Kjo ishte seanca e parë në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Gjyqtari Vesel Ismaili ka thënë se rastin e ka pasur një prokurore që është në pension e më pas i është ndarë një prokuroreje tjetër. Për seancën e paraparë, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, nuk janë njoftuar as organizata që i mbështet të mbijetuarit para, gjatë e pas procesit gjyqësor, e as viktimat
Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ku Dejan Raçiq akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës ka dështuar të martën, shkaku i mungesës së përfaqësuesit të Prokurorisë Speciale.
Kjo ishte seanca e parë në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Gjyqtari Vesel Ismaili ka thënë se rastin e ka pasur një prokurore që është në pension e më pas i është ndarë një prokuroreje tjetër.
“Ne ftesën dhe njoftimin e kemi dërguar në Prokurorinë Speciale për këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor e kemi dërguar me datën 11.12.2023 dhe është konfirmuar se është pranuar ftesa, por prokurorja që është ngarkuar me këtë lëndë sipas informacionit që e pranuar përmes emailit nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e njëjta është jashtë shtetit të Kosovës dhe se për seancën e sotme nuk është caktuar asnjë prokuror për ta përfaqësuar aktakuzën”, ka thënë gjyqtari Ismaili.
E Amer Alija, ekspert ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, ka deklaruar se kjo është një situatë që është dashur të evitohet.
“Prokuroria është dashur që ta dërgojë dikë që ta përfaqësojë së paku në seancën fillestare që të lexohet dispozitivi i aktakuzës”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Fatmire Haliti, pjesë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, organizatë që mbështet të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka thënë se as organizata e as viktima nuk kanë marrë ftesë për seancën e shqyrtimit fillestar.
Në këtë organizatë thonë se publikimi i njoftimit për seancë nuk është i mjaftueshëm dhe se duhet të njoftohen personalisht viktimat, që normalisht duhet të jenë në qendër të të gjithë procesit.
“Gjykata e ka kryer punën e saj. E ka caktuar seancën. E ka njoftuar Prokurorinë me siguri me ftesë të veçantë për të marrë pjesë, mirëpo në raste të tilla të dhunës seksuale gjatë luftës është procedurë pak më e ndjeshme dhe më e veçantë, ku viktimat nuk trajtohen sikurse në rastet e tjera, mirëpo duhet të përgatiten paraprakisht për shkak të mbrojtjes së konfidencialitetit, ndjeshmërisë së rastit dhe gjendjes emocionale që kanë kështuqë i duhet kohë për t’u përgatitur për të marrë pjesë në proces”, ka thënë ajo.
“Pra nuk është ftesa apo publikimi i njoftimit për seancë sikurse për rastet e zakonshme sepse në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës janë disa specifika të tjera që duhet të respektohen, domethënë konfidencialiteti, përgatitja e viktimës për përfaqësim në gjykatë si dhe një mori aktivitetesh të tjera që duhet të ndërmerren, në mënyrë që viktima të përfaqësohet sa më mirë gjatë procesit”.
Këtë javë janë të parapara edhe seanca të tjera për krime lufte në mungesë të të akuzuarve.
Një prej tyre pritet të mbahet të mërkurën për Milan Jovanoviqin, i cili është po ashtu i akuzuar për dhunë seksuale gjatë luftës.
Prokuroria Speciale i ka ngritur në total tetë aktakuza për krime lufte në mungesë të të akuzuarve, katër prej tyre janë për dhunë seksuale gjatë luftës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë vlerësohet se janë dhunuar rreth 20.000 persona, shumica prej tyre gra.