Kulturë

Ylli i operave, Ermonela Jaho, ua jep arieve kontekstin historik të Gjakovës

Ermonela Jaho

“Unë u njoha me nënë Ferdonijen, u njoha me shumë histori. Kjo Gjakovë e bukur, shtatëqind herë e luftuar, e shkatërruar, shtatëqind herë e ngritur. Dhe përsëri, ai kori i zërave të fëmijëve, kjo dashuri, mbijetesë, është një gjë që më ka dhënë kaq shumë nga ana shpirtërore. Nuk kam dot fjalë. Edhe pse nuk këndova në shqip, janë historitë universale të dhimbjes, të gëzimit, dhe historitë shqiptare kapërcejnë çfarëdo limiti”, ka thënë sopranoja Ermonela Jaho derisa lotët ia kanë përshkuar fytyrën (Foto: Shkëlzen Rexha)

Ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, ka zbërthyer rrëfimet e arieve të kryeveprave operistike, bashkë me kontekstet historike që u përshtaten vuajtjeve të Kosovës e të Gjakovës. Përcjellë nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, nën udhëheqjen e mjeshtrit spanjoll, Sergio Alapont, performanca e saj emocionuese ka qenë një lloj homazhi edhe për dy nënat simbol të vuajtjes pas luftës së fundit, Pashkë Krasniqin e Ferdonije Qerkezin

Arieve të operave botërore, dhimbjes dhe gëzimit, sopranoja e skenave botërore, Ermonela Jaho, u ka dhënë kontekst historik në koncertin e së shtunës mbrëma në Gjakovë. Aty ku zëri i saj jehon, skena merr tjetër dimension. Ngrihet në piedestal. Veprat janë perfeksionuar kaherë dhe emocioni vjen natyrshëm. Ngjan se askush nuk mund të të emocionojë më shumë se ajo. Veçmas në paralelizmin e dhimbjes së plagëve të luftës me këngën lirike. 

Salla e shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë ka qenë përplot e mbushur për një prej ngjarjeve kulturore më me peshë në këtë qytet. Një gosti i ka pritur të pranishmit para se të takohen me skenën përplot instrumentistë duke finalizuar përgatitjet e fundit. 

Brohoritjet e duartrokitjet e forta e kanë pritur Jahon në skenë. Parashfaqja e interpretimit të saj ka qenë përshkrimi i peizazheve të Shqipërisë me gjithë zonat historike, këngët e vjetra e qytetet e Kosovës, përfshirë atë nikoqir të koncertit, sikurse edhe ai për rrënjët e identitetin. E sopranoja në skenë e shijon gjithë performancën me vargjet poetike që thuren për këto troje.

Midis arieve si “O mio babbino caro”, “Un bel di vedremo”, “Senza mamma” të Puccinit, “Casta diva” të Bellinit, kryefjala e ngjarjes në natën hapëse të festivalit “Ditët e Nëntorit”, ka qenë dedikimi i Jahos për historitë e trishta të qytetit jugperëndimor të Kosovës. Finesat i kapërdin lehtë, e interpretimi është thellësisht emocional.

Prezantimi i secilës këngë ka qenë një lloj shfaqjeje më vete. Nëpër vargjet që interpretohen, prezantohet edhe vepra pasuese dhe sjell metaforat që lidhen me të. 

“O mio babbino caro” nga opera “Gianni Schicchi” nga Puccini ka qenë tejet harmonike, e lumtur, e lezetshme, me gjithë virtytet që ia nxjerr në pah zëri e teknika e mahnitshme e Jahos. 

Melodia me flaut e veprës “Lule borë” ka përcjellë interpretimin e një poezie shkodrane. E Jaho shpejt ka ftuar tri këngëtare nga Gjakova që u takojnë tre brezave të ndryshëm. Tok me to ka interpretuar një arie ndërsa performanca është përcjellë nga kori i fëmijëve që ka zënë vend anash rreshtave të ulëseve, në dy anë. 

