Kulturë

Teatri Kombëtar e mbyll vitin me shumë telashe, nis planet për 80-vjetor

teatri

Të tri shfaqjet premierë të këtij viti kanë qenë plot me publik. Salla ka qenë e mbushur edhe për shumicën e reprizave të tyre. Posterët me vulën “sold out” janë publikuar shpesh. E ashtu edhe në shfaqjen e fundit për sivjet, e që qe ajo e komedisë “Art” me autore Yasmina Rezën dhe nën regji të Bashkim Ramadanit

Me tri shfaqje premierë dhe 50 repriza, udhëheqësit e Teatrit e konsiderojnë vit të suksesshëm, por me sfida, e ku ka vend për më shumë punë. Viti i ardhshëm, gjatë të cilit shënohet  jubileu i TKK-së, fillon me premierat e shfaqjeve që janë pjesë e programit vjetor të 2025-s. TKK-ja sivjet e ka nisur vitin me grevën e aktorëve, s’ia ka dalë t’i realizojë më shumë se tri shfaqje. Është qiraxhi prej shtatorit të vitit 2022, shkaku i planeve për renovimin e ndërtesës së institucionit. Megjithëse pa program të miratuar ende, planet për vitin që vjen janë ambicioze

Me të kremten e Krishtlindjes, Teatri Kombëtar i Kosovës ka festuar mbylljen e aktivitetit publik për këtë vit. Më 25 dhjetor u dha repriza e radhës e shfaqjes “Art“ dhe salla qe plot. Pikërisht publiku është i vetmi aspekt në të cilin institucioni nuk ndien mungesë. Me tri shfaqje premierë dhe 50 repriza, udhëheqësit e Teatrit e konsiderojnë vit të suksesshëm, por me sfida, e ku ka vend për më shumë punë. Viti i ardhshëm, gjatë të cilit shënohet  jubileu i TKK-së, fillon me premierat e shfaqjeve që janë pjesë e programit vjetor të 2025-s. TKK-ja sivjet e ka nisur vitin me grevën e aktorëve, s’ia ka dalë t’i realizojë më shumë se tri shfaqje. Është qiraxhi prej shtatorit të vitit 2022, shkaku i planeve për renovimin e ndërtesës së institucionit. Megjithëse pa program të miratuar ende, planet për vitin që vjen janë ambicioze.

Të tri shfaqjet premierë të këtij viti kanë qenë plot me publik. Salla ka qenë e mbushur edhe për shumicën e reprizave të tyre. Posterët me vulën “sold out” janë publikuar shpesh. E ashtu edhe në shfaqjen e fundit për sivjet, e që qe ajo e komedisë “Art” me autore Yasmina Reza dhe nën regji të Bashkim Ramadanit. 

E ky interesim i publikut i çon shifrat në gjashtë mijë shikues brenda vitit, siç ka bërë të ditur udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, bazuar në regjistrat e biletashitësit të ndjerë, Arsim Abazi, i cili vdiq më 1 shtator. 

“Pjesa e parë, ku ne kemi pasur diku 30 repriza, dhe në pjesën e dytë njëzet, e që i bie 50 repriza gjithsej. Zakonisht një pjesë e mirë arrin të jetë ‘sold out’, por një pjesë mund të ketë mungesë, që i bie përafërsisht janë gjashtë mijë veta publik. Numër që mund të shkojë deri në tetë mijë. Por e sigurt është gjashtë mijë”, ka thënë Mehmeti. 

Për Teatrin Kombëtar, viti 2025 nisi vonë si rrjedhojë e grevës së aktorëve. Punimet nisën në muajin prill. 

Shfaqja e parë e re, “Art”, u dha premierë më 16 maj. Më 15 tetor u dha premierë shfaqja “Audienca” nga çeku Vaclav Havel, nën regji të Meli Qenës. E “Litari” nga Patrick Hamilton, nën regji të Skender Podvoricës, u dha premierë më 12 nëntor. 

“Pos shfaqjeve tona ka pasur edhe shfaqje mysafire, të cilat Teatri i ka akomoduar. Ky vit ka nisur me ‘Art’, ka vazhduar tutje me ‘Audiencën’ e Havelit, tutje me ‘Litarin’ dhe dy shfaqje të tjera që janë në proces e sipër, që do ta kenë premierën në janar, por që janë shfaqje të vitit 2025. Më datën 20 janar veç mbyllet komplet viti 2025 dhe fillojmë me vitin 2026”, ka thënë Mehmeti. 

Në janar do të shfaqen “Gërrdia” me tekst të Astrit Kabashit dhe nën regji vetë Kabashit si dhe shfaqja “Nyja e Gidionit” me autore Joanna Adams, nën regji të Hana Qenës, të planifikuara për këtë vit. 

Sipas Mehmetit, parashihet që të dy shfaqjet të jepen premierë deri më 20 janar. 

Aktualisht menaxhmenti i TKK-së po merret me programin e vitit 2026. Mehmeti ka bërë të ditur veç emrat e autorëve tekstet e të cilëve të inskenohen. 

