Pesë të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në ndalim 48 orësh nën dyshimet për dallavere me prona. Dy prej tyre dyshohet se kanë falsifikuar një dokument të vitit 1966 me qëllim të përfitimit pasuror të një prone
Pesë persona, përfshirë dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale, një të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe dy të tjerë janë arrestuar dhe dërguar në ndalim 48 orësh nën dyshimet për dallavere, duke tjetërsuar prona.
Në aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në këtë agjenci, ku u bë të paktën një arrestim, janë mbledhur prova për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’’, “Falsifikimi i dokumenteve’’ dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOrgani i ndjekjes penale dyshon se personat me inicialet A.Q., dhe N.K., duke vepruar bashkë kanë përdorur një kontratë të falsifikuar që mban datën 11 shkurt 1966 për “këmbim të paluajtshmërive”.
“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Gjatë hetimeve, është dyshuar se A. Q., dhe N. K., me ndihmën e personit zyrtar A. B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar ta paraqesin si autentik, duke e vulosur dhe duke e përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Për zyrtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me inicialet A. B., prokuroria pretendon se legalizoi pronësinë duke u thirrur në dokumentet false dhe se dy zyrtarët e kadastrës e çuan procedurën e bartjes së pronësisë deri në fund.
“Po ashtu, i dyshuari A. B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë. Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të të pandehurit N. K., duke e obliguar Komunën e Prishtinës që ta regjistrojë pronën në emër të tij”, ka bërë të ditur organi i akuzës.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e ka përgëzuar aksionin e së mërkurës të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, deri në elemente të krimit të organizuar, në tjetërsimin e pronave publike. Mijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen”, ka thënë Pacolli në reagimin e saj. “Që nga marrja e detyrës si ministre, kam ndërmarrë hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, duke emëruar drejtorin e ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe duke kërkuar rishikimin e rasteve të dyshimta. Ne jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis”.
Ajo ka theksuar se, ndonëse i vonuar, aksioni është i mirëpritur dhe ka mbështetjen e plotë të ministrisë. Sipas saj, dikasteri që e drejton është në dispozicion për të ndihmuar me çdo informacion dhe bashkëpunim të nevojshëm për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e ligjshmërisë në këtë institucion.