Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq, ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihej në restorant me protagonistin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq. Pas reagimeve të shumta që nxiti publikimi i kësaj fotoje, ai mes rreshtash ka konfirmuar se është takuar së fundi me personin që është nën sanksione të SHBA-së.
Ish-shefi i zyrës për Kosovë, aktualisht ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq, ka konfirmuar një fotografi që ka qarkulluar në rrejte sociale në një darkë me Milan Radoiçiqin, përgjegjësin për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Radoiçiqi e ka pranuar përfshirjen në sulmin terrorist dhe është nën sanksione amerikane.
Një ditë pas publikimit të fotografisë në platformën X, Gjuriqi tha se më problem e kishte të takohej me politikanë shqiptarë që akuzohen për krime sesa me Radoiçiqin.
Ndonëse nuk e saktësoi kohën kur është takuar, ai e fajësoi një organizim artificial të Kosovës, për fushatë kundër tij, për publikimin e fotografisë.
“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’iu kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë, me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim”, ka thënë Gjuriq.
Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Avni Zogiani, e ka shpërndarë fotografinë duke ia dhënë përshkrimin “Gjuriq – ambasadori i preferuar i disa diplomatëve perëndimorë, në një takim konsultues me kryeterroristin serb, Milan Radoiçiq!”.
E analisti Visar Xani thotë se kjo qasje e Serbisë nuk duhet toleruar.
“Bëhet fjalë për dy figurat më të afërta të presidentit Vuçiq, por nga faktori ndërkombëtar nuk duhet toleruar dhe duhet të ndërpritet koordinimi i tyre për shkak se mund të paraqesë rrezik edhe për Kosovën, por në të njëjtën kohë, meqë bëhet fjalë edhe për ambasadorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të SHBA sepse një ambasador që është i akredituar atje takohet me një terrorist i cili ka organizuar një sulm të rrezikshëm. Nga ky aspekt konsideroj që tolerimi duhet ndalur”, ka deklaruar Xani.
Në LDK kanë thënë se nuk është aspak befasuese kur Gjuriqi takohet me Radoiçiqin, kjo meqë, sipas tyre, ai e ka mbështetjen shtetërore, që tash është jo vetëm burim i destabilizimit dhe shtet financues i terrorizmit, por edhe strehues i terroristëve.
Reagim për këtë takim ka pasur edhe në Serbi.
Politikani serb, Nikola Sanduloviq, ka postuar foto të Gjuriqit me Radoiçiqin dhe e ka pyetur Bashkimin Evropian e SHBA-në se si është reagimi i tyre ndaj kësaj.
Marko Gjuriqi e ka mbajtur edhe postin e kreut të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Atë e pati tërhequr zvarrë policia në kryeqytet, pasi kishte shkelur në territorin e Kosovës pa lejen e autoriteteve. Ndërsa Radoiçiqin Kosova po e kërkon tashmë edhe me ndihmën e fletarrestit të organizatës më të madhe të policisë – INTERPOL.