LAJMET E MBRËMJES

Presidentja kritikohet për deklaratën se në Kosovë u shpartalluan mbi 900 banda

Reagime të shumta ka nxitur deklarata e presidentes Vjosa Osmani se në pesë vjetët e fundit janë shkatërruar mbi 900 banda kriminale. Kritikat nga opozita ishin të shumta e më pas presidentja dha edhe një sqarim ku, sipas saj, bëhet fjalë për një gabim të paqëllimshëm. Po ashtu edhe pjesa e videos ku foli për këtë është fshirë

Deklarata e presidentes Vjosa Osmani se në pesë vjetët e fundit janë shpartalluar mbi 900 banda kriminale, ka nxitur reagime të shumta.

Gjatë intervistës së dhënë në Berlin për “Politico”, Osmani tha po ashtu se “mafia e Ballkanit është goditur dhe se në Kosovë nuk ka më banda kriminale”.

E pas lumit me kritika, presidentja në një sqarim u shpreh se ishte gabim i paqëllimshëm dhe se iu referua kryesisht bandave në veri të vendit.

“Ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve. Bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste nga keqpërdorimi i votave që nga viti 2021, te presioni ndaj qytetarëve serbë, futja e armëve ilegale, dhuna ndaj qytetarëve, djegia e makinave dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it kemi 93 raste të evidentuara. Pra, bëhet fjalë për qindra raste, dhe ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet. Ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë korrigjimi në intervistë, dhe as ‘Politico’ nuk e ka përdorur atë pjesë”, ka thënë Osmani të hënën.

Në reagimin e deputetëve dhe ish-deputetëve nga opozita e deritashme thuhet se me këtë deklaratë, Osmani ka dëmtuar imazhin e Kosovës.

“’900 banda kriminale të shkatërruara’ nuk është vetëm një statistikë e rreme, por është autogol diplomatik që i bëhet Kosovës. Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar. Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm. Sigurisht se ky i fundit nuk është rasti i vetëm. Dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit. Kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë”, ka shkruar deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.

Kanë reaguar edhe nga PDK-ja.

“Kur ishin në opozitë, i përhapën stereotipat për Kosovën si me qenë favella e Ballkanit. Një shtet kriminal, me 900 banda, drogë, zhvatje, prostitucion…  Tani që kanë ardhur në pushtet, po mundohen t’i zhdukin stereotipat që vetë i kanë përhapur. Edhe kësaj radhe me të njëjtën doktrinë. Me doktrinën serbe të gënjeshtrave”, ka thënë deputeti Artan Behrami.

E ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se kjo është një prej deklaratave më shqetësuese që mund të dalë nga goja e një presidenteje.

“Nëse, siç thotë presidentja, Kosova ka pasur 900 banda, dhe secila prej tyre ka vepruar qoftë edhe me numrin minimal prej vetëm 3 personash, atëherë kjo do të thotë se kemi pasur së paku 2,700 kriminelë aktivë. Pyetja më e thjeshtë që lind është: ku janë këta kriminelë?”, ka thënë Berisha.. 

Ndërkohë videoja e intervistës, e cila fillimisht ishte postuar në Facebook nga presidentja, është zëvendësuar me një link të ri të kanalit në YouTube. Në versionin e redaktuar, është hequr pjesa ku Osmani flet për “çmontimin e mbi 900 bandave kriminale”.