Zbatim të plotë të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit ka kërkuar Bashkimi Evropian nga Kosova dhe Serbia. Pas takimit që i dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se do të ketë ftesë për takim të nivelit të lartë, por që për këtë është në pritje të kohës së përshtatshme
Bashkimi Evropian (BE) është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për ta ftuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë të ditur të enjten një zëdhënës i bllokut evropian.
Të pyetur nga KOHA lidhur me takimin që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, e ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Brukselin zyrtar kanë thënë se gjatë këtij takimi është kërkuar zbatim i plotë i të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu.
“Sorenseni bëri thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut dhe përsëriti pritshmërinë e Bashkimit Evropian për angazhim konstruktiv nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia – në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut, sapo të krijohen kushtet e përshtatshme për këtë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Më herët gjatë vitit, Kallasi pati thënë se për takimin në kuadër të dialogut është duke u pritur derisa Kosova ta formojë qeverinë e re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.
Pas takimit me Sorensenin, Vuçiqi ka thënë se diplomatit danez ia ka shprehur interesimin për të bërë hapa konkretë në zbatimin e marrëveshjeve dhe se ai ka gatishmëri për kompromise.
Por kjo gatishmëri e shprehur nga Vuçiqi është kontestuar në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Në Ekzekutiv kanë thënë të mërkurën se është Serbia ajo që për vite me radhë e ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe ato me urgjencë humanitare - si atë për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Krahas refuzimit për të nënshkruar Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, Serbia i pati dërguar edhe letër Bashkimit Evropian, me të cilën e ka shprehur qëndrimin kundër zbatimit të disa pikave, të cilat lidhen me njohjen e Kosovës dhe me anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) apo në mekanizma të tjerë të saj.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit janë takuar në Bruksel në shtator të vitit 2023, pak ditë para sulmit të grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Një takim midis tyre u pati aranzhuar të mbahej në qershorin e 2024-tës, porse ai është kushtëzuar nga Kurti me dorëzimin e organizatorit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.
Që atëherë, takimet e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë në kuadër të dialogut janë zhvilluar ndaras me zyrtarët e lartë të BE-së. E takime bilaterale dhe trilaterale janë zhvilluar mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të mëhershëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në fillim të 2023-tës Kosova e Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, kanë thënë në BE teksa i kanë akuzuar Kosovën e Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.
Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri aktualisht në detyrë, Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia. Pasuesi i tij, Peter Sorensen nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt.
Emërimi i tij në detyrën e emisarit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Si diplomat prej shumë vitesh, ai ka qenë i angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë. Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.