Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

UNESCO-ja me kurs global për luftën kundër tregtisë ilegale me artefakte

Trashëgimia kulturore

Trashëgimia kulturore nuk është vetëm një përmbledhje objektesh artistike dhe arkeologjike. Ajo përfaqëson themelin e identitetit të komuniteteve dhe dëshmi të historisë së tyre

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji – UNESCO ka nisur një kurs të ri global online kushtuar parandalimit të tregtisë së paligjshme me artefakte, një nga sfidat më të mëdha në mbrojtjen e trashëgimisë botërore.

Bëhet fjalë për një kurs të hapur online (MOOC), i cili ka nisur qysh muajin e kaluar. I dedikohet një game të gjerë pjesëmarrësish: prej ekspertëve të trashëgimisë kulturore deri te përfaqësuesit e drejtësisë dhe organeve të zbatimit të ligjit, thuhet në njoftimin për këtë kurs.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Trashëgimia kulturore nuk është vetëm një përmbledhje objektesh artistike dhe arkeologjike. Ajo përfaqëson themelin e identitetit të komuniteteve dhe dëshmi të historisë së tyre. Kur pasuritë kulturore vidhen, plaçkiten ose shiten ilegalisht, humbet jo vetëm vlera materiale, por edhe kuptimi shkencor, historik dhe simbolik që bartin këto objekte.

Tregtia ilegale shpesh fillon me vjedhje ose gërmime të paligjshme arkeologjike, duke shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme kontekstin e zbulimeve. Përveç kësaj, kjo formë krimi lidhet me rrjete të krimit të organizuar dhe në disa raste kontribuon edhe në financimin e terrorizmit.

Kursi bazohet në instrumente bazike ndërkombëtare, ndër të cilat më e rëndësishmja është Konventa e UNESCO-s e vitit 1970, që përbën bazën e luftës globale kundër tregtisë ilegale të pasurive kulturore. Programi është i ndarë në gjashtë module dhe përfshin: kornizën ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e pasurive kulturore, format e veprimtarisë kriminale që synojnë vendet arkeologjike dhe muzetë, sidomos në zonat konfliktuale dhe pas konfliktit, mjete praktike për mbrojtjen efektive të trashëgimisë kulturore.

Vëmendje e veçantë u kushtohet sfidave bashkëkohore, duke përfshirë: platformat digjitale dhe tregtinë online të pasurive kulturore, bashkëpunimin me tregun e artit, specifikat rajonale dhe rreziqet e sigurisë.

Programi do të përditësohet vazhdimisht për t’iu përgjigjur formave të reja të tregtisë ilegale.

Kursi është i disponueshëm përmes platformës UNESCO Open Learning dhe përfaqëson një përgjigje ndaj kërkesave të shteteve anëtare për një mjet gjithëpërfshirës edukativ që mund të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve kombëtare në luftën kundër këtyre veprave penale.

UNESCO-ja ka ftuar të gjithë të interesuarit, si ekspertët me përvojë ashtu edhe ata që për herë të parë përballen me këtë temë, që të marrin pjesë në kurs dhe të kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.