Në mëngjesin e së mërkurës është dëmtuar vetura personale e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, në hapësirat e këtij institucioni. Hajdari, i cili prej më shumë se një viti mban këtë pozitë, ka thënë se ky akt lidhet me detyrën e tij zyrtare dhe me përpjekjet për të vendosur rend e rregull në QKUK
Në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është dëmtuar vetura personale e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Osman Hajdari, si pasojë e një shpërthimi në të.
Sipas Policisë, incidenti ndodhi të mërkurën, rreth orës 10:00.
“Nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pak kohë pas ngjarjes Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet se dëmtimi i veturës ndodhi në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues.
E ushtruesi i detyrës së drejtorit, Osman Hajdari, tha se ky akt lidhet me detyrën e tij zyrtare.
“Konsideroj që puna e përditshme, për një vit e sa jam në krye të institucionit të QKUK-së, meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem, as në të kaluarën, as tash, konsideroj që krejt ky akt është i lidhur më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosur rregull e rend në QKUK dhe ndoshta kjo punë u pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera, të cilat mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së edhe të tjerë”, ka thënë Hajdari.
Pa përmendur emra, ai është shprehur se kërcënimet dhe shantazhet nuk do ta zmbrapsin.
“Këto grupe nëse i kanë zgjedhur këto metoda dhe këto mjete të na frikësojnë e kanë shumë gabim. Do të jemi shumë të vendosur si asnjëherë më parë, edhe më shumë nga sot e tutje për t’i luftuar dukuritë negative, qoftë korruptive, qoftë abuzive, qoftë të interesit të ndryshëm për të mirën e qytetarëve të Republikës sonë. Ky është misioni ynë. Mund të më dëmtojnë fizikisht edhe mua, por vjen edhe një Osman tjetër, edhe një Osman tjetër”, ka thënë ai. “E kemi mision dhe obligim që këto akte mos të na zmbrapsin. Përkundrazi, të jenë forcë për të luftuar edhe më shumë, jo këto grupe kriminale, por cilindo që tenton me këto mjete me më shantazhu. Nuk ka kush që në jetën time mundet me më shantazhu, as grup kriminal, as individual, as askush”, ka thënë Hajdari.
Pas incidentit për vizitë në QKUK ka shkuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, por nuk u deklarua për media.
Osman Hajdari u emërua ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së në janar të vitit 2024. Ai ishte në mesin e tre kandidatëve që plotësuan kushtet për pozitën e drejtorit të QKUK-së në konkursin që u anulua një ditë më parë.