LAJMET E MBRËMJES

KDI: Shkelje të të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin publik

Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se praktika selektive dhe shkelja e të drejtave të punës krahas sektori privat është e pranishme edhe në atë publik. Në një konferencë për media u theksua se viteve të fundit ka një “rritje alarmante të raportimeve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës dhe parregullsive në vendin e punës”

Pos sektorit privat, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, shkelje të të drejtave të punës ka edhe në atë publik.

Albesa Humolli nga ky institut ka thënë të martën se viteve të fundit është shtuar numri i atyre që raportojnë për parregullsi në vendin e punës.

“Paraqesin një pamje të zymtë të sektorit publik dhe privat në Kosovë, ku mohimi i të drejtave të punëtorëve po bëhet gjithnjë e më i përhapur. Këto raportime zakonisht përmbajnë shkelje thelbësore, të tilla si mungesa e kontratës formale të punës, mospagimi i kontributeve pensionale dhe refuzimi i pushimit vjetor apo mjekësor me pagesë apo vonesat në pagë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, këto raportime të shpeshta dhe shqetësuese jo vetëm që nënvizojnë problemet e shumta me të drejtat e punëtorëve, madje edhe në nivelin e tyre më elementar, por janë edhe indikatorë se ku po çalon lufta kundër korrupsionit në vend dhe cilët janë sektorët më të prekur nga korrupsioni.

Humolli ka thënë se në Qendrën për Avokim dhe Ndihmë Juridike Falas, që vepron në kuadër të KDI-së, të shpeshta janë rastet kur punëtorëve iu mohohet marrja e pushimit mjekësor.

Përmendi rastin e një mësimdhënëseje në Prishtinë së cilës i ishte mohuar kjo e drejtë me pretendimin se në vendimin për pushim si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga QKMF-ja e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat e tjera të mjekësisë familjare.

“Ndryshe nga sektori privat, ku shkeljet shpesh ndodhin pas punësimit, sektori publik sheh shkelje më së shumti gjatë procesit të punësimit, duke përfshirë edhe rekrutimin. Sidoqoftë, kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur punonjësit e institucioneve publike paraqiten në KDI-ALAC me raportime mbi shkeljet e të drejtave të tyre në vendin e punës”, ka deklaruar Humolli.

Sipas KDI-së, rastet e kësaj natyre flasin për praktika selektive të institucioneve publike në raport me administrimin e marrëdhënies së punësimit dhe respektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës.