LAJMET E MBRËMJES

Aksidenti nga ministrja Hajdari, seanca mbahet larg mediave me kërkesë të avokatit të saj

Me kërkesë të avokatit të ministres Rozeta Hajdari, seanca e së hënës ku ajo është e pandehur për shkaktim të një aksidenti me lëndime trupore, u mbajt me dyer të mbyllura për mediat. Kjo u kundërshtua nga familja e të miturës që u godit me veturë prillin e vitit të shkuar, por gjyqtari pranoi kërkesën e avokatit të ministres

Për aksidentin ku u përfshi ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të hënën u mbajt seancë gjyqësore, por me dyer të mbyllura për publikun.

Duke u thirrur në të drejtat dhe mbrojtjen e identitetit të së miturës, që u godit me veturë nga Hajdari në prill të vitit të shkuar, avokati i ministres kërkoi që seanca të vazhdojë pa praninë e mediave. Kjo u kundërshtua nga familja e së miturës.

Por pas 10 minutash konsultime, gjyqtari Shaqir Mazreku pranoi kërkesën e avokatit të ministres Hajdari.

“Seanca e shqyrtimit gjyqësor, edhe për interes të të miturit mbyllet seanca për media dhe për publikun. Në bazë të kodit të procedurës penale neni 289, paragrafi 1 pika 1.2”, tha Mazreku.

E për videon e aksidentit që u publikua ditëve të fundit, Florim Shefqeti, mbrojtës i të dëmtuarës, tha se ka kërkuar që ajo të fshihet nga rrjetet sociale dhe shtoi se gjetjet e ekspertizës dëshmojnë se aksidenti ishte i shmangshëm nëse shpejtësia e ngasjes së automjetit nga ministrja do të ishte më e ulët.

“Por, ne vlerësojmë që në aspektin e superekspertizës, edhe superekspertiza e ka konstatuar që lëshimet kanë qenë në anën e të pandehurës. Sepse, atje konstatohet që e njëjta sikur të kishte shpejtësi më të vogël nuk do të vinte deri tek aksidenti”, theksoi Shefqeti.

Për gjetjet e ekspertizës, mendim tjetër dha avokati i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku.

“Rozeta Hajdari në momentin e aksidentit ka qenë duke e respektuar ligjin për komunikacionin, duke i respektuar shenjat edhe veprimet të cilat i ka ndërmarrë në bazë të krejt ekspertizës, janë veprime të lejuara ligjore”. Tha Bunjaku.

Hajdari ngarkohet për veprat “mospërshtatje e shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Për të mërkurën është caktuar seanca e radhës, ku do të dëshmojnë profesionistët e angazhuar në kryerjen e ekspertizës.