LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla: Nëse s’i bëhet presion Serbisë do të përshkallëzojë sërish, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike

Në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, ku në diskutim qe raporti gjashtëmujor për Kosovën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i adresoi thirrje komunitetit ndërkombëtar ta frenojë Serbinë. Në fjalimin e fokusuar te sulmi në Banjskë, ajo paralajmëroi që nëse nuk i bëhet presion, atëherë regjimi në Beograd mund të përshkallëzojë më tej. Teksa ajo shkëmbeu akuza me homologun nga Serbia, ambasadori amerikan në OKB u bëri thirrje të dyja palëve për ulje tensionesh

Sulmi në Banjskë dhe pandëshkueshmëria e Serbisë për këtë kanë qenë temë në fokus të fjalimit të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë diskutimit mbi raportin gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Tek foli për rastin e 2023-tës, Gërvalla e quajti organizatorin e sulmit, Millan Radoiçiq, dorë të djathtë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën. E komunitetit ndërkombëtar i bëri thirrje që ta frenojë Serbinë, ngase në të kundërtën tha që ajo do të përshkallëzojë.

“Është pandëshkueshmëria për vrasje e agresion. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion regjimit. Nëse s’ka presion ata do të eskalojnë më tej, sepse s’kanë se prej çfarë të frikësohen përveç fjalëve. Ministri i jashtëm i tanishëm, Gjuriq e di atë vrasës shumë mirë. Nuk i ka problem vrasësit dhe dhunën... Paralajmërimi ynë është i qartë, mos prisni gjatë, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, duke u përqendruar në pyetjet e gabuara, në vend se të merreni me rrezikun e vërtetë”, tha Gërvalla. 

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, pretendoi se serbët në Kosovë po detyrohen ta fshehin gjuhën e tyre teksa shpalosi edhe disa teori për spastrim etnik të serbëve.  

“Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm tragjedi serbe, është dështim moral madhor për veprim. Pyes se cila është e ardhmja që i pret fëmijët, që mësohen ta fshehin gjuhën e tyre nga djepi, gjer në varr. Këto krime nuk janë aksidentale. Ato burojnë prej urrejtjes së kultivuar nga Prishtina, që mishërohet me doktrinën e Kurtit për spastrim etnik, me ritëm të ngadaltë”, tha Gjuriq.

E si Serbisë, ashtu edhe Kosovës, ambasadori amerikan në OKB, Jeff Bartos, u ka bërë thirrje për ulje tensionesh.

“SHBA-ja i inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të punojnë për t’i ulur tensionet, t’i shmangin masat përshkallëzuese dhe të ndërtojnë paqe e stabilitet midis tyre, drejt qëllimit të përbashkët të njohjes së ndërsjellë”, tha Bartos.  

Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit, zëvendëssekretari i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, e përgëzoi Kosovën për zgjedhjet lokale, teksa e kritikoi spektrin politik për ngërçin politik në konstituimin e Kuvendit dhe në formimin e Qeverisë.