“Aktualisht veç jemi duke e diskutuar repertorin që do të shpallet në janar. Ka shfaqje që janë propozuar dhe do të diskutohen me bordin. Nuk mund të bëhen publike si shfaqje, por po flasim për vepra të Mark Ravenhill, do të ketë Shakespeare, tutje ndoshta Kafka, Ismail Kadare. Është edhe një shfaqje që është e vendosur dhe është mundësia të bartet në vitin 2026, është ‘Zjarrndezësit’ e Max Frisch. Kjo do të jetë përafërsisht. Do të ketë regjisorë goxha me emër, por gjithmonë duke mos e harruar pjesën e të rinjve", ka bërë të ditur ai. 

Ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm pritet të zbatohet programi për artistë të rinj, pra aktorë, dramaturgë, regjisorë, skenografë e kostumografë.

“Një ndërlidhje midis teatrove të qytetit së bashku me Teatrin Kombëtar, si në krye dhe arrin të sistemojë pjesën e angazhimit të artistëve të rinj që të jetë në numër sa më të madh të mundshëm. Për tre vjet, pa tre muaj, janë 42 artistë të rinj të angazhuar, të profileve të ndryshme. Kështu që është e kënaqshme, por mund të bëhet më shumë. Nëse arrijmë ta ndërtojmë mirë këtë program, atëherë mendoj se brenda vitit mund të arrihet ky numër i të angazhuarve”, ka treguar Mehmeti. 

Ka thënë se për jubileun e 80-vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të punohet monografia për këtë institucion. 

“Vitin tjetër e kemi 80-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që është vit jubilar. Diku në fund të janarit besoj del edhe pulla postare për këtë jubile. Në fund të dhjetorit do të synohet pa qare që për 80-vjetor ta kemi monografinë e plotësuar e që do të jetë një monografi dinjitoze. Është bërë një monografi diku në vitin 2006 nëse nuk gaboj, por njëkohësisht duhet të bëhet edhe një që do të jetë edhe në anglisht, edhe online, për informata rreth Teatrit”, ka thënë ai. 

Ka bërë të ditur se po ashtu do të botohen veprat fituese të çmimit vjetor për teatër "Katarina Josipi". E si risi ka përmendur atë të cilit i është referuar si Laborator i Dramës Shqipe. 

“Risi është laboratori i dramës shqipe, që do të nis vitin e ardhshëm. Do të ndahet në dy laboratorë gjatë vitit, gjashtë muaj i pari dhe gjashtë të tjerë i dyti, ku do të hynë drama me ide të mira, që mund të punohet gjatë një gjashtëmujorëshi, duke përfshirë edhe ekspertizën që mbulon Teatri Kombëtar. Përveç tentimit për inskenim, do të ketë edhe një përkthim në një gjuhë tjetër që ka treg më të madh", ka thënë Mehmeti. 

Këtë vit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka organizuar festivalin e dramës shqipe “Moisiu”. Ai që parashihej të mbahej vitin e kaluar e që u anulua për shkak të grevës së aktorëve. Udhëheqësi artistik i TKK-së ka bërë të ditur se në mungesë të kushteve,  janë në kërkim të hapësirave shtesë brenda Pallatit të Rinisë për vendosjen e rekuizitave, skenografisë e kostumeve. E një prej gjërave që nuk i mungon asnjëherë është publiku. 

“Një prej gjërave që nuk na mungojnë asnjëherë, është publiku. Nganjëherë them ndoshta nuk është meritë e jona, por publik kemi vazhdimisht. Veç sa i patëm shfaqjet e fundit dhe zakonisht nuk vendosim shfaqje nga 15 dhjetori e tutje sepse publiku është në numër më i vogël, natyrisht për shkak të festave. Në Ditën e Krishtlindjes patëm shfaqje dhe ishte ‘sold out’. Një telashe të vogël e kemi ndoshta që në shfaqjet mysafire nuk është publiku në numër të njëjtë si në ato të Teatrit. Viti nisi keq e po përfundon mirë, do të thosha”, është shprehur Mehmeti. 

Me theks të veçantë e ka përmendur shfaqjen “Litari”. Ka thënë se me të kanë tërhequr publik që nuk ka qenë asnjëherë në Teatër. Ose të paktën këto tri vite sa është mbyllur objekti i Teatrit Kombëtar. 

“Shfaqja ‘Litari’ ka qenë e çuditshme për kah publiku. Është kryesisht i ri dhe që nuk ka qenë asnjëherë në teatër. Kjo pasi publiku shkon në objektin e Teatrit dhe e gjen mbyllur, pastaj telefonon dhe pyet se ku është Teatri. Që i bie që nja tri vjet nuk kanë qenë në teatër. Ka pasur shfaqje që e ka publikun dhe gjatë gjithë javës mund të pyesë një person i ri. Por për këtë shfaqje ka ndodhur që deri në njëzet persona brenda ditës kanë parë që teatri është mbyllur dhe pastaj i kemi orientuar këtu”, ka treguar Mehmeti. Ai pret që në vitin 2026 të vazhdojë trendi i tërheqjes së publikut të ri dhe të ofrohet program cilësor për audiencën e përhershme të Teatrit.