“Un bel di vedremo” nga opera “Madama Butterfly” e Puccinit ka nisur fuqishëm për t’u kthyer në rrëfim të ndjeshëm. E Jaho, siç kishte bërë edhe në Prishtinë dhe në çdo koncert tjetër, ka sjellë magjinë e ndjesinë e të qenit në një operë të vërtetë me fragmentet e secilës prej atyre që ka sjellë, duke e përjetuar gjithë skenën e rrëfimit. 

Aria “Casta Diva” nga opera “Norma” e Bellinit ka ngjarë që koordinimi i Orkestrës me Jahon është i domosdoshëm. Dirigjenti Sergio Alapont ka qenë përherë duke i dhënë direksione formacionit duke u koordinuar me këndimin e saj.

Performanca me lahutë e vijon rrëfimin për këngët e harruara. Vargjet e një kënge epike interpretohen nga një aktore që ka të veshur xhubletën. Sjell rreshtat e këngëve epike të thurura për dhimbjen e një nëne. 

Me interpretimin e “Senza mamma” nga opera “Suor Angelica” e Puccinit, Jaho ka sjellë interpretimin thellësisht emocional ku roli titullar në këtë operë i këndon dhimbjes, mallit, dashurisë për nënën ndonëse me të nuk është takuar kurrë. Emocionet e dëshirës së saj për t’u takuar me të në botën tjetër e bëjnë jashtëzakonisht të ndjeshëm interpretimin. Këtë arie, Jaho e pati kënduar edhe në koncertin në Prishtinë në qershor të këtij viti. Audienca qe parë e prekur nga interpretimi i saj në këtë pjesë. 

Në njërën prej fragmenteve të rrëfimit para nisjes së performancës së yllit shqiptar në botën muzikore, ka qenë ai për historinë e tragjedisë së familjes së Ferdonije Qerkezit nga Gjakova. Për përkëdheljen dhe daljen e fundit nga shtëpia të katër djemve dhe bashkëshortit të saj më 1999. Narratori ka treguar se si ajo shtron drekën çdo ditë edhe për ata që mungojnë. Se ajo jeton për të mos harruar. 

Kësisoj, Jaho, e cila e ka ideuar gjithë ngjarjen, në podiumin e shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” ka paralelizuar historitë universale të dhimbjes. Duke luajtur skenën e fundit të operës “Suor Angelica” të Puccinit, vetëflijimin e rolit titullar, Angelica, e ka bërë homazh për historinë e nënës Pashkë që u vetëflijua në vitin 2003, kur iu kthyen në arkivole eshtrat e dy bijve të zhdukur. Priti katër vjet për të marrë vesh për fatin e tyre. Zgjodhi që të ikë nga kjo botë e t’u bashkohet atyre duke i vënë flakën vetës.   

E simbol i dhimbjes së një nëne për Jahon, është Qerkezi, e cila ka dy djem të vrarë dhe ende pret, tash e 26 vjet, dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortin. 

Jaho është shfaqur jashtëzakonisht e emocionuar, në pjesët muzikore disa herë ka dalë nga skena, e nën emocione ka thënë se koncerti ka pasur kuptim edhe më shumë pasi ka takuar Ferdonije Qerkezin dhe është njohur me gjithë historinë e saj. 

“Sot vajta vizitova nënë Ferdonijen, u ngarkova jashtë mase dhe duke kënduar përpara saj u ndjeva një çik në faj që nuk arrija të kontrolloja dot lotët. Çfarë mësimi na ka dhënë ajo në paqe. Është një detyrim moral, shpirtëror, që nëpërmjet jush, të gjithë neve këtu, të bëjmë që këto histori të mos harrohen, të mos përsërisim të njëjtat gabime dhe ta duam njëri-tjetrin më shumë, sepse kur ne shqiptarët bashkohemi dhe kur ke histori si ajo e nënës Ferdonije, për humbjet që ka pësuar Kosova, kur duam, vlerësojmë, bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, vetëm një magji ndodh”, është shprehur Jaho në një bisedë për KOHËN. 

Ka thënë se ndonëse nuk ka kënduar në shqip, ato që ka sjellë janë histori universale në të cilat bëjnë pjesë edhe ato shqiptare. 

