Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 4 vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi. Gashit iu shqiptua edhe ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 4 vjet, pas mbajtjes së dënimit me burgim. Gashi ishte dënuar edhe në gjykimin e parë me kohëzgjatje të njëjtë burgimi
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të martën Driton Gashin, ish-drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe në rigjykim me 4 vjet e tetë muaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në aktgjykimin e dytë për rastin e dëbimit të kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq, gjykata i ka shqiptuar dënim të njëjtë Gashit, sikur më 2023.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëtë herë, atij i është dhënë edhe një dënim plotësues.
“I akuzuari D.G. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 8 muaj (katër vjet e tetë muaj), i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjykata po ashtu të akuzuarit D.G. i cakton dënim plotësues, ndalimin për 4 (katër) vjet të ushtrimit të funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbimet publike pas mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në aktgjykimin e e Themelores në Prishtinël.
Në shpalljen e aktgjykimit, trupi gjykues ka konstatuar se Driton Gashi i ka tejkaluar kompetencat e tij.
“…duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, duke i dëbuar me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe i kishte dorëzuar tek autoritetet turke, shtetasit e Republikës së Turqisë, C.O., Y.K., K.D., H.H.D. dhe M.E., të cilët kishin leje të ligjshme qëndrimi dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe O.K., i cili kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, në atë mënyrë që i akuzuari D.G. kishte deponuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërkesat e datës 23.03.2018 dhe të datës 28.03.2018, për revokimin e lejeve të qëndrimit, për shtetasit turq C.O., Y.K., K.D., H.H.D. dhe M.E dhe mosdhënien e lejes për O.K., me arsyetimin se ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakte këto të cilat nuk janë provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit të AKI-së”, thuhet në aktgjykim.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij palët mund të parashtrojnë ankesë brenda 30 ditësh.
Në këtë rast prokuroria pretendon se u lëshuan vlerësime të sigurisë të pabazuara në prova se gjashtë shtetasit turq ishin të rrezikshëm për sigurinë e Kosovës, pa qenë të atillë.
Punëtorë të AKI-së, sipas prokurorisë janë përfshinë direkt në aksionin e dëbimit të shtetasve turq, që nga autoritetet turke konsideroheshin pjesë të organizatës Feto, për çka më pas u përballen me drejtësinë në Turqi.
Në kohën kur u dëbuan shtetasit turq, opozita e fajësoi ish-presidentin Hashim Thaçi për skandalin që bëri bujë ndërkombëtare. Mirëpo në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndër të tjera thuhet se të akuzuarit i kryen veprimet pa e informuar presidentin dhe ish-kryeministrin e asaj kohe, Ramush Haradinaj.
Gashi pas shkarkimit nga AKI-ja u emërua sekretar në presidencë kur atë e udhëhiqte Hashim Thaçi.
Në shpalljen e vendimit më 2023, nga akuza ishin liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Më vonë, Apeli riktheu në rigjykim vetëm pikën 1 të dispozitivit që kishte të bënte me Gashin.
Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e gjashtë shtetasve turq.
Dëbimi i tyre është thënë të jetë bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit, për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.
Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.
Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.
Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.
Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars të vitit 2018 u dënuan nga gjykatat atje me gjithsej 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.
Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtor i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënimi prej 15 vjetësh.
Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor "Gulistan".
"Gulistan" ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e klerikut fetar turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajësonte për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Mbështetësit e Gulenit, i cili vdiq në tetor të vitit 2024, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste.