Gjatë një aksioni të përbashkët të Inspektoratit të Prishtinës, Policisë së Kosovës dhe AVUK-ut në tregun e veturave, janë shqiptuar 15 gjoba për shitës ilegal të shpezëve dhe bagëtive të vogla. Shitësit kundërshtuan aksionin duke bllokuar rrugën, ndërsa autoritetet theksuan se aktiviteti i tyre nuk është i lejuar në këtë zonë dhe paraqet rrezik për shëndetin publik
Inspektorati i Prishtinës, Policia e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, mëngjesin e së dielës zhvilluan aksion të përbashkët te hapësirat e tregut të veturave, duke gjobitur 15 shitës ilegalë të shpezëve dhe bagëtive të vogla.
Gjatë aksionit autoritetet hasën në rezistencën e shitësve, të cilët fillimisht bllokuan rrugën, me arsyetimin se me këtë ndërhyrje po u cenohet mbijetesa.
Fermeri Rexhep Musliu tha se shet grurë dhe asnjëherë nuk ka hedhur mbeturina.
“Halli jonë me dalë e me shit, jam bujk, kurrfarë rroge nuk kam, i kam katër thasë grurë në kombi për me e shitë, nuk po na lejojnë këta, ku me i çua me i shit.. Një ditë është pazar këtu, asnjë mbeturinë nuk po e hedhim, asgjë nuk jemi tu bë.. Familjen e mbaj me qit punë.. Tregu është brenda, ku me i çua me i shit ata unë? Nuk na lënë me hi atje”, ka deklaruar Musliu.
Drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci, tha se kjo pjesë e hapësirës publike nuk është e destinuar për shitje të tilla.
“Këtu njëkohësisht është bërë edhe therja e tyre, gjë që ka çuar natyrisht pastaj edhe në një pamje tepër të keqe, po edhe të një dukurie e cila mund të kishte pasur edhe shpërndarje të infeksioneve të ndryshme. Kjo hapësirë tani e tutje në asnjë formë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë periudhë kohore më nuk do të jetë e destinuar për treg, siç është përdorur deri më tani”, ka thënë Brestovci.
Shefi i zyrës për informim në AVUK, Muharrem Shahini, shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë është e dëmshme për shëndetin.
“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjenci dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin”, ka theksuar Shahini.
Tregu i veturave në Prishtinë organizohet të dielave dhe frekuentohet nga shumë qytetarë. Aty, përpos automjeteve shiten shpezë, kafshë të imta, mjete pune, veshmbathje e shumë artikuj të tjerë, kryesisht të përdorur.