Është pranuar si provë një dokument i Kuvendit, në bazë të të cilit ka qenë kryeparlamentari aktual, Glauk Konjufca, ai që në 2016-n pamundësoi mbajtjen e një mbledhjeje të Kryesisë duke hedhur gaz lotsjellës. Mbrojtja e Konjufcës tha se prova nuk është nxjerrë në përputhje me ligjin
Procesverbali i Kryesisë së Kuvendit, ku thuhet se kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, hodhi gaz lotsjellës në sallën C-301, duke pamundësuar mbajtjen e mbledhjes, është pranuar si provë materiale në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se Konjufca, që tash është kryetar i Kuvendit, më 10 gusht të vitit 2016, sa ishte shef i deputetëve të LVV-së, hodhi gaz lotsjellës në një mbledhje ku parashihej të futej në agjendën e Kuvendit miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
Avokatja e Konjufcës, e angazhuar në bazë të detyrës zyrtare, Arbnore Zeqiri, tha se prova e propozuar nga Prokuroria nuk është nxjerrë në përputhje me ligjin.
“Prokuroria asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë para apo pas përfundimit të hetimit për të siguruar një provë të tillë, e cila ka qenë e mundur të sigurohet”, ka thënë Zeqiri.
Por gjyqtarja Edita Çanta ka vlerësuar se administrimi i kësaj prove i shërben zbardhjes së këtij rasti penal.
“Aprovohet propozimi i prokurorisë lidhur me administrimin e procesverbalit”, ka theksuar gjyqtarja Çanta.
Lidhur me akuzat, kryeparlamentari ka vendosur që të mbrohet në heshtje.
“E nderuar zonja gjyqtare, deklaratën kryesore e kam dhënë në fazën e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem. Kështu që, po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje”, ka thënë Konjufca.
Paraprakisht në seancë ka dëshmuar deputeti Pal Lekaj, që në atë kohë ishte shef i grupit parlamentar të AAK-së. Lekaj, si dëshmitar i fundit në këtë proces, tha se nuk e mban mend prishjen me gaz lotsjellës të mbledhjes së Kryesisë.
“Nuk më kujtohet që është ndërprerë një mbledhje e kryesisë. Për atë datë nuk më kujtohet”, u shpreh Lekaj.
Ky rast, për të cilin aktakuza u ngrit më 2017, është drejt fundit. Fjala përfundimtare është caktuar për 23 shkurt.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në aktakuzën e vitit 2017, kryetarin aktual të Kuvendit e akuzoi edhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, por se kjo akuzë u parashkrua më 2022.
Në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e edhe me Nismën Socialdemokrate, ka kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe e edhe votimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, edhe duke përdorur gaz lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.