Afati për aplikim për votim nga jashtë është hapur këtë të mërkurë dhe do të zgjasë deri më 17 maj. Bashkë me të, kanë nisur edhe thirrjet e politikanëve drejtuar diasporës për regjistrim dhe pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit
Thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, qoftë me votim në Kosovë apo nga vendet ku jetojnë, u kanë bërë politikanët shtetasve të Kosovës me të drejtë vote, që jetojnë në mërgim.
Të mërkurën është hapur afati aplikimit për votim nga jashtë dhe do mbyllet më 17 maj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUshtruesja e Detyrës së Presidentit Albulena Haxhiu tek ka vlerësuar lartë rolin e diasporës për Kosovën, ka bërë thirrje që për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, të regjistrohen edhe ata që nuk kanë lindur në Kosovë.
“Vazhdojeni kontributin tuaj për Republikën e Kosovës dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes. Regjistrohuni me kohë. Ndihmoni njëri-tjetrin. Flisni me familjarët me miqtë, me të rinjtë që kanë lindur jashtë, por që Kosovën e kanë në zemër dhe në mendje”, ka thënë Haxhiu.
Për të votuar nga jashtë janë dy forma: fizikisht në ambasada ose konsullata; ose me postë.
Për t’u regjistruar, diasporës i ka bërë thirrje edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes.
Teksa ka akuzuar partitë opozitare për bllokadë, Kurti ka thënë se nga zgjedhjet e shpeshta nuk do lodhet populli, por kundërshtarët e tij.
“Të gjithë ata që nuk mund të vijnë në Kosovë për të votuar fizikisht duhet ta bëjnë regjistrimin sa më parë. Të dashur bashkatdhetar, ata që mendojnë se do ta lodhin popullin do të lodhen vet. E ne që jemi në rrugë të drejtë nuk do të ndalemi asnjëherë së punuari për të mirën e përbashkët dhe interesin publik”, ka thënë Kurti.
E ish-presidentja Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e 7 qershorit do jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike, ka thënë se zgjedhjet e fundit i kishte caktuar në fundvit me qëllimin që të ketë pjesëmarrje më të madhe të diasporës.
“Siç e kam thënë edhe kur vendosa që 28 dhjetori të ishte data e zgjedhjeve të kaluara, sa më afër që e kemi mërgatën në çdo vendim, aq më e fortë do të jetë Kosova, sepse ne jemi krenarë me ju, me të arriturat tuaja me punën e ndershme me djersë e me mund që e bëni, nëpërmjet së cilës e mbani Kosovën të fortë”, ka thënë Osmani.
Aplikimi për votim nga jashtë bëhet në mënyrë elektronike përmes faqes së KQZ-së dhe me postë ku duhet plotësuar një formularë i cili duhet shkarkuar nga faqja e Komisionit.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, shumë pjesëtarë të diasporës votuan fizikisht në Kosovë, pasi ato u mbajtën në një periudhë festash.
E jashtë vendit, fizikisht u votua në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Këtë të drejtë e shfrytëzuan 16 mijë qytetarë. E me postë votuan 46 mijë veta.
Prej tyre rreth 90% të votave i ka fituar Vetëvendosja.
Gjithashtu të mërkurën ka filluar edhe periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda Kosovës, e cila do të zgjasë deri më 17 maj si dhe periudha për konfirmimin dhe kundërshtimin e pasaktësive në Listën Votuese.