Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është deklaruar i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë Speciale, sipas të cilave ai ka shkaktuar vrasje të rëndë. Të pafajshëm janë deklaruar edhe katër të akuzuarit e tjerë. Pas një incidenti që shkaktoi në gjykatore, i akuzuari Hoxha u përjashtua nga salla
Dibran Hoxhaj, i cili është dënuar paraprakisht me gjoba e me kusht nga Gjykata në Prizren për vepra penale siç është pjesëmarrja në rrahje, është deklaruar i pafajshëm të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve.
Prokuroria Speciale e akuzon atë se e ka vrarë një shtetas të Shqipërisë, pas një konflikti fizik për një faturë 400-euroshe të lokalit “Kobra City” në magjistralen Prizren-Zhur.
Prokurorja Merita Bina-Rugova, gjatë leximit të aktakuzës, tha se vrasja është bërë për motive të ulëta.
“Me armë zjarri, me dashje e ka privuar nga jeta Visar Cengun, duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve Ribin Shehu dhe Arben Basha, në atë mënyrë që për shkak të faturës së lartë në lokal, ka ardhur deri te konflikti mes tyre dhe punëtorëve të lokalit, pas së cilit viktima dhe të dëmtuarit kanë hyrë në veturën e tyre Mercedes me qëllim që të largohen, por i pandehuri Dibran Hoxhaj, i njoftuar për ngjarjen, në ato momente ka hipur në automjetin xhip Audi, me ngjyrë të bardhë me targa gjermane, pronë e dëshmitarit Enver Amërllahu, ka hyrë në lokal, e ka marrë pistoletën gjysmë-automatike Ceska e kalibrit 9 milimetër, përsëri ka dalë dhe i është afruar veturës Mercedes, e cila ka qenë duke u nisur dhe nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe i kërcënimit për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çdo mënyrë, e ka hapur derën e vozitësit dhe me pistoletën e lartcekur ka shkrepur një herë në të dëmtuarin, duke i shkaktuar plagë tejshkuese, në regjionin e kofshës së djathtë”, ka thënë Prokurorja, tek e ka lexuar aktakuzën. “Pastaj i njëjti e ka rritur shpejtësinë dhe automjeti ka dalë në rrugë, ka shtënë edhe katër herë duke e qëlluar veturën në pjesën e pasme, me ç’rast viktimën Visar Cengu, i cili ka qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës, një plumb e ka goditur në shpinë”.
Të pafajshëm janë deklaruar edhe të pandehurit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli.
Përveç Mazrekut, të tjerët akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.
Në aktakuzën e ngritur më 20 shkurt 2024, një akuzë ndaj Susurit dhe Mazrekut është për veprën penale manipulim me prova.
Derisa të gjithë i mohuan akuzat, i akuzuari Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, iu drejtua Susurit duke i thënë se “do t’i pjellë incizimet” e kamerave të lokalit, për të cilat po akuzohet se i ka dëmtuar.
“Ki me i pjellë DVR-at”, ka thënë ai.
Sjellja e të akuzuarit Hoxhaj bëri që të përjashtohej nga salla.
“Qashtu çomëni në burg direkt”, tha ai, pasi dëgjoi aktvendimin e gjykatës për ta larguar nga gjykatorja.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi e ka përjashtuar edhe një palë të tretë nga përcjellja e seancës gjyqësore.
Krasniqi konstatoi se këtë masë po ia shqipton pasi ai e kishte gënjyer se ishte djali i hallës së të pandehurit dhe ka bërë përpjekje të fusë gjësende të palejuara në vendin ku “Kobra” po e mban paraburgimin.
Avokatët e Arben Vezajt e Burim Mazrekut kërkuan nga prokurorja Bina-Rugova që t’i dorëzojë të gjitha transkriptimet e rastit, meqë pretenduan se janë përgjuar gjatë fazës së hetimit.
Prokurorja Bina-Rugova tha se përgjimet e tilla nuk janë përdorur për ta ndërtuar aktakuzën.
E gjyqtari Krasniqi ka theksuar se do ta nxjerrë një vendim për nxjerrjen e provave, nëse Prokuroria nuk ia jep të gjitha provat e marra gjatë fazës së hetimeve. Gjykata i ka njoftuar palët se i kanë 30 ditë kohë për kundërshtimin e provave dhe aktakuzës.