LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Dediq: Në Rahovec pos UÇK-së pati edhe grupe paraushtarake

Seanca gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten u zhvillua e hapur për publikun. Gjatë saj shpalosi dëshminë Predrag Dodiq nga Rahoveci. Ai tha se gjatë luftës në këtë qytet pati edhe grupe të tjera paraushtarake, mbi të cilat UÇK-ja nuk ka pasur kontroll

Dëshmitari i 32-të i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Predrag Dediq, rrëfeu të enjten se në objektin e zjarrfikësve në Rahovec, ku ai jetoni gjatë kohës së luftës, mbaheshin e më pas vriteshin civilët.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dëshmitari Dediq ka theksuar se në Rahovec kanë vepruar grupe paramilitare shqiptare, mbi të cilat, sipas tij, UÇK-ja nuk kishte kontroll.

Ai ka thënë se këtë ia pati thënë edhe ish-komandanti i UÇK-së për Rahovecin.

“Fola me komandantin e Rahovecit, Ismet Tarën, ai më tha se paraushtarakët ishin dhe se as ai vetë nuk e dinte se çfarë bëhej atje”, ka thënë Dediq.

E avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, e pyeti rreth një sulmi, që tha se e ndërmori UÇK-ja në korrikun e 1998-s në Rahovec.

“Gjatë kësaj kohe a vutë re ndonjë rrëmbim të civilëve serbë nga UÇK-ja, apo jo?", pyeti Kehoe.

“Jo nuk kam parë diçka të tillë”, u përgjigj Dediq.

Kehoe e pyeti edhe për pretendimet për grupe paraushtarake.

“Mendoj se gruaja juaj Bozhana, në fakt Bozhanës, Ismet Tara i tha se kishte shumë banda nga Shqipëria që kishin ardhur dhe se ai nuk mund t’i dinte të gjitha ato dhe të merret me të gjithë”, pyeti avokati Keohe.

Dediq u përgjigje se këtë gjë Ismet Tara e ka thënë me sinqeritet.

“Po ashtu më tha, po. Ne e njohim Ismet Tarën dhe ai na e tha atë me sinqeritet”, ka deklaruar Dediq.

Përmendi edhe emrin e serbit, Petko Peleviq, për të cilin ka pretenduar se është torturuar e vrarë në ndërtesën e zjarrfikësve, bazuar në informatat që ka marrë nga bashkëshortja e tij.

Gjyqtari Chrstoph Barthe njoftoi dëshmitarin se Ismet Tara ka dhënë deklarata për zhdukjen e Dediqit dhe të djalit të tij.

“Nuk e di a e dini ju që z. Tara ka folur për ju, për zhdukjen e djalit tuaj në disa raste. Në këtë deklaratë z. Tara për zhdukjen e djalit tuaj dhe për ju pretendon se nuk iu ka detyruar të largoheni nga banesa, por që në të vërtetë iu ka ndihmuar pasi që ju ishit në rrezik duke qenë familja e vetme serbe që jetonit në atë pjesë të Rahovecit në atë kohë dhe ai është krenar që jua ka shpëtuar jetën, se ka mundur të ndodhin gjëra të tjera”, tha gjyqtari Barthe.

Ndërsa dëshmitari tha se Ismet Tara e këshilloi që të largohej dhe ai ka bërë siç i ka thënë ai.

“Ai me këshilloi të largohesha për këto arsye dhe unë u largova, bëra siç më tha ai. Më tha që duhet të dorëzosh çdo gjë që ke dhe unë i dorëzova në momentin e duhur. Çelësat… nuk më kujtohet të më ketë kërkuar çelësat. Me sa di unë, me sa më kujtohet jo, por nuk jam i sigurt”, ka thënë Dediq.

Ani se e hapur për publikun, seanca e së enjtes u përcoll me probleme në transmetim. Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Gjykatës, Michael Doyle, ka thënë se telashet mund të jenë shkaktuar nga një stuhi që ka goditur Holandën.