Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

IKD: Legjislatura e dhjetë me mungesë transparence dhe ligje të përshpejtuara

IKD - tryeza

Në një konferencë ku morën pjesë edhe përfaqësues të partive kryesore politike, IKD-ja ka ngritur shqetësime për mënyrën se si ka funksionuar Legjislatura e dhjetë. Sipas këtij instituti, këtë përbërje Kuvendi e ka karakterizuar mungesë transparence dhe përdorim i shpeshtë i procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka nxjerrë përfundimin se Legjislatura e dhjetë është karakterizuar me mungesë transparence, procedura të përshpejtuara në miratimin e ligjeve dhe dobësi në funksionin e mbikëqyrës ndaj ekzekutivit.

Në një konferencë diskutimi, të martën, ku morën pjesë edhe përfaqësues të partive më të mëdha parlamentare, u shpalosën qëndrimet për mënyrën e funksionimit të institucioneve gjatë kësaj periudhe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Procesi i formimit të qeverisë u karakterizuar nga mungesa e theksuar e transparencës. Deputetët dhe opinioni publik nuk patën asnjë informacion paraprak për përbërjen e kabinetit, ndërsa zgjerimi i tij u bë pa një arsyetim të qartë. Në planin legjislativ, janë evidentuar me dhjetëra tentativa të përsëritura për shmangie të procedurave të rregullta nga ana e shumicës parlamentare”, ka thënë Naim Jakaj nga IKD-ja.

Përshpejtimin e miratimit të projektligjeve e arsyetoi ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli.

“Qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për një vendimmarrje efikase dhe jo me idenë për të shmangur demokracinë. Çdo projektligj që ka kaluar në institucionet përkatëse, dhe asnjë vendim nuk është marrë jashtë rendit kushtetues”, ka thënë Kërçeli.

E ish-deputetë të partive oponente të LVV-së, akuzuan këtë parti se nga nisja e mandatit ka pasur synim shkuarjen edhe një herë në zgjedhje.

Arben Mustafa nga PDK-ja u shpreh se asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqiten në ekspoze, nuk ishin në buxhet.

“Që nga seanca e parë u paraqit një ekspoze, që më tepër ishte listë dëshirash. Sikur të vinte nga dikush që vjen për herë të parë në qeveri, do të kishte kuptim. Për ta mbështetur këtë konstatim që ishte jo serioze, u pa vetëm pesë ditë më pas kur erdhi buxheti. Asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqiten në ekspoze, nuk ishin në buxhet”, ka deklaruar Mustafa.

Ish-deputetja Jehona Lushaku, që vjen nga LDK-ja, tha se në legjislaturën e fundit është cenuar demokracia në Kuvend.

“Kur nuk respektohen afatet dhe i iket diskutimit publik, nuk adresohen çështjet e grupeve të interesit dhe personave që preken më së shumti nga këto ligje, duke i përjashtuar nga procedura e hartimit të ligjit, vërtetë e ka cenuar demokracinë e Kuvendit”, ka thënë Lushaku.

Kritika për partinë në pushtet – LVV, adresoi edhe ish-deputeti Besnik Tahiri, që vjen nga radhët e AAK-së.

“Është nisur mbrapsht për shkak se të gjithë e kemi ditur se detyra e parë është votimi i qeverisë, ndërsa detyra e dytë pas pak muajve është votimi i presidentit. Në qoftë se e bëjmë një analizë të kësaj legjislature, janë dy momente “historike” parlamentare. E para, kjo është legjislatura më e shkurtë në histori të Kosovës dhe e dyta është se më së shumti ka kërkesa për seanca të jashtëzakonshme shumica”, ka thënë Tahiri.

Legjislatura e dhjetë është shpërndarë me automatizëm pas vetëm 76 ditëve nga nisja e mandatit, pasi dështoi ta zgjedhë presidentin sipas afateve kushtetuese.