëgjohet në pikat e ujit që zhurmojnë në ritualin e tharjes së materialeve të tekstilit. Vërehet shpejt në fytyrën e një gruaje. Dhe, lufta është aq e pranishme saqë shihet edhe në fijet e flokëve të Lumes.
Ajo grua është në një luftë të përditshme me vetveten. Traumat e saj janë aq të thella dhe i manifeston me një ftohtësi të madhe në pamjen e jashtme gjë që tregon se nga brenda vlon. Ftohtësinë e ka edhe në raport me të bijën, Dilën. S’mund ta shohë në sy, pasi ata ia kujtojnë luftën e madhe. Atë me dhunuesin që s’i ndahet kurrë jetës së saj.
“Sytë e ujkut” e zhvendos publikun maje një mali e brenda një kasolle. Shfaqja e organizatës “Integra”, me tekst të Doruntina Bashës e regji të Kushtrim Koliqit, nuk sjell ndonjë kronologji a dhunim që ndodh aty për aty. Nga e sotmja merret me derivatin e dhunës seksuale që ka ngjarë dikur dhe është e përditshme në një familje ku jetojnë tri gjenerata: gjyshja (Irena Aliu) e bija Lumja (Edona Reshitaj) dhe mbesa, Dila (Albina Krasniqi). Është një kasolle e humbur majë malit, ku Lumja frikën e ka të përhershme. Mbyll e gozhdon edhe dritaret, pasi kushdo që kalon në atë anë për të është një dhunues potencial. Sidomos në kohën ku e bija është në adoleshencë dhe në kohën e ciklit menstrual. Traumat në atë kasolle janë të përhershme. Shpejt merret vesh ajo që ka kaluar Lumja, personazhi që ka barrën kryesore në këtë shfaqje. Pa patetizma e aso ulërimash çjerrëse, personazhet vijnë para publikut me krejt shtresat e traumave të tyre. Në familje gjyshja është ajo e cila mundohet të aktrojë pak lumturi në muhabet e sipër me mbesën e saj. E gjendur në karrocë për shumë arsye, gjyshja është konstantja e një jete deri diku normale brenda shtëpisë. E Dila, produkt i dhunimit në kohë të luftës, është viktima e pavetëdijshme, e pafajshme e plot jetë.

Ekipi e ka studiuar situatën dhe traumën që mbretëron në atë shtëpi, e sjell me finesë para publikut. Pa alamet skenografie, pa muzikë brenda në skenë, në një kat të hotelit “Grand” të kthyer në skenë të improvizuar teatri, aktorët sjellin ndjesinë e një gjendjeje që s’u shmanget kurrë e çdo ditë bëhet më e rëndë. Barra kryesore është mbi aktoren Edona Reshitaj, e cila ia del hollë të personifikojë dikë që s’do ta shohë bota. Portreti i saj personifikon rreth 20 mijë gra – që sipas organizatave ndërkombëtare – u dhunuan në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999. Lumes rrallë e hiç i shkon buza në gaz e i kënaqet rritjes së të bijës. E mundon shumë fakti që s’është aso nëne qe e rinon fakti se ajo po rritet. Me gjysmë zëri ia uron ditëlindjen e mendja nuk i hiqet nga momenti kur ngeli shtatzënë. Fytyrën e dhunuesit e ka gjithnjë në kujtesën e saj. E thuajse e lëshon shpirti kur ai i paraqitet përpara. Personifikon ujkun pasi veç një kafshë e egër mund të bëjë atë që ka bërë ai. Midis njeriut e kafshës, Armend Smajli e trazon Lumen çdo ditë.
Edona Reshitaj s’e ka pasur hiç të lehtë të veshë kostumin e një gruaje që kujtesa i flet çdo ditë në vesh e s’e lë as të flejë.
“Ne aktorët nganjëherë përveç punës profesionale përfshihemi edhe privatisht. Ka pasur momente kur është dashur të lihet prova në gjysmë pasi na ka kapur një emocion i tillë, ku unë personalisht kam nisur të qaj. Ka qenë diçka që s’kam mundur ta kaloj. Ndalesh e mendon se janë trauma edhe tuat, pasi e kemi përjetuar luftën. S’kemi kaluar gjëra të rënda, por thellë-thellë i kemi traumat që dalin. Veçanërisht kjo ndodh kur e prek një temë të rëndë që njerëzit e kanë provuar”, ka thënë Reshitaj. Barrën në shfaqje e ka të rëndë. Është asi personazhi që lë vragë të madhe tek ajo apo ai që e luan.
“E vështirë e përgjegjësi ta personifikosh një person apo shumë njerëz që u ka ndodhur ky rast. Janë të stigmatizuara e kjo është një barrë tjetër”, ka thënë Reshitaj.
Dramaturgia Doruntina Basha gëzon zotësi të madhe në trajtim të shtrimit të temave të ndjeshme. Tekstin e ka punuar në fillim të këtij viti.
