LAJMET E MBRËMJES

Kryetari i OVL të UÇK-së mbërrin në Kosovë pas lirimit nga Specialja

Gjykata Speciale të martën ka publikuar dy vendime. Njëri për lirimin me kusht të Hysni Gucatit, e tjetri për vazhdimin e mbajtjes në objektin e paraburgimit për Nasim Haradinajn. E pak orë pasi ky vendim u publikua, Gucati ka mbërritur në vendlindje, ku u prit me emocione nga familjarë e të afërmit

Pak pasi Gjykata Speciale në Hagë dërgoi njoftimin për lirimin me kusht të Hysni Gucatit, ai mbërriti në Morinë të Skenderajt, në vendlindjen e tij.

Aty ai u prit nga familjarë, shokë e bashkëluftëtarë, të cilët i shprehën mirëseardhje dhe e uruan për lirimin.

Pasi u ul në odë, të martën, nën fotografinë e Adem Jasharit, teksa përshëndetej me të pranishmit, ai bëri me dije që nuk do të deklarohej për media, duke e plotësuar njërin nga kushtet që Gjykata ia ka vënë.

“Jo! Me folë, më kurseni mundësisht, më kurseni”, ka thënë Gucati.

E, nëna e Gucatit uroi që edhe të tjerët që po mbahen në Hagë të lirohen sa më shpejt.

“Edhe ju bafshit hajr, kurrë më e gëzuar nuk kam qenë. Dhashtë zoti që edhe ata të vijnë sa më shpejtë, janë të nënave e të baballarëve, zemra është njësoj për të birin”, ka deklaruar ajo.

I gëzuar për lirimin e babait u shpreh edhe Musli Gucati, i cili shprehu dëshirën që edhe ish-bashkëluftëtarët e babait të tij të lirohen sa më shpejt.

“Normalisht që e kemi pritur mirë dhe jemi të gëzuar, mirëpo të jemi të sinqertë, gëzimi më i madh do të ishte sikur me të do të ishin edhe Nasim Haradinaj dhe çlirimtarët e tjerë”, ka thënë i biri i Hysni Gucatit, Musliu.

Në vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës theksohet se njëra nga arsyet që çuan në vendimin për lirimin e tij me kusht ishte edhe gjendja e rëndë shëndetësore e nënës së tij.

Dënimi i Gucatit do të përmbushej në dhjetor të 2024-s, e deri atëherë ai duhet t’u përmbahet kushteve të cilat i ka pranuar, ndër të tjera, dorëzimi i pasaportës e lajmërimi i përjavshëm në stacion policor.

Bashkë me Gucatin, në shtator të vitit 2020, ishte arrestuar edhe zëvendësi i tij në OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj. Që të dy më u dënuan me 4 vjet e gjysmë burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas dënimi iu ul të dyve për nga tre muaj.

E në vendimin për Nasim Haradinajn, theksohet se ndonëse ai ka shënuar shenja të rehabilitimit, nuk mund të lirohet për shkak të një incidenti që ka shkaktuar sa ishte në paraburgim.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se vendimi për Haradinajn do të rishikohet kur Administratori do ta ketë gati raportin mbi sjellën e tij.