LAJMET E MBRËMJES

Kosova në fokus të mbrojtjes amerikane

Në një nga pikat e rëndësishme të Ligjit për Politikën e Mbrojtjes që e ka nënshkruar presidenti i SHBA-së, Donald Trump është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës e Serbisë, riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke si dhe kundërshton çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, në të cilin përfshihet edhe Kosova. Dokumenti mbi 3 mijë faqesh thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

Një seksion i veçantë i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët inkurajohen për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit e arritur më 27 shkurt 2023.

“Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e rënë dakord nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve; (2) Serbia dhe Kosova duhet të synojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në paragrafin (1)”, shkruan në dokument.

Pasi të jetë shënuar përparim në dialog, SHBA-ja ka listuar veprimet që mund t’i ndërmarrë ndërmjet palëve, ku brenda të njëjtit paragraf përmendet njohja reciproke.

“Pasi të jetë arritur përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me të dyja vendet, çka mund të përfshijë - (A) vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe (B) avancimin e iniciativave konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve me të dyja vendet; dhe (4) Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke”, shkruan aty.

Me këtë akt përjashtohet mbështetja e çfarëdo ideje që do të qonte në ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

“Është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që (1) të mos ndjekë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje apo forma të tjera të rishikimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe (2) të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike që dikur karakterizonin rajonin”, thotë dokumenti. “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”.

SHBA-ja mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.

Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.

Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.

Dokumenti përmend edhe shqetësimet me gjendjen e demokracisë në Serbi.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor 2023 dhe pasojat e tyre të menjëhershme janë arsye për shqetësim të thellë në lidhje me gjendjen e demokracisë në Serbi, përfshirë raportin përfundimtar të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili  gjeti ‘kushte të padrejta’ për zgjedhjet; gjeti ‘mangësi të shumta procedurale, duke përfshirë zbatimin jokonsistent të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, raste të shpeshta të mbipopullimit, shkelje të sigurisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup’; dhe pohoi se ‘votimi duhet të përsëritet’ në disa qendra votimi”, thotë dokumenti.

Tutje përmenden edhe protestat e studentëve pas shembjes së çatisë në Novi Sad ku vdiqën 15 persona dhe akuzat e pushtetit atje ndaj protestuesve, opozitës dhe shoqërisë civile.

“Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vuri në dukje gjithashtu se zyrtarët serbë akuzuan kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për ‘përpjekjet për të rrëzuar qeverinë’, një akuzë shqetësuese që kërcënon sigurinë e elementëve të rëndësishëm të shoqërisë serbe”, shkruan aty.

Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.

Ligji përfshin po ashtu disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë.

Trumpi ka qenë kritik ndaj forcimit të sigurisë evropiane, duke argumentuar se aleatët duhet të paguajnë vetë. Strategjia e tij e sigurisë kombëtare, e publikuar së fundmi, shihet si miqësore ndaj Rusisë, armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe një rivlerësim i marrëdhënies së SHBA-së me kontinentin.

Sipas ligjit, ofrohen 800 milionë dollarë për Ukrainën - 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme - si pjesë e iniciativës së ndihmës për sigurinë e Ukrainës, e cila paguan kompanitë amerikane për armë për ushtrinë e Ukrainës.

Ligji i mbrojtjes gjithashtu autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Si dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76,000 dhe i ndalon komandantit evropian të SHBA-së të heqë dorë nga titulli i komandantit suprem të NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.