“Unë u njoha me nënë Ferdonijen, u njoha me shumë histori. Kjo Gjakovë e bukur, shtatëqind herë e luftuar, e shkatërruar, shtatëqind herë e ngritur. Dhe përsëri, ai kori i zërave të fëmijëve, kjo dashuri, mbijetesë, është një gjë që më ka dhënë kaq shumë nga ana shpirtërore. Nuk kam dot fjalë. Edhe pse nuk këndova në shqip, janë historitë universale të dhimbjes, të gëzimit, dhe historitë shqiptare kapërcejnë çfarëdo limiti”, ka thënë Jaho derisa lotët ia përshkonin fytyrën. 

Ajo është shprehur se koncerti, titulluar “Një zë, një komb”, e ka bërë të prekë gjëra që e bëjnë atë njeri e artist më të mirë. Ka thënë se edhe po të jetë koncerti i fundit i saj, më nuk i mbetet peng asgjë në karrierën e saj. 

“Edhe pse është një program që e kam bërë edhe herë të tjera, por këtu ka marrë një dimension tjetër, sepse historitë e vërteta gjithmonë janë ato histori që e vërteta është ajo që të godet në shpirt. Për një artist ajo vërtetësi duhet dhe është detyrim për të, të japë dinjitetin, emocionin t’ia kthejë mbrapsht publikut. Dhe kështu ndodhi këtu. Unë jam e boshatisur, por kam një shpirt dhe sikur të ishte hera e fundit që këndoj sot, nuk gjej dot fjalët”, është shprehur Jaho.  

Vepra e fundit në program, skena finale e operës “Suor Angelica” mbaron tragjikisht. Angelica kupton se djali i saj ka vdekur dy vjet më parë. Ajo shkatërrohet, beson se i biri e saj e thërret që ta takojë në parajsë. Kësisoj ajo përgatit helmin dhe e pi, por ndërkohë që pret vdekjen, kupton se duke vrarë vetën ka kryer një mëkat të madh. 

Nëse do ta luante këtë skenë në një produksion opere, Jaho do të vraponte ta përqafonte imazhin e tij që po i shfaqej, por në përshtatje të kontekstit historik, shqiptar e tradicional, ajo bie përtokë te djepi i mbuluar të cilin e zbulon, e gjen të zbraztë dhe nis e vajton. Tek përqafon atë, shpërthen në lot, vështrimin e hedh tek audienca e sa ngrihet në këmbë, bën me shenjë kah Ferdonije Qerkezi që ka qenë aty duke parë gjithë performancën. Publiku dhe ata që kanë qenë në skenë janë parë të prekur. 
Interpretimin e saj e ka shoqëruar Orkestra e Operës dhe Baletit të Tiranës, nën udhëheqjen e mjeshtrit spanjoll, Sergio Alapont, një prej më të shquarve të gjeneratës së tij. 

Është shprehur i prekur dhe me fat që ka përjetuar emocionet e koncertit, duke iu referuar Ferdonije Qerkezit si dritare e historisë dhe e dhimbjes. 

“Kurrë në jetë nuk do ta harroj personin që e takova të këtë mbrëmje, një dritare e historisë së humbjes së bashkëshortit dhe katër djemve. Edhe nëse dinim gjithçka nga kjo luftë, ta kuptojmë ballë për ballë atë është shumë më i dhimbshëm. Është mësim i madh për mua fakti që kjo grua ende lufton në vazhdimësi ditë pas dite. Kjo tregon se sa i fortë është ky vend, këta njerëz. Jam prekur shumë nga gjithë ajo që keni përjetuar në një periudhë shumë të afërt. Është i njëjti horror që po e jetojmë në këtë kohë dhe askush nuk ka mjaftueshëm kurajë dhe qartësi për të thënë të vërtetën për atë se çfarë po ndodh”, është shprehur ai. 

Vepra e fundit në program, skena finale e operës “Suor Angelica” mbaron tragjikisht. Angelica kupton se djali i saj ka vdekur dy vjet më parë. E Ermonela Jaho krejt këtë e ka përshtatur me humbjet e fëmijëve në luftën e fundit në Kosovë

Me Orkestrën ka bashkëpunuar tash e një vit, por ka qenë hera e parë me sopranon Ermonela Jaho, të cilën ka thënë se është prej më të mirave në skenën botërore. 

“Kam qenë shumë me fat që kam punuar me shumë artistë të mëdhenj, por kurrë nuk kam gjetur një artist që, mund të them edhe më e mira, e që është një njeri si engjëll i vërtetë në planet. Çfarë mund të them. Kur bën muzikë është një talent si dhuratë prej Zotit, është si xhevahir. Jeni shumë me fat të keni një artiste kaq të sinqertë dhe me kaq shumë njerëzillëk, jo në forma të tjera, përpos nderimit. Nuk ka të bëjë me famën, por me pjesën njerëzore. Vërtetë e adhuroj Ermonelën. Është njeri unik”, është shprehur dirigjenti Alapont. 

Pianistja Sihana Bunjaku-Vitaku ka thënë se Jaho me performancën e saj ka emocionuar të gjithë.

“Është privilegj për ne që e kishim Ermonelën këtu. Ishte një performancë e paparë ndonjëherë. Jemi shumë të emocionuar dhe nuk besoj që ngeli dikush nga audienca pa u përlotur me performancën e saj që e ndërlidhi me kohën e luftës. Prezentë në audiencë kishim edhe persona si Ferdonije Qerkezin, së cilës ia kishte kushtuar enkas një këngë. Thjesht ishte shumë emocionuese, impresionuese, dhe shpresoj që sa më shpesh ta kemi këtu”, ka thënë ajo. 

Njëri prej organizatorëve të ngjarjes, Dion Deva, drejtor në “Fondacionin për Gjakovën” që organizon “Ditët e Nëntorit” si dhe “Ditët e Shqiptarit” në periudhën e verës, kur mërgimtarët kthehen në vendlindjen e tyre, ka treguar se ka qenë pikërisht edhe vizita e Jahos në këtë ngjarje, ku ajo, siç është shprehur Deva, e ka ndier obligim që ta sjellë një performancë të tillë.

“Në ‘Ditët e Shqiptarit’ që u mbajt para tre muajve, Ermonela ka qenë në Gjakovë. Ajo ka takuar disa persona nga Gjakova, është shoqëruar, ka pyetur, ka mbajtur një masterklasë, ka takuar artistë të rinj, dhe më pas ka vendosur dhe e ka ndier si obligim që Gjakovës t’ia dhurojë një koncert të tillë, duke u bazuar në ngjarjet që i ka parë nga afër dhe i ka takuar këta njerëz, sidomos nga lufta e fundit që ka ndodhur. Ajo ka ardhur, e ka ideuar, e ka realizuar, bashkë me kryetarin e bordit, Ermal Hasimja si dhe bashkëshortin e saj dhe e kanë bërë të mundur këtë koncert sonte”, ka thënë ai. 

Koncerte, panele diskutimi, panair libri e konferenca organizon kjo ngjarje në edicionin e dytë që u hap të shtunën dhe vazhdon deri më 29 nëntor. Deva e ka konsideruar koncertin e hapjes me Jahon si ngjarja kulmore për këtë vit. 

“Mund të them se është ngjarja kulmore e ‘Ditëve të Nëntorit’ për këtë vit. Ermonela, për momentin është sopranoja më e famshme në botë dhe jemi shumë të lumtur që e përmbyllëm natën e parë dhe e hapën Festivalin me një ngjarje si kjo. Një ngjarje e cila i ndërthuri ariet më të famshme botërore, me ngjarjet që i kanë ndodhur popullit tonë dhe ndërlidhjen që e kanë ato midis vete”, ka thënë ai. 
Elementet e identitetit kombëtar, si xhubleta e lahuta, kanë qenë pjesë e skenografisë në krye të së cilës ka qëndruar imazhi i njërës prej këngëtareve më të mëdha të këngës lirike në botë. 
Ndjesinë e operave botërore, Ermonela Jaho e pati sjellë edhe në Prishtinë, më 8 qershor të këtij viti, e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe asaj të Operës së Kosovës, nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli. Pati prezantuar talentin e jashtëzakonshëm me inkurajimin për shtëpi operistike në vend.