“Ideja ka qenë të gjej mënyra ta krijoj një storie të së tashmes, e cila është krejtësisht e formuar nga e kaluara. E kaluara është specifike në këtë rast pasi ka shtresa të traumave që nuk janë adresuar në momente të caktuara, por që e ndikojnë jetën e personazheve të së tashmes. Storia ndodh në një familje shumë të ngushtë në një rrethanë izolimi”, ka thënë ajo pas premierës së të mërkurës mbrëma. Ka treguar se ideja ka qenë ta shohin se si kjo rrethanë izolimi e krijon një lloj narrative ose një lloj përralle se çfarë ka qenë e kaluara, çfarë është e tashmja dhe me një pikëpyetje se çfarë do të jetë e ardhmja.

“Këto marrëdhënie të tri grave për mua kanë qenë me interes ta shoh se si trauma e krijon narrativen që përcillet nëpër breza”, ka thënë ajo derisa ka komplimentuar krejt ekipin për futje brenda karaktereve me përkushtim të jashtëzakonshëm.
“Nuk e di, në një moment e zura veten duke u bërë merak për ato”, ka thënë ajo. Drama është aq e rëndë saqë publiku kur futet në atë botë për disa momente edhe mund të harrojë se bëhet fjalë për shfaqje. Secilit personazh sytë i nxjerrin zjarr. Me krejt qetësinë që mundohet ta ketë gjyshja, në rast mundësie ajo do të merrte përsipër të bëjë atë që bën plaka Nicë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Mjeshtëria e ekipit bën që publiku të imagjinojë skena të ndryshme e të ngrejë pyetjet që i ka përmendur dramaturgia Basha.
Regjisori Kushtrim Koliqi i cili drejton organizatën “Integra”, merret shumë me luftën e pasojat e saj.
“Një prej aspekteve që shumë pak është prekur në Kosovë ose nuk është prekur fare është çështja e fëmijëve që kushtimisht në thonjëza janë produkt i dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë. Merremi shumë gjatë me këtë temë. Kam pasur rastin t’i takoj disa raste që janë pak, pasi nuk ka të dhëna në Kosovë”, ka thënë ai. Ka treguar se kur kanë diskutuar me dramaturgen Basha kanë folur se duhet prekur kjo temë.
“Vendet në rajon që kanë kaluar nëpër luftëra e kanë prekur këtë temë edhe me filma dhe kanë marrë edhe çmime. Kush më mirë se arti, konkretisht teatri, mund t’i hapë disa tema që ndoshta nuk janë të këndshme për shoqërinë e as për sistemin momental që u duket e komplikuar të preken këto elemente”, ka thënë ai. Ka rrëfyer se janë munduar të jenë tejet të kujdesshëm.
“Shpresojmë që me këtë shfaqje po e hapim një dritare, që edhe kjo temë duhet hapur”, ka thënë ai.
Dramaturgu Arian Krasniqi e ka përshkruar shfaqjen si përjetim të dyfishtë, pasi, siç ka thënë ai, teksti është shkruar nga një autore vendore si Doruntina Basha e regjia është bërë nga regjisori tashmë i konfirmuar vendor, Kushtim Koliqi.
“Arsyeja që po i përmendi këta dy komponentë qëndron te fakti se pamë një shfaqje me një potencial jashtëzakonisht të mirë teatror që trajton një temë të ndjeshme, të rëndë, por me shumë mundësi për aktorët që interpretojnë”, ka thënë ai. Ka veçuar aktoren Reshitaj, duke thënë se ky është ndër rolet më të realizuara të saj viteve të fundit në teatër.
“Ajo është e njohur si aktore me vokal e transformimet që i sjell. Por sonte erdhi në një dimension shumë më të sofistikuar. Besoj se është rezultat i punës së përbashkët me regjisorin Koliqi, por edhe me mundësinë dhe potencialin që ka dhënë teksti i shkruar nga Doruntina Basha”, ka thënë ai. Sipas Krasniqit, shfaqjet e tilla të natyrës kamertale në format duken të vogla, por brenda bartin shumë drama të mëdha dhe japin mundësi komunikimi me audiencën jo vetëm në kuptimin e përjetimit të ngjarjes që transmetohet nga shfaqja, por edhe ndërtimit të raporteve me fatet e personazheve në skenë.
Traumat e personazheve avullojnë në hapësirë përgjatë pak më shumë se një ore sa zgjat shfaqja. Ftohtësia e Lumes në raport me të bijën është e frikshme. Njëkohësisht vrasëse për të. E vret çdo ditë e nga pak në kasollen e saj majë mali. E pjesa tjetër e botës s’e njeh atë burg. Të tjerët jetojnë në dinamikat e kënaqësitë e përditshmërisë. S’u intereson për të, pasi atyre s’ua ka zënë ujku derën.