Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji kërkesën për anulim të dy vendimeve, atë për shtrenjtim të rrymës, si dhe për daljen në treg të hapur të rreth 1.300 bizneseve. Por, pas takimit me bordin e këtij institucioni, deputetja Hykmete Bajrami tha se nuk presin përgjigje pozitive.
Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës për anulimin e dy vendimeve nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, atë për shtrenjtim të rrymës dhe daljen në treg të hapur të rreth 1.300 bizneseve nuk pritet të marrë përgjigje pozitive.
Kjo kërkesë është nënshkruar nga vetëm 30, prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja Hykmete Bajrami, pas dorëzimit të saj dhe takimit me bordin e këtij institucioni, tha se nga ZRRE-ja u tha se vetëm subvencionimi nga Qeveria mund ta shtyjë këtë vendim.
“Nuk është se morëm përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre, një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm Qeveria e Kosovës, kushdo që është duke kryer detyrën e ministrave, pasi bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro diferencë në mim, e cila duhet të vijë nga subvencionimi i buxhetit të shtetit përndryshe këta detyrohen që vendimin ta lënë në fuqi dhe nga 1 qershori të kemi pikërisht këtë”, tha Bajrami.
Ani se në treg janë 19 operatorë për furnizim, sipas Bajramit ,bizneset kanë marrë oferta vetëm nga KESCO.
“Ajo çka ne argumentuan dhe mendojmë që nuk janë pjekur kushtet për zbatim të kësaj për treg të hapur – është që ne në treg sa i përket furnizimit me energji nuk kemi konkurrencë. Kanë marrë kërkesë vetëm përmes KESCO-s e cila ka ofertu çmim 260% më të lartë”, tha Bajrami.
E Visar Azemi nga kjo parti tha se gjatë takimit nga ZRRE-ja iu është thënë se Qeveria në detyrë ka refuzuar kërkesën për subvencionim.
“Ne do të kërkojmë nga qeveria në detyrë që të reflektojë pasi ky dëm që po I shkaktohet bizneseve do të ketë efekt zinxhiror deri te konsumatori i fundit”, tha Azemi.
ZRRE-ja më 16 prill ka marrë vendim për shtrenjtim të rrymës për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Ky institucion vendosi që nga 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë ose qarkullim prej 10 milionë eurosh të dalin në treg të hapur, vendim ky i shtyrë vit pas viti nga 2017.
Por, kjo po kundërshtohet nga bizneset, të cilat kanë konsideruar kohë të shkurtër daljen në treg të hapur, si dhe situatë e papërshtatshme ekonomike.