LAJMET E MBRËMJES

“Elektroseveri” nis faturimin paushall në katër komunat veriore

Qytetarët e katër komunave veriore të enjten kanë pranuar faturat e para të energjisë elektrike të shpërndara nga kompania “Elektrosever”. Ani se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati deklaruar në fund të janarit se janë shpërndarë 20 mijë fatura, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në terren. Faturimi i qytetarëve është bërë vetëm për muajin shkurt, ani se regjistrimi i shpenzimeve të energjisë ka filluar më 1 janar të këtij viti

Dy muaj pas fillimit të regjistrimit të energjisë elektrike që qytetarët e shpenzojnë në katër komunat veriore, kompania “Elektrosever” ka filluar shpërndarjen e faturave.

Në një faturë të lëshuar nga kompania “Elektrosever” shkruhet se ajo është parallogaritur për energjinë e konsumuar gjatë muajit shkurt, porse nuk është sqaruar se çfarë ndodh me shpenzimet e muajit janar.

Fatura është në gjuhën shqipe dhe serbe, dhe shpenzimet janë të llogaritura paushall në vlerë 20 euro, dhe 1 euro e 60 centë, apo 8 për qind të tatimit mbi vlerën e shtuar.

Por, një muaj më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati deklaruar se janë shpërndarë faturat në veri, ani se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në terren.

“Mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në veri për konsumin e energjisë gjatë muajit janar. Lajmi i dytë i mirë është që nga një institucion që për vite me radhë ka pasur devijime negative në ENSO. KOSTT është duke u kritikuar që po bën devijime pozitive, por kemi ende problemin e papërmbushur të lëshimit të linjave të interkoneksionit, e kemi po ashtu ende të papërmbushur çështjen e borxheve të akumuluara të KOSTT-it. Mendoj që këtu na duhet një qëndrim më parimor i ndërmjetësuesit që këto të zgjidhen sa më shpejt”, kishte deklaruar Bislimi.

Tek një javë më parë kompania ka filluar një fushatë informuese për qytetarët e veriut, duke i njoftuar në fillim të marsit se do të marrin faturat e energjisë.

Kompania “Elektrosever” është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok

Faturimi paushall ka filluar në mungesë të orëve elektrike, të cilat pritet të vendosen gjatë muajit mars.

Për to, KEDS-i si operator i autorizuar për shtrirje të rrjetit në këtë pjesë parasheh që faza e parë e vendosjes së njehsorëve do të bëhet me një investim fillestar të kësaj kompanie, ndërkaq e dyta me financim të Bashkimit Evropian.

“Elektroseverit” i është kërkuar edhe hapja e qendrave për pagesë të rrymës në lagjet multietnike.

Për dallim nga KESCO që furnizon pjesën tjetër të Kosovës e që i ka të rregulluara tarifat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, kompania “Elektrosever” do t’i caktojë vetë tarifat për banorët e komunave me shumicë serbe.

Në një përgjigje për KOHËN, ZRRE-ja ka konfirmuar se “Elektroseveri” mund të caktojë vetë çmimin e tarifave të rrymës, pa lejen e Rregullatorit, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për Energjinë.

“Në licencën e lëshuar nga ZRRE-ja për ‘Elektrosever’ nuk është vendosur detyrimi për ofrimin e shërbimeve në kuadër të Shërbimit Universal, rrjedhimisht ‘Elektrosever’ nuk ka detyrime ligjore për t’iu nënshtruar rregullimit të tarifave nga ZRRE-ja”, është thënë në përgjigje.

Tarifat aktuale të përcaktuara nga ZRRE-ja e që vlejnë në nivel shteti, pa përfshirë veriun, janë 3.34 deri në 7.79 centë për kilovat për ata që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë në muaj, kurse për ata që kalojnë bllok-tarifën, kilovati më pas u faturohet nga 6.81 deri në 14.45 centë.

Që nga paslufta, banorët në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq nuk kanë paguar për energjinë elektrike që e kanë shpenzuar. Përgjegjëse për sigurimin e energjisë elektrike të banorëve të veriut ka qenë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT. Pas licencimit të “Elektroseverit” nga ZRRE-ja, kjo kompani ka për detyrë furnizimin, faturimin dhe mbledhjen e borxhit.

Deri në 2017-n, koston e kësaj energjie e kanë paguar qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga ky vit ajo është paguar me taksa të tyre përmes Qeverisë dhe KOSTT-it.