LAJMET E MBRËMJES

Gjenden mbetje mortore të dy personave që dyshohen se janë të zhdukur gjatë luftës

Në gërmimet treditore në Përzhin të Rahovecit janë gjetur eshtra të dy personave që dyshohet se janë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Në këtë lokacion, ku më herët patën bërë kërkime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës e të UNMIK-ut, dyshimet janë se ndodhen mbetje mortore të tetë viktimave

Mbetje mortore të dy individëve që dyshohen se janë persona të zhdukur gjatë luftës janë gjetur gjatë gërmimeve treditore në lokacionin Përzhin të Komunës së Rahovecit.

Në këtë lokacion, ku më herët kryen gërmime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës dhe të UNMIK-ut, dyshohet se ka eshtra të tetë të zhdukurve.

Në një konferencë shtypi pas gjetjeve, antropologu mjeko-ligjor, Ditor Haliti, bëri të ditur se eshtrat e gjetur janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për verifikim.

“Duke iu falënderuar punës analitike të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe institucioneve tona kemi ardhur në përfundim që një numër i viktimave, personave të zhdukur, ka mundësi që janë ende të varrosur këtu sepse nuk janë zhvarrosur gjatë punimeve në të kaluarën. Ky numër është deri në tetë, nuk mund ta saktësojmë, mund të jetë edhe më i vogël por maksimum mund të jetë tetë”, ka deklaruar Ditor Haliti, antropolog mjekoligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kushtrim Gara, anëtar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, theksoi se eshtrat janë të viktimave të masakrës së 1998-s në Rahovec e ku forcat serbe vranë mbi 100 civilë.

“Po flasim për verën e vitit 1998, kur forcat serbe, në krimet e përmasave gjenocidale të kryera ndaj popullatës shqiptare, në përpjekjet e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit, kufomat e më shumë se 40 viktimave kanë varrosur, po e them varrosur për shkak të familjarëve, në këtë rast kanë groposur në këtë zonë, në këtë lokacion”, ka thënë Gara.

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, e akuzoi Serbinë se po e zvarrit procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Kemi informacione të shumta që në Batajnicë, kur është punuar në fillim të viteve 2000, nuk kanë arrit me i tërheq të gjithë trupat. Serbia përmes një loje të saj diplomatike po tenton Batajnicën me shty dhe në fakt në vend të Batajnicës ka pranuar me një lokacion, prej tre lokacioneve që kemi pasur në urgjencë, me shku në Kozhle”, ka theksuar Hoti.

E familjarë të personave të zhdukur, kritika u adresuan edhe institucioneve vendore.

“Ne si familjarë nuk jemi asnjëherë të kënaqur për faktin që janë akoma 1500 njerëz të zhdukur, kështu qe ne jemi gjithmonë në kërkim, në pritje edhe normal që jemi të zhgënjyer me të gjitha politikat të cilat nuk kanë arritur të bëjnë presion akoma më të madh për ta zgjidhur këtë problem”, është shprehur Selami Hoti, përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve.

Gjatë 2025-s, gërmime u kryen në 33 lokacione e janë gjetur mbetje mortore të 22 individëve. Procesi pritet të vazhdojë më 2026.

Nga lufta e fundit në Kosovë (1998-1999), të zhdukur janë edhe 1 mijë e 577 persona.