Debati për kompetencat e inspektorëve komunalë të tregut dhe për mospërcjellja me kohë të raporteve të punës të Ministrisë së Tregtisë për vitet 2023-2024 ka përplasur ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, me deputetët e opozitës në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Deputetët e kanë kritikuar ministren Hajdari për paqartësitë që i ka krijuar me projektligjin e ri. E pas pak minutash debat, shefi i kabinetit të saj, Kushtrim Dakaj, është përjashtuar nga salla për gjuhën e përdorur
Me përplasje verbale dhe me akuza është përcjellë të martën raportimi i ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me Projektligjin për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut.
Deputetë të opozitës e kanë kritikuar Hajdarin për paqartësitë në Projektligji lidhur me kompetencat dhe sistemimin e inspektorëve komunalë të tregut.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), ka kërkuar sqarime mbi statusin e inspektorëve.
“Si e keni planifikuar? Si do të sistemohen inspektorët komunalë? Qysh keni planifikuar t’i sistemoni? A do të hyjnë në kuadër të Ministrisë apo me komuna? Qysh e keni planifikuar, sepse po më duket se nuk është e specifikuar sa duhet”, ka pyetur ajo.
Hollësi për çështjen ka kërkuar edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila.
“Çështja është që gjithë këta inspektorë që janë aktualisht në nivelin komunal kanë zyre në kuvendet komunale dhe si të tillë, me centralizmin e funksionimit të inspektoratit, raportohet në vizitat inspektuese. Tash ata a do të transferohen fizikisht në Prishtinë apo do të mbesin në zyrat ku janë? Të na qartësohet funksionimi i tyre? Është shumë me rëndësi që të tregohet se si do të jetë vijimësia e mbikëqyrjes?”, ka thënë Kusari-Lila.
Ministrja Hajdari ka theksuar se kompetencat e inspektorëve komunalë do t’i takojnë nivelit qendror.
“Kompetencat e inspektoratit të tregut hyjnë në kuadër të inspektoratit qendror të tregut. Sa i përket sistematizimit, do të rregullohen përmes ligjit për financa publike. Ne me ligjin e ri i kemi bartur kompetencat në nivelin qendror dhe do ta zbatojmë këtë kompetencë. Kurse inspektorët komunalë do të rrinë në komunat me buxhetin aktual dhe do të sistemohen sipas nevojave të komunave”, ka thënë Hajdari.
Rexhep Bllaca, drejtor i departamentit ligjor në Ministrinë e Tregtisë, ka bërë të ditur se bartja e inspektorëve në kompetencë të nivelit qendror do të bëhet në bazë të detyrave e përgjegjësive dhe të kualifikimet përkatëse.
“Këtu e kemi një problem me Ministrinë e Financave sa i përket ligjit për financa të pushtetit lokal, i cili nuk lejon edhe bartjen e numrit të inspektorëve prej nivelit lokal në qendror, kështu që ne, me shumë komuna që kemi pasur bisedime, ata disa janë pajtuar që me i bart në nivel qendror, ndërsa disa të tjera janë pajtuar që inspektorët aktual të risistemohen brenda komunave. Kjo mbetet të trajtohet qoftë brenda komunave, qoftë me Ministrinë e Financave. Por në bazë të ligjit, ata janë inspektorë të nivelit qendror dhe më kompetenca të mbikëqyrjes së tregut në nivel komunal nuk ka. Gjithçka do të jetë në nivelin qendror”, ka thënë ai.
Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Ferat Shala, e ka kundërshtuar ministren Hajdari në sqarimin e dhënë.
“Në bazë të kësaj, ju po ua merrni kompetencat e inspektorateve komunale dhe më i keni jashtë strukturës. Ju po i largoni nga struktura ligjore. Çka ka me i mbajt komuna nëse nuk kanë kompetencat. Çfarë roli dhe funksioni mund të kryejnë ata me ligj, nëse ju iu merrni kompetencat”, ka theksuar ai.
E Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka quajtur Hajdarin konfuze dhe të paqartë në punën dhe synimet e saja për rregullimin e sektorit.
“Mendoj se ministrja është e pasaktë, e mjegulluar dhe konfuze. Ligjet bëhen për të vepruar dhe për të rregulluar një çështje të caktuar, e jo për ta bërë mish-mash dhe për të mos e bërë funksional ligjin. Është dashur që ta konsultoni edhe ligjin për qeverisje lokale. Ju po e bëni një centralizim klasik dhe marrje të përgjegjësive të komunave”, ka thënë ai.
Driton Hyseni, deputet i LVV-së, ka kërkuar që me ligjin e ri, inspektorati të avancojë “në krahasim me ligjin paraprak”. Por Hajdari ka theksuar se ka vërejtur që deri më tani inspektorët nuk kanë raportuar asnjëherë në Ministri.
Pas debatit, shefi i kabinetit të Hajdarit, Kushtrim Dakaj, është përjashtuar nga salla me kërkesë të deputetëve të opozitës, pasi që ai iu drejtua atyre duke u thënë që ta dërgojnë Projektligjin në Gjykatë Kushtetuese. Ministrja Hajdari e ka mbrojtur Dakajn, duke kërkuar llogari se përse një masë e tillë nuk është ndërmarrë edhe atëherë kur ai është “bullizuar dhe fyer” nga deputetët Lekaj dhe Rexha-Bunjaku.
“Zyrtari që ju e larguat pa të drejtë është shefi i stafit të kabinetit, z. Kushtrim Dakaj dhe u indinjua aq shumë me fjalët e përdorura ndaj shefes së tij, dhe u indinjua edhe më shumë kur nuk u përdor mikrofoni e u përdoren fjalët që ky i dëgjoi afër, prandaj edhe ishte një reagim i tillë”, ka thënë Hajdari.
Mbledhja është caktuar të vazhdojë në një datë tjetër, pasi kryesuesi i Komisionit, Ferat Shala, ka konstatuar se kanë munguar raportet e nevojshme. Ministrja ka kërkuar falje për mungesën e tyre ndërsa nga mbledhja është larguar kur deputeti Lekaj iu drejtua, duke i thënë që shefi i kabinetit të saj është mashtrues.
“Shefi i kabinetit në 2020-n ka mashtruar si inspektor dhe tanimë ju e keni bërë shef të kabinetit. Unë nuk e di çka diskutojmë sot këtu, pasi nuk e kemi asnjë raport... Nuk i thashë kësaj. I thashë të paska mashtruar edhe ty, qysh ka mashtruar në vitin 2020. Sado që mundoheni ta shpëtoni këtë ministre, kot e keni”, është shprehur Lekaj.
Në këtë ka reaguar deputeti i LVV-së, Armend Muja, duke e vlerësuar si të vrazhdë qasjen ndaj ministres.
“Katër herë ka kërkuar që të shtyhet mbledhja dhe ka qenë kërkesë e saj që të caktohet në këtë datë. I kemi shkruar zyrtarisht që të na sjellë raportet. Asnjërën nuk i ka sjellë. Sjellja e jonë mendoj se është korrekte. Ka ardhur me ngarkesa, me tre persona të tjerë dhe nuk e di nëse ka sjellë raportet apo jo...E mirëkuptuam edhe sot, por me sjelljet e tyre që i pamë më herët, të ngrihesh dhe të hidhërohesh.....”, i është përgjigjur Shala deputetit Muja.