Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

KGJK-ja zgjedh kryesuesin pas një varg mbledhjesh të dështuara

Rrustem Thaqi

Me 6 vota për, Rrustem Thaqi, është zgjedhur të hënën kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor. Pas pranimit të mandatit trevjeçar, Thaqi është zotuar për bashkëpunim për një gjyqësor të pavarur dhe transparent. Kundërkandidat e ka pasur gjyqtarin e Apelit, Besnik Bislimaj, i cili ka marrë 5 vota nga anëtarët e Këshillit

Këshilli Gjyqësor  i Kosovës ka arritur që të hënën të zgjedhë kryesuesin e ri.

Me gjashtë vota “për”, gjyqtari Rrustem Thaqi është zgjedhur kryesues për pozitën më të lartë në Gjyqësor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kundërkandidat Thaqi e ka pasur Besnik Bislimajn, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, i cili ka marrë 5 vota nga anëtarët e Këshillit.

“Në bazë të votave rezulton se kandidati Besnik Bislimaj ka marrë 5 vota, kandidati Rrustem Thaqi 6 vota. Në bazë të kësaj, Rrustem Thaqi gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, zgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mandati i zotëri Thaqit si kryesues është trevjeçar dhe do të fillojë nga data 25 maj. Detyra e zotëri Thaqit si zyrtar si gjyqtar i Gjykatës Supreme pezullohet përgjatë ushtrimit të mandatit të tij si kryesues të KGJK-së”, ka thënë Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e KGJK-së pas votimit të kryer.

E pas pranimit të mandatit, kryesuesi i sapo zgjedhur Rrustem Thaqi është zotuar për bashkëpunim për një gjyqësor të pavarur.

“Ju falënderoj të gjithëve për besimin e dhënë, zotohem që do të jem i hapur për bashkëpunim për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe transparent”, ka premtuar ai.

Rrustem Thaqi është gjyqtar i Gjykatës Supreme nga marsi i vitit 2022.

Ai ka dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2005, ndërsa praktikën profesionale e ka mbajtur në Gjykatën Komunale në Pejë, në vitin 2005.

Gjyqtari Thaqi ka punuar si avokat në periudhën prej 2006 - 2010.

Nga 1 janari i vitit 2013 është emëruar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërsa më 16 qershor 2017, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, pozitë që e ka ushtruar deri më 28 shkurt 2022, kur është avancuar në Gjykatën Supreme.

Thaqi po ashtu ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë si hartues dhe bashkëhartues në një numër të konsiderueshëm botimesh të Akademisë së Drejtësisë.

Thaqi mori këtë pozitë pasi KGJK-ja ka dështuar ta zgjedhë kryesuesin në disa mbledhje, në tri prej tyre shkaku i mungesës së kuorumit, ndërsa në mbledhjen e fundit dy kandidatët për kryesues morën numër të barabartë të votave. 

Njëri prej anëtarëve të Këshillit pati votuar për të dy kandidatët, andaj konkursi është dashur të rishpallet.

Edhe në konkursin e ri kanë aplikuar dy kandidatët e njëjtë. 

Këshilli Gjyqësor parashihet të ketë 13 anëtarë, ndërsa aktualisht janë 11, duke mbetur edhe dy vende pa u plotësuar, derisa për një vend po zhvillohet proces gjyqësor.

Para Rrustem Thaqit, kryesues i KGJK-së ishte Albert Zogaj.