Ligjvënësit e legjislaturës së nëntë me radhë sërish e kundërshtuan kandidaturën e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. E në këtë vazhdim të seancës konstituive ajo mori tri vota më pak sesa në pesë rundet e kaluara të votimit. Pas ndërprerjes së seancës partitë deri dje në pushtet dhe në opozitë kanë kritikuar njëra-tjetrën për bllokadën e shkaktuar
Të martën deputetët i thanë për të gjashtën herë jo kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Kësisoj seanca konstituive e nisur më 15 prill dështoi edhe për herën e tetë radhazi.
Lëvizja Vetëvendosje, ani se nuk i ka 61 votat e nevojshme të deputetëve për ta zgjedhur Haxhiun, sërish nuk lëvizi nga rikandidimi i saj.
E me gjithë bllokadën, propozuesi nga partia fituese u shpreh i kënaqur që, siç tha, po e ruan konsistencën.
“Më vjen mirë që e kam marrë epitetin e një propozuesi stabil”, ka thënë deputeti Glauk Konjufca.
Përpjekjeve të LVV-së për ta zgjedhur Haxhiun nuk ia bënë hyzmetin as vetë deputetët e partisë, pasi në sallë të martën nuk qenë tre prej tyre.
“Neve sot na mungon një deputet, Nezir Kraki, por nëse, si opozitë, mund të na e huazoni një, ju kishim falënderuar shumë. Propozimi ynë është Albulena Haxhiu”, ka shtuar Konjufca.
Ligjvënës të opozitës së kaluar nuk dhanë vota hua. Edhe atyre iu munguan pesë deputetë. E ata që ishin në sallë, të gjithë e kundërshtuan propozimin e LVV-së.
E Nisma e ruajti sërish treshen abstenuese.
“Për kemi 54 vota, 44 janë kundër dhe tri abstenime”, ka thënë kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Në vazhdimësinë e seancës konstituive janë një numër deputetësh që refuzojnë të marrin pjesë në votim. 9 deputetët e Listës Serbe, përveç votimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, nuk kanë marrë pjesë në votim, në asnjërin prej vazhdimeve të seancës konstituive.
Për disa mbledhje radhazi në votim nuk kanë marrë pjesë as dy deputetët nga grupi multietnik, Adem Hoxha e Duda Balje.
Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrë më 2014, lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryekuvendarit të asaj kohe, qe konstatuar se deputetët nuk janë të liruar nga votimi në seancë konstituive.
Aty theksohet se ata duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes në tri mënyra.
“Në konstituimin e Kuvendit të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, thuhet në aktgjykim.
Pas dështimit të votimit seanca e së martës u ndërpre sërish për 48 orë.
Deputetët që nuk e kanë kryer ende asnjë punë që nga betimi, të enjten e 1 Majit, ditën e punëtorëve, do ta bëjnë tentimin e radhës për konstituim të legjislaturës së re.
Ndërkohë, ndonëse Rregullorja e Kuvendit e parasheh zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit si pika të ndara, në Lëvizjen Vetëvendosje u ofruan partive deri tash në opozitë që votimi i tyre të bëhet në pako.
Ministri në detyrë i Financave e deputet i LVV-së, Hekuran Murati, paralajmëroi vazhdim të ngërçit në Kuvend po qe se tabori tjetër politik nuk e pranon atë që ai e quajti kompromis të partisë më të madhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai insistoi se deputetja Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate e LVV-së për kryekuvendare, edhe po të bëhej zgjedhja e kryesisë me një votim të vetëm.
“Të tri partitë e mëdha pra të mblidhen, të dakordohen në paketë emri i kandidates Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, si dhe tre emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim për t'i votu. Përndryshe, nëse insistohet në këtë situatë nga opozita është paradoks dhe është situatë nga e cila nuk mund të dalë Kuvendi”, ka thënë Murati.
Por tri nene të Rregullores së Kuvendit përcaktojnë votim të veçantë për kryetar e nënkryetarë. Njëra prej tyre lidhet me rendin e ditës. E dy të tjera përcaktojnë renditjen pasuese.
Por në PDK e LDK edhe të martën i përsëritën qëndrimet kundër kandidates së LVV-së e këtë parti e akuzuan se e ka marrë peng Kuvendin.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se Vetëvendosje duhet t’i kuptojë tri çështje.
“Demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Vërtet është e tepërt që të sillemi këtu çdo dy ditë, duke pritur që t’i thirrin arsyes dhe të propozojnë një kandidat apo një kandidate që e merr shumicën e deputetëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket LVV-së.
“Ne njohim të drejtën e të parit për të propozuar, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne e bartim votën tonë tek një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesave të tyre”, ka thënë ajo. Sipas Bajramit, kjo situatë politike është shndërruar në teatër.
“Pengmarrja e institucioneve nga ana e Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Ata përballen me probleme të ndryshme e ato s’i adreson askush. Na vjen keq që në bazë të rezultatit dhe vullnetit tonë jemi pjesë e Kuvendit, por pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Në AAK kanë dalë me propozim për përfshirjen e ndërkombëtarëve për daljen nga ngërçi.
“Mendojmë edhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që me zgjedhë një shesh ndër sheshet kryesore të Prishtinës dhe me ia vu emrin e presidentit Trump, në mënyrë që të angazhohen edhe të mos na harrojnë më, sepse na kanë harru s’po merret kush më me neve dhe si duket ne nuk jemi të zotë për me e zgjidhë asnjë situatë politike në Kosovë”, ka thënë deputeti Bekë Berisha.
E kryetari i Nismës, Famir Limaj, ka thënë se për aq sa LVV-ja nuk e ka shumicën parlamentare, nuk do të mund të zgjidhet as Kryesia e Kuvendit e as Qeveria.
“Partia që e ka të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit duhet t’i bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të ndërtuar shumicën parlamentare. Shumica parlamentare e nënkupton koalicionin qeverisës, edhe për Parlament, edhe për Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, ka deklaruar Limaj.
Të martën dështoi tentimi i tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, si dhe përpjekja e gjashtë për votimin e Haxhiut si kryetare e Kuvendit. Me këtë Kuvendi ka hyrë në javën e tretë të ngërçit.