Ndërsa madhështia, pompoziteti dhe bujaria do të jenë në qendër të vizitës shtetërore të Trumpit në Mbretërinë e Bashkuar, jo të gjithë do ta mirëpresin udhëheqësin amerikan me krahë hapur.
Koalicioni "Stop Trump" - i cili përfshin mbi 50 sindikata dhe organizata bamirësie, thotë se do të organizojë një demonstratë kombëtare kundër vizitës shtetërore të Trumpit të mërkurën.
Grupi thotë se do të mblidhet në Portland Place në mesditë pastaj do të marshojë drejt Sheshit e Parlamentit dhe do të mbajë një tubim më vonë.
Edhe pse Trumpi nuk do të vizitojë Parlamentin, i cili aktualisht është në pushim, grupet thonë se do të demonstrojnë për të "mposhtur politikën e Trumpizmit" dhe për të promovuar "një vizion alternativ demokratik të botës, bazuar në paqe, drejtësi sociale dhe bashkëpunim ndërkombëtar".
Koalicioni "Stop Trump" thotë se dëshiron të "luftojë kundër qeverisë britanike dhe elitës politike kur ajo përpiqet të qetësojë" politikat e Trumpit.
"Një qeveri që do t'i përulet Trumpit dhe racizmit është ajo që do t'i hapë derën fashizmit", ka thënë një zëdhënës i koalicionit "Stop Trump" në një video të postuar në X.
Kreu i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, ish-lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn dhe Ben Jamal, drejtori i Fushatës së Solidaritetit me Palestinën, do të flasin në protestë.
Kjo protestë vjen gjithashtu pas marshimit më të madh të ekstremit të djathtë që u zhvillua të shtunën.
