“Një vend pa pemë ulliri s’është vend”, është jo vetëm titull ekspozite por deklaratë e cila frikshëm përkoi dhe parashikoi të sotmen në bregdetin shqiptar të shndërruar në arenë protestash me maksima në mbrojtje të natyrës. “Pyetja që më intereson nuk është çka po ndërtojmë, por çka po zhdukim për ta ndërtuar atë”, ka thënë artisti Driton Selmani kur ka folur për ekspozitën e tij të hapur në Galerinë e Bregdetit në Radhimë të Vlorës. Shumë prej pyetjeve që shtron ekspozita, kanë qenë aty këtu e një vit më parë dhe përplasja me realitetin s’e habit
Driton Selmani përgjatë krijimtarisë së tij artistike natyrën e ka njëfarë baze. E, raporti i njeriut me ekosistemin që e rrethon shpesh shihet brenda koncepteve të artistit nga Kosova. Veprat e tij vijnë me njëfarë ironie të hollë e sarkazme shpotitëse. Çështjet ekologjike përherë janë tema aktuale, njashtu sikurse thirrjet për mbrojtjen e natyrës.
Por nëse Selmanit ndonjëherë i është lidhur fort aktualiteti me ekspozitat e tij, është rasti i Shqipërisë. Saktësisht i rivierës shqiptare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëto ditë Selmani ka hapur ekspozitën personale “A Country without Olive Trees is Not a Country” (Një vend pa pemë ulliri s’është vend) në Galerinë e Bregdetit në Radhimë të Vlorës. Pikërisht këto ditë në Tiranë e edhe në qytete të tjera po vlojnë protestat kundër ngritjes së një resori turistik në Zvërnec, hapësirë bregdetare afër ekspozitës. Kundërshtohet shndërrimi i një zone të mbrojtur natyrore në një hapësirë të turizmit të luksit.
Selmani me vepra edhe minimaliste e me mbishkrime provokon e alarmon për shkatërrimin e natyrës. Nën kurimin e Elian Stefës, ekspozita bashkon fotografi, që përcillen me ndërhyrje skulpturore e edhe mesazhe shkrimore që provokojnë për mendim ndryshe.
Sipas konceptit kuratorial, e konceptuar si pjesë e një ekspozite të dyfishtë që shpaloset përgjatë dy brigjeve – Rivierës Shqiptare dhe “Basel Social Club” – ky projekt krijon një dialog mes peizazhit, punës, zhvillimit dhe dëshirës. Galeria bën me dije se në Radhimë, ekspozita kthehet drejt transformimit të Jugut të Shqipërisë, plazheve, maleve dhe ullishtave të tij shekullore, përmes pozicionit të një dëshmitari që refuzon të mbetet një vëzhgues i heshtur.
“Në qendër të ekspozitës qëndron nocioni i ullirit, i kuptuar jo vetëm si simbol i vendit, vazhdimësisë dhe jetës mesdhetare, por edhe si një arkiv i gjallë, i ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj presioneve të shpejtësisë, markëzimit dhe investimeve që po e përfshijnë. Në këtë kontekst, ulliri bëhet njëkohësisht shënjues dhe viktimë, një figurë përmes së cilës mund të lexohen pyetje më të gjera mbi transformimin territorial”, shkruhet në konceptin kuratorial. Bëhet me dije se ekspozita paraqet një seri mozaikësh të realizuar posaçërisht për këtë projekt, një seri pikturash dhe dy objekte skulpturore.
“Duke punuar me materialet e ndërtimit dhe të marketingut urban, Selmani u jep formë fizike fragmenteve të gjuhës, sloganeve dhe pohimeve poetike që lëvizin mes humorit, kritikës dhe melankolisë. Fjalët e tij, shpesh çarmatosëse në thjeshtësinë e tyre, ndërthuren në një llojllojshmëri që refuzon pafajësinë. Ato duken të lehta, por mbartin peshën e zhvendosjes, aspiratës dhe humbjes”, shkruhet në koncept.
Vetë artisti Selmani ka thënë se për të kjo ekspozitë nuk është mbi natyrën, as mbi zhvillimin, por mbi kujtesën.
“Kam ardhur në këtë bregdet të jugut çdo vit për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet dhe gjatë asaj kohe kam kuptuar se disa vende nuk i banojmë vetëm ne; edhe ato na banojnë neve. Ato hyjnë në biografinë tonë, në mënyrën si e kuptojmë kohën, të tjerët dhe vetveten. Më intereson momenti kur një peizazh pushon së qeni vend dhe fillon të bëhet produkt. Kur një ulli shekullor dhe një parking fillojnë të maten me të njëjtën logjikë ekonomike”, ka thënë ai. Ka sqaruar se çdo formë zhvillimi prodhon edhe formën e vet të humbjes.
“Pyetja që më intereson nuk është çka po ndërtojmë, por çka po zhdukim për ta ndërtuar atë”, ka shpjeguar ai. Sa i përket kontekstit aktual, ka thënë të mos jetë habitur.
“Bashkë me kuratorin Elian Stefa kemi gati një vit që po punojmë mbi këtë ekspozitë. Shumë prej pyetjeve që ajo ngre sot kanë qenë aty qysh në fillim. Atëherë dukeshin si shenja në horizont; sot janë bërë realitet”, ka thënë Selmani. Sipas tij, nëse, siç shkruan Walter Benjamin, “çdo dokument i qytetërimit është njëkohësisht edhe dokument i barbarisë”, atëherë kjo fjali tingëllon veçanërisht aktuale sot.
“Jo pse jemi kundër zhvillimit, por sepse çdo premtim për të ardhmen duhet të lexohet edhe përmes asaj që ai lë pas vetes”, ka thënë ai. Ka shtuar se ekspozita nuk jep përgjigje, por ngulmon në një pyetje të vetme: çka u desh të flijohej që kjo të ndërtohej?

Këto ditë, saktësisht nga 14 deri më 20 qershor, projekti i Selmanit “An Office without a Seaview is Not an Office” (Një zyrë pa pamje nga deti nuk është zyrë) do të prezantohet në “Basel Social Club” në Zvicër. Sipas konceptit, nëse ekspozita në Radhimë regjistron pasojat materiale të zhvillimit, prezantimi në Bazel emërton një nga aspiratat që ndihmojnë në legjitimimin e tij: fantazinë e zyrës me pamje nga deti, kompjuterin në parajsë, horizontin si atribut të produktivitetit dhe arratisjes.
“Të lexuara së bashku, dy ekspozitat formojnë një argument të vetëm kuratorial. Njëri breg flet për shkuljen nga rrënjët, ndërtimin dhe presionin territorial. Tjetri flet për mallin, optimizimin dhe dëshirën për një pamje. Midis tyre, projekti pyet se si peizazhet riformësohen jo vetëm nga kapitali, por edhe nga fantazitë që përgatisin terrenin për mbërritjen e tij”, shkruhet në koncept.
E, Selmani ka thënë se në Radhimë flet për vendin që po ndryshon, kurse në Bazel për njerëzit që e ëndërrojnë atë ndryshim.
“Në Shqipëri shohim ekskavatorët. Në Zvicër më intereson të shoh fantazitë që i sjellin ekskavatorët deri aty. Ekspozita nuk merret me bregdetin si peizazh, por me bregdetin si ide. Me mënyrën se si deti, dielli dhe pamja janë bërë pjesë e një ekonomie globale të dëshirës. Nëse Jugu i Shqipërisë pyet: ‘Çka po humbim?’, atëherë Bazeli pyet: ‘Çka po kërkojmë aq fort sa jemi të gatshëm ta humbim atë?’”, ka thënë Selmani.
Poetika e veprave të tij është therëse. Leximet mund të jenë të ndryshme. E pyetjet që ai ngre mund t’i bëhen gjithsecilit. Kësaj radhe edhe si parashikim e përputhje paraprake me realitetin edhe para se ai të ngjajë.