Rrethanat e vdekjes së tij ende nuk janë sqaruar. Kryeministri Kurti, të dielën ka thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për arsye politike dhe se është mbytur, e ministrja Haxhiu tha se provat ekzistojnë dhe u mbetet institucioneve të drejtësisë që të hedhin dritë mbi rastin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në 7-vjetorin e vdekjes së tij në rrethana të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, bashkë me familjen Dehari, vendosën lule te varri i aktivistit të ndjerë, të dielën. E, gjatë një takimi me strukturat e Vetëvendosjes, Kurti cilësoi se bashkëpatriaku i tij po mbahej në burg për arsye politike.
“Sot është data 5 nëntor dhe në po vijmë këtu pasi ishim në homazhe për aktivistin tonë të paharruar, Astrit Deharin, i cili u mbyt ne burg, ku po mbahej padrejtësisht, për arsye politike 7 vjet më parë... Fakti se Kosova ka djem e vajza, aktiviste e aktivistë, shoqe e shokë të Astritit na jep siguri që drejtësinë do ta kemi. Ajo mund të vonojë e mund të pengohet nga jashtë e brenda sistemit, por nuk do të harrojë dhe nuk do të harrohet”, ka thënë Kurti.
E Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se provat për këtë rast ekzistojnë. Sipas saj, nevojitet vullneti i policisë dhe i prokurorisë për ta zbardhur këtë vdekje.
“Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. U mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Deharin e ka përkujtuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Mungesa e tij në mesin tonë është e madhe, teksa zvarritja e zbardhjes së vrasjes së tij rëndon dhimbjen tonë të përbashkët. Drejtësia dhe llogaridhënia për vrasjen e tij janë të pashmangshme”, ka thënë Sveçla.
E, Dardan Molliqaj, atëbotë bashkëpartiak i Deharit, ka vënë theksin te veprimtaria e përbashkët politike, derisa e akuzoi Kurtin për instrumentalizim të rastit të tij.
“Sot u mbushën 7 vjet pa shokun tonë Astrit. U bën 7 vjet pa drejtësi mbi rastin e tij. Por, ky përvjetor ka edhe diçka të re: ka filluar edhe zyrtarisht braktisja e idesë që e themelon shoqërinë politike. Rasti tragjik i Astritit është ilustrimi më flagrant për nivelet e përbindshme ku mbërrin instrumentalizimi politik e pushtetar. (Pa)drejtësia mbi rastin Astrit Dehari është simptoma që kur e dekonstrukton gjen shpjegimin për pushtetin dhe ligjet e drejtësisë. Sot simptomë, nesër akuzë”, ka thënë Molliqaj.
Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, po mbahej nën dyshimet për terrorizëm, për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, për të kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në dhjetor të vitit të shkuar, ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë janë zhdukur.
Vdekja e tij, ende e pasqaruar, është përcjellë me kundërshti e akuza në mes të Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, nën udhëheqjen e Haxhiut. Këto të nxitura edhe nga fakti se pasi u gjet i vdekur në qelinë e tij, institucionet përgjegjëse patën dhënë deklarata kundërthënëse sa u përket rrethanave të vdekjes së Deharit.