Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën mesditën e sotme, ku tre anëtarë të një familjeje, babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij 9 dhe 12 vjeç, humbën jetën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në banesën e tyre. Banesat ku jetonin janë ndërtuar nga Komuna, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale
Dy fëmijë, njëri në moshë 9 vjeç e tjetri 12 dhe, si dhe babai i tyre 35 vjeç kanë humbur jetën nga shpërthimi i zjarrit në banesën ku ndodheshin në Malishevë.
Ata u gjetën pa shenja jete mesditën e së enjtes nga të afërm të tyre, pasi tymi kaploi banesën dhe filloi të dalë nga dera. Dyshohet se viktimat u asfiksuan nga tymi brenda banesës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë nga të afërmet e viktimave, Florentina Bytyçi, ka treguar momentin kur janë gjetur të vdekur fëmijët me babanë e tyre.
“Ishin në dorë të kunatës. Unë u mundova me i prekë me pa se a kanë puls por nuk pashë se kanë shenja jete. I mora fëmijët dhe i dërgova në ambulancë. Nuk munda as me i puthë e përqafë për herë të fundit”, ka thënë ajo. “Shumë më janë dhimbsur. I kisha si fëmijët e mi”.
E, prokurorja e rastit Ardita Beqiri-Hyseni nuk dha detaje për shkaqet e zjarrit, ndërsa bëri të ditur se trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Edhe eksperti i zjarrit, edhe të gjithë ekspertët janë në vendngjarje. Shiko, në vendngjarje shihet që është në tërësi, është tym, ka pasur zjarr në vend, po se si, çka e tutje ju njoftojmë pasi që t’i marrim raportet nga ekspertët përkatës”, ka thënë prokurorja Beqiri-Hyseni.
Në vendin ku ka ndodhur tragjedia, ka dalë edhe nënkryetari i Malishevës, Vesel Krasniqi. Ai tha se është bërë e pamundura për t’i shpëtuar jetët e të treve, por ekipet nuk ia kanë dalë.
Edhe ai tha se nuk dihet se si është shkaktuar zjarri.
“Hetuesia është duke e kryer punën e vet... Ajo që dihet nga stafi mjekësor është nga asfiksimi, do të thotë nga tymi i cili ka ndodhur aty çka ka mundur me u djeg”, ka thënë Krasniqi.
Banesat, ku ndodhi zjarri, janë ndërtuar nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale.
Burime të KOHËS thanë se aty kanë jetuar katër fëmijët me babanë që ishte i divorcuar nga nëna e tyre.
Banorët thanë se në momentin e përhapjes së zjarrit, njëri fëmijë ka qenë në shkollë e tjetri në çerdhe. Tek folën në kushte anonimiteti, ata fajësuan komunën për kushtet e rënda në ndërtesë, dhe hodhën dyshime edhe për zjarrin e shkaktuar.
Por, nënkryetari Krasniqi i mohoi pretendimet.
“Banesat nuk i kanë të përhershme. Këto i kanë sipas nevojës. Në momentin që e bëjnë një zgjidhje, lirohet banesa dhe vjen dikush tjetër. Edhe në vazhdimësi kontrollohen banesat. Kjo me energji elektrike, probleme përveç reduktimeve nuk ka pasur asnjë lajmërim asnjëherë që ka pasur ndonjë problem tjetër, në asnjë rast tjetër”, ka thënë ai.
Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, ka ngushëlluar familjen dhe të afërmit e viktimave.