LAJMET E MBRËMJES

Histori lufte e paqeje nga Kosova e Bosnja hapin forumin ndërkombëtar në Prishtinë

Të hënën është hapur forumi ndërkombëtar “Gratë, Paqja e Siguria” në Prishtinë. Hapjen e tij e bënë familjarë të të mbijetuarve nga luftërat në Kosovë e Bosnjë. Diskutimet në kuadër të forumit ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria”, që mblodhi në Kosovë rreth 1.000 pjesëmarrës nga 45 shtete të ndryshme, do të vazhdojnë edhe të martën

Historitë e dy gjeneratave të ndryshme, nga dy shtete fqinje që pësuan nga i njëjti shtet – Serbia, mbërthyen skenën e sivjetme të forumit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, që të hënën nisi në Prishtinë nën organizimin e Presidencës së Kosovës.

Venesa Sylejmani nga Kosova si katërvjeçare u bë dëshmitare e dhunimit të nënës së saj, Shyhrete Tahiri. 

Të pranishmëve nga 45 shtete të ndryshme, Sylejmani u ka thënë se shëndeti fizik dhe mendor i saj ka qenë i rrezikuar seriozisht deri para pak vjetësh, për shkak të traumave  që ka përjetuar nga krimet e Serbisë.

“Lufta ka pasur shumë viktima edhe pasi që ka përfunduar. Shpesh fëmijët nuk kishin mundësi të shëroheshin e të mbronin veten e tyre nga gjërat që nuk mund dhe nuk duhet të kuptojnë. Nënës sime iu deshën 20 vjet të gjente zërin e saj dhe derisa unë ende jam duke e gjetur timin, unë do ta përdor atë me krenari për ata që s`kanë zë”, ka thënë Sylejmani.

Dëshmitare e krimeve të Serbisë, pak vjet para Sylejmanit, ishte Ziada Efendiq nga Srebrenica e Bosnjë-Hercegovinës. 

Ajo ka thënë se çdo ditë kanë qenë të ekspozuar nga dhuna, përndjekjet e vrasjet.

“Unë, burri im dhe fëmijët tanë duam që kurrë më nënat, baballarët, vëllezërit, motrat dhe të tjerët të mos përjetojnë luftë në këto anë. Duam që ata që kanë humbur më të dashurit e tyre të gjejnë paqe dhe që ne të jetojmë në paqe”, ka thënë Efendiq.

Historinë e familjes Muçolli nga Pokleku e ka ndarë edhe 20-vjeçarja Armira Muçolli, e cila së bashku me pjesëtaren e FSK-së, Arbenita Haxholli e të pasionuarin pas teknologjisë, Kolë Krasniqi, simbolizuan lulëzimin e Kosovës nga hiri i luftës. 

Kosova është shembull se çfarë mund të bëhet e mundur kur mbizotëron paqja, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në hapjen e forumit dyditor.

Sipas Osmanit, paqja nuk do të ishte e qëndrueshme pa lidershipin dhe urtësinë e grave.

“Ato asnjëherë nuk pranuan të shihen si viktima, por si ndërtuese të paqes. Ato luftuan jo vetëm për lirinë tonë, por po ashtu edhe për drejtësi, për dinjitet dhe për një të ardhme që ia vlen të jetohet”, ka thënë Osmani.

Forumi “Gratë, Paqja e Siguria”, sipas kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është dëshmia e përkushtimit të Kosovës për paqen e për fuqizimin e grave në secilën fushë.

“Me urtësi, përkundër mizorive të papërshkrueshme të kryera nga  regjimi i Millosheviqit, Kosova kurrë nuk u ngrit për t`u hakmarrë. Në vend të saj punoi pa u lodhur që të shndërrojë dhimbjen në forcë. Punoi që të përfundojë lufta dhe të shmangë konflikte dhe investoi në liri dhe sovranitet të kombeve dhe njerëzve”, ka deklaruar Spiropali.

Diskutimet në kuadër të forumit ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria”, që mblodhi në Kosovë rreth 1.000 pjesëmarrës nga 45 shtete të ndryshme, do të vazhdojnë edhe të martën.