Pesë ankesa janë dorëzuar në PZAP lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja. Dy ankesa janë ndaj partisë së Nenad Rashiqit, një ndaj Koalicionit Vakat dhe dy nga kandidatët e PDK-së - Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kyreziu, që kanë kërkuar sërish rinumërim të votave preferenciale brenda partisë
Në gjashtë fshatra ku janë vetëm 6 serbë, partia e Nenad Rashiqit i ka fituar 203 vota, pretendon Nova Demokrastka Stranka, subjekt i udhëhequr nga Emilja Rexhepi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të hënën ka pranuar pesë ankesa ndaj rezultatit përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë orët e fundit të afatit, NDS, parti boshnjake që udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit në Legjislaturën e X, Rexhepi, është ankuar për votat e partisë Za Slobodu Pravdu i Opstanak (ZSPO) me kryetar Rashiqin, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim.
Bazuar në ankesë, në fshatrat Reçan, Lubinjë e Epërme, Lubinjë e Poshtme, Manastiricë, Gërnçar dhe Planjanë, të gjitha në Prizren, ku sipas dokumentit jetojnë 8259 boshnjakë e 6 serbë, ZSPO-ja që garoi për t’i përfaqësuar serbët, mori mbi 200 vota.
NDS-ja me këtë ankesë kërkon anulimin e këtyre votave.
“Dyshimi i bazuar rrjedh nga fakti se votat e lartpërmendura janë realizuar në mjedise ku, sipas të dhënave zyrtare demografike, komuniteti serb nuk ka prani reale apo relevante, prandaj ekziston nevoja që PZAP-ja të verifikojë nëse përdorimi i tyre për përllogaritjen e mandatit të garantuar ka çuar në keqpërdorimin e mekanizmit kushtetues të vendeve të garantuara dhe në cenimin e përfaqësimit autentik të komuniteteve joshumicë”, thuhet në ankesën e NDS-së, dorëzuar në PZAP.
NDS-ja, në një ankesë tjetër, ka kërkuar që të anulohen edhe 94 vota që i ka marrë subjekti rival boshnjak, Koalicija Vakat, në fshatin Velezhë të Prizrenit.
Siç thuhet në ankesë, në këtë vendbanim jeton vetëm një boshnjak e të gjithë të tjerët janë shqiptarë.
Të dyja këto parti boshnjake kanë marrë nga një ulëse në kuvend, bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit.
E ndaj partisë së Rashiqit pati edhe një ankesë tjetër.
Siç raporton Kossev, Lista Serbe është ankuar në PZAP lidhur me vota, që sipas tyre, ZSPO-ja i ka marrë nga shqiptarët.
Ankesë në PZAP kanë dorëzuar edhe kandidatët e Partisë Demokratike për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
Të dy para deponimit të ankesës mbajtën edhe konferencë për media.
Haxhiu ka thënë se rinumërimi i 7.41% të votave ka konstatuar gabime gjatë numërimit fillestar, e që sipas tij, një rinumërim i plotë mund ta ndryshojë përbërjen e kuvendit.
Haxhiu ka kritikuar edhe KQZ-në për mospublikim të raportit të rinumërimit.
“Dhe po kërkoj nga PZAP-ja që të mos e lejojë certifikimin e një rezultati zgjedhor i cili është i pasaktë. Nuk po kërkojmë procedura të jashtëzakonshme, po kërkojmë një procedurë që e parasheh ligji – rinumërimin”, ka thënë Haxhiu.
E kandidati tjetër për deputet Qëndrim Kryeziu, ka thënë se ligji nuk thotë që duhet të falen gabimet sado të vogla që janë
“Por ligji nuk thotë që duhet t’i falim, ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njëjtë dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Kështu që ne s’po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, po kërkojmë vetëm ata që na kanë votuar t’i falënderojmë dhe t’i kemi numrin e saktë të votave sepse dihet që ka aty më shumë gabime sesa thonë ata. Kështu që ne kërkojmë të drejtën tonë që të numërohet çdo votë dhe asnjë gjë më shumë”, ka thënë Kryeziu.
Haxhiu është kandidati i parë në listën e të papranuarve te PDK-ja. Ka 102 vota më pak se Rrustem Mustafa që ka siguruar ulëse në Kuvend.
Derisa Kryeziu është shumë më larg nga zona që siguron mandat në Kuvend. Ai ka përfunduar i 45-ti me 6.758 vota.
Lidhur me këtë çështje, Haxhiu dhe Kryeziu ishin ankuar edhe pas përfundimit të rinumërimit, por edhe PZAP-ja dhe Gjykata Supreme ua kishin refuzuar kërkesat për rinumërim të të gjitha votave preferenciale të PDK-së.
PZAP-ja ka afat 4 ditë për të kthyer përgjigje në ankesën e tyre. Nëse ankesat refuzohen, ata kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat.
Me përfundimin e shqyrtimit të ankesave, KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare.
Bazuar në to, nga partitë shqiptare VV-ja ka fituar 47.13 për qind ose 53 ulëse, PDK-ja 19.44 për qind ose 22 ulëse, LDK-ja 16.69 për qind ose 18 ulëse dhe AAK-ja 6.74 për qind ose 7 ulëse.