“Konservimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut – Klinë”, siç e mban titullin thirrja publike, ka marrë tri oferta. Ministria e Kulturës ka hapur tender me vlerë të parashikuar dy milionë e 479 mijë euro për të realizuar projektin e hartuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova). Bëhet fjalë për punimet rrethanore e infrastrukturore, ku përfshihet edhe mbuloja e mozaikëve unikë në këto anë. Ofertat janë prej 1.8 deri në 2.2 milionë euro
Tri oferta janë paraqitur për implementimin e projektit që synon ta hapë për vizitorë lokalitetin e mozaikëve unikë të Dresnikut, në afërsi të Klinës. Thirrjes publike të Ministrisë së Kulturës për implementimin e projektit në një prej lokaliteteve arkeologjike më me potencial që ka Kosova i janë përgjigjur pesë kompani. Në një rast janë bërë bashkë dy kompani, në një tjetër tri kompani vendore dhe ofertën e tretë një kompani nga Shqipëria, duke u bërë gjithsej tri oferta për t’i kryer punët. Ofertat kanë jo pak dallime në çmime.
Ministria e Kulturës para një muaji ka hapur tender me vlerë të parashikuar dy milionë e 479 mijë euro për të realizuar projektin e hartuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova). Bëhet fjalë për punimet rrethanore e infrastrukturore, ku përfshihet edhe mbuloja e mozaikëve unikë në këto anë. Pjesë tjetër është restaurimi i tyre që kërkon profesionalizëm të lartë.
“Konservimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut – Klinë” mban titullin thirrja publike për kompanitë dhe mundësia e aplikimit ka qenë deri në fund të javës së kaluar.
Sipas procesverbalit të hapjes së tenderit, grupi i operatorëve, “N.N 100 % Design dhe termoizolimi” kanë ofertuar me 2 milionë e 276 mijë euro. “Limit Project, Riesa dhe Delta – CCD” kanë ofertuar me 2 milionë e 399 mijë euro. Këto dy oferta vijnë nga kompani vendore, kurse “AD Star” me seli në Tiranë ka ofertuar me çmim prej 1 milion e 805 mijë eurosh. Brenda pak ditëve pritet që Ministria e Kulturës të përcaktojë fituesin që parashihet të implementojë projektin.
Konstruksioni metalik pritet t’u bëjë strehë mozaikëve në mënyrë që të kenë mbrojtje nga kushtet atmosferike. Bëhet fjalë për mbetjet e pallatit kryesor të lokalitetit. Pjesët e tjera të kompleksit, që mendohet të ketë qenë vilë perandorake, do të jenë të hapura ndaj ambientit. Është ai që tashmë njihet si pallati i dytë bashkë me ndërtesën e tretë. Mbetjet e një pjese të murit rrethues e të kullës vrojtuese do të jenë në dispozicion të publikut po ashtu. Sipas projektit, ndërtesa multifunksionale do të ketë hapësira për stafin, një lloj galerie, një tip kafeneje e hapësira të tjera. Kurse amfiteatri i hapur do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore. Krejt kjo afër në hapësirë me gjelbërim e vendparkingje. Nëse projekti realizohet siç është paraparë, Dresniku shpejt do të shndërrohet në një atraksion më vete.
Arkitekti Nol Binakaj nga “CHwB Kosova”, që bashkë me udhëheqësin e gërmimeve në Dresnik, arkeologun e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala, kanë çuar përpara projektin, kur ishte hapur tenderi kishte thënë se plani i ndërhyrjes bashkë me masterplanin janë finalizuar dhe implementimi është një lajm tejet i mirë.
“Në bazë të propozimit tonë tenderi e parasheh vetëm ndërtimin e strukturave të reja. Qasja jonë ka qenë që të bëhet lokaliteti i vizitueshëm. Është paraparë ndërtim konvencional që bëhet në Kosovë nga operatorët ekonomikë në vend. Konservimin e strukturave ekzistuese dhe mozaikëve, sipas të gjitha gjasave, do ta bëjnë stafi i Institutit Arkeologjik të Kosovës”, kishte thënë ai. Binakaj kishte treguar se është projektuar çdo detaj në mënyrë që lokaliteti të jetë sa më i qasshëm për të gjithë vizitorët. Ideja ka qenë që edhe projekti për konservim profesional të mozaikëve dhe strukturave të tjera të financohet nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por pak para përfundimit të projektit “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut”, implementuesit janë njoftuar se financimi në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore është ndërprerë. Realisht qenë fondet e SHBA-së që kishin rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut” midis Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Kulturës siguronte 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës kishte ndarë 51 mijë e 830 euro.
Projekti që nisi në shtatorin e vitit 2023 zgjati deri në qershorin e vitit 2025.
Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë, që gjendet afër Klinës, së voni është shpronësuar, gjë që u ka hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas hapave që janë ndërmarrë deri më tani, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore.
Vendimi i Qeverisë për shpronësim ishte parë tejet i rëndësishëm për lokalitetin arkeologjik, i cili që prej vitit 2016 është futur në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire. Shpronësimi ishte vlerësuar si investimi kryesor në lokalitet nga arkeologu që u prin punimeve, Elvis Shala.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore, prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
Pritjet janë që ky lokalitet të jetë ndër më atraktivet në Kosovë dhe të gjenerojë vizita të shumta për kureshtarët e një pallati perandorak të shekujve të parë të erës